Vaksina ruse kundër koronavirusit Sputnik V arriti të mërkurën në Serbi.
Kontingjenti i parë u dërgua në Institutin e Virologjisë, Vaksinave dhe Serumeve “Torlak” në Beograd.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë, Mirsad Gjerllek, tha se kanë arritur 2,400 doza.
"Nga Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore më është thënë se, për një ditë ose dy, pritet certifikata për përdorim, kështu që aplikimin e vaksinës Sputnik V mund ta presim menjëherë pas Vitit të Ri. Leja do të na mundësojë të marrim sasi dukshëm më të mëdha gjatë janarit", tha Gjerllek.
Ai po ashtu tha se nga 4 janari, sipas dinamkës së paraparë, vaksinat Pfizer/BioNTech do të arrijnë në nivel javor - nga 20,000 doza.
"Aktualisht, kemi dy vaksina në dispozicionin tonë nga prodhues të ndryshëm. Të dyja janë me cilësi të jashtëzakonshme dhe të sigurt", tha Gjerllek.
Vaksina Pfizer/BioNTech është krijuar nga një kompani farmaceutike amerikane dhe një gjermane.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Serbia e gatshme të shpërndajë vaksina për shqiptarët në KosovëMë 22 dhjetor, Serbia ka konfirmuar se ka pranuar kontingjentin e parë me 4,875 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Dy ditë më vonë, ky vend ka nisur vaksinimin, me kryeministren Ana Bërnabiq, ndër të parat, që ka pranuar dozën e parë.
SHIKONI EDHE: Rusia ia ofron Shqipërisë vaksinën kundër koronavirusitGjerllek ka thënë më herët se autoritetet serbe janë duke zhvilluar bisedime intensive edhe me kinezët, për importin e vaksinës së tyre.