Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të reja dhe se ato duhet të mbahen sa më parë.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Hoxhaj tha se PDK-ja e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili, sipas tij, u ka hapur rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare.
Të hënën, Gjykata Kushtetuese vendosi që zgjedhja e Qeverisë aktuale të Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ishte jokushtetuese.
Kjo, për shkak të votës së deputetit Etem Arifi, i cili, më 3 qershor, votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë prej një viti e tre muajsh burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”.
SHIKONI EDHE: Zgjedhja e Qeverisë Hoti, jokushtetueseHoxhaj e kritikoi edhe Qeverinë e Hotit, edhe qeverinë përpara saj, të udhëhequr nga Albin Kurti, duke i cilësuar si “dy qeveritë më të dobëta që ka pasur Kosova ndonjëherë”.
“Të dyja qeveritë nuk kanë pasur as sjellje shtetërore, as vetëdije shtetërore, as vullnet shtetëror, por e kanë bërë vendin sikur të ishte një protektorat ndërkombëtar. Asnjëherë në histori të Kosovës nuk ka pasur një situatë që brenda një viti të përfundojnë dy qeveri, sikurse e patëm kësaj here”, tha Hoxhaj.
“Qytetarët e Kosovës, pa fajin e tyre, janë ballafaquar me një mashtrim të madh të dalë nga 6 tetori [datë e zgjedhjeve të vitit 2019], i cili më pas prodhoi dy qeveritë më të dobëta që ka pasur vendi ynë. Në këto 14 muajt e fundit, qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me zhgënjim, mashtrim, shpresë të vjedhur e premtime të papërmbajtura”, tha Hoxhaj.
Ai tha se Kosovës, si kurrë më parë, i duhet qartësi, vullnet e guxim në vendimmarrje, “për të këndellur ekonominë, ri-vendosur marrëdhëniet me miqtë dhe nxjerrë nga izolimi shtetin më të ri”.
Hoxhaj tha se ende nuk është diskutuar emri i kandidatit të PDK-së për postin e kryeministrit.