Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se do të respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit iu pamundësohet kandidimi në zgjedhje të gjithë atyre personave që në tre vjetët e fundit kanë qenë të dënuar me vendim të shkallës së prerë për ndonjë vepër penale.
“Gjykata Kushtetuese, me aq sa kemi lexuar në njoftimin e shkurtër që ka publikuar, kërkon që të zbatohet Neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pra që pamundëson kandidimin e një personi që është shpallur fajtor për vepër penale me vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
"KQZ-ja do të shohë të gjitha obligimet që dalin nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Modalitetet do të saktësohen nga ana e KQZ-së gjatë procesit zgjedhor", shtoi ai.
SHIKONI EDHE: LVV: Vendimi i Kushtetueses nuk ia ndalon Kurtit të garojë në zgjedhjeGjykata Kushtetuese, më 21 dhjetor, tha se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte jokushtetuese, pasi për të votoi Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Arifi gjendet në burg, ku po vuan dënimin prej një vit e tre muaj burgim.
Por, vendimi i Kushtetueses, sipas Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të pamundësojë kandidimin në zgjedhjet të kreut të kësaj partie, Albin Kurtit dhe anëtares së kryesisë, Albulena Haxhiut, të cilët më 2018, u dënuan me kusht.
Kështu tha për REL, Përparim Kryeziu, zëdhënës i LVV-së, sipas të cilit, dënimi ndaj Kurtit dhe Haxhiut ka qenë me kusht “dhe dënimet me kusht nuk kanë efekte juridike, respektivisht pasoja juridike. Prandaj kryetari Kurti dhe anëtarja jonë e kryesisë, znj. Haxhiu nuk kanë asnjë ndalesë për të qenë pjesë e garës zgjedhore”.
Më 2018, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit.