Lufta psikologjike për zgjedhjen e presidentit  

Flamuri i shtetit të Kosovës i vendosur në objektin e Kuvendit të Kosovës, aty ku është e vendosur edhe Zyra e Presidentit.

Kur Kosova përballet me kriza të ndryshme politike, partitë politike i shfrytëzojnë ato për marketing dhe për ta dëmtuar njëra-tjetrën, duke i anashkaluar përgjegjësitë shtetërore, por edhe ndaj publikut, thotë Milazim Krasniqi, publicist dhe profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, një gjë e tillë është duke ndodhur edhe aktualisht, kur Kosova është para situatës që duhet ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë.

Skena politike në Kosovë ka treguar dhe po tregon papjekuri në çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe kjo papjekuri po reflektohet pikërisht për shkak se debati është zhvendosur në mediat vendore, vlerëson politologu Ramush Tahiri.

Me gjithë paralajmërimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila udhëheqë me koalicionin aktual qeverisë në vend, se çështja e presidentit të vendit duhet të debatohet në një tavolinë diskutimi të të gjitha partive parlamentare, kjo ende nuk ka ndodhur.

SHIKONI EDHE: LDK-ja kërkon marrëveshje të gjerë për presidentin

Kohët e fundit, ky debat i paralajmëruar se do të ndodhë në një tryezë të përbashkët të partive politike, është bartur në në studiot e televizoneve vendore. Përmes këtyre studiove, veç e veç, përfaqësuesit e partive politike, përfshirë aty edhe liderët e këtyre partive, poashtu veç e veç, janë duke debatuar dhe polemizuar.

Debat përmes studiove televizive, për të shmangur “fyerjet dhe rrahjet”

Publicisti dhe profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo që po ndodh në debatet në studiot televizive, i jep opinionit publik të kuptojë që partitë politike e kanë të shfrenuar idenë për të marrë ose grabitur pushtetin në çdo mënyrë.

SHIKONI EDHE: Hoxhaj: Kandidati për president duhet të jetë nga PDK-ja

“Janë parti, jo vetëm që nuk kanë përgjegjësi ndaj shtetit, por që nuk kanë respekt as ndaj publikut. Për këtë arsye, më shumë rrinë në studio televizive se sa në zyra dhe në mënyrë të vazhdueshme përpiqen të manipulojnë publikun. Ndërkaq, publiku tashmë është krejtësisht i hutuar dhe shikon i çmeritur se çfarë po bëjnë partitë politike, të cilat nuk kanë veprime. Ka mundur shumë lehtë të organizohet një tryezë e partive politike”, thotë Krasniqi.

Ai shton se një tryezë e tillë do të duhej të organizohej, jo vetëm për çështjen e presidentit, por edhe për kalendarin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, për mënyrën e menaxhmit të pandemisë dhe të tjera. Megjithatë, sipas tij, nuk ekziston vullneti politik për një gjë të tillë, por vetëm pasioni për të grabitur pushtetin.

SHIKONI EDHE: Përveç LVV-së, partive të tjera “nuk iu konvenojnë zgjedhjet”

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që metoda me të cilën i janë qasur partitë politike çështjes së zgjedhjes së presidentit, përfshirë edhe sjelljen e tyre ndaj publikut dhe sjelljet ndërmjet vete në debatet e zhurmshme në studiot televizive, nuk është demokratike. Sipas tij, kjo sjellje jep mesazhin e qartë se pse liderët apo përfaqësuesit e partive politike parlamentare nuk ulen në një tavolinë të përbashkët për të debatuar dhe shqyrtuar mundësitë e një zgjidhjeje.

“Nuk e bëjnë, sepse sërish llogarisin se mbase mund të shkojnë në zgjedhje dhe nuk merren vesh. Për zgjedhje, ata duan të bëjnë propagandë dhe ta hedhin fajin te njëri-tjetri. Por, sikur të hynin në një mbledhje (të përbashkët) ata do të shaheshin dhe do të rriheshin. Ndoshta më mirë që i thonë, këto që i thonë, në televizone. Bile nuk rrihen”.

“Kush duhet t’i thërras në tryezë? Aty duhet t’i thërrasë kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani (ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës). Ajo nuk është e interesuar që t’i thërrasë. Ajo duhet t’i thërrasë, në cilësinë e kryetares së Kuvendit, por nuk i thërret. Këto tjerat, nga forumet e partive politike, kushdo që i thërret, gjysma nuk marrin pjesë, sepse aty thonë ‘unë do të vij, në qoftë se më jep premtimin se e voton ose i jep përkrahje kandidatit tim”, vlerëson Tahiri.

Në debate, veç e veç, nga studio të televizoneve të ndryshme, janë përfshirë përfaqësuesit e koalicionit qeverisës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo e fundit pretendon postin e presidentit për liderin e saj Ramush Haradinaj.

Edhe vetë Haradinaj, por edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, kanë nxjerrë argumentet e tyre lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, përmes studiove televizive. Në këtë debat, e po ashtu edhe në studio televizive, është përfshirë edhe subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, i cili ka bërë të ditur që në rast se kërkohen votat e tij për zgjedhjen e presidentit të vendit, atëherë emri i presidentit duhet të propozohet nga kjo parti.

SHIKONI EDHE: Hoti mohon të ketë dhënë dorëheqje, kërkon marrëveshje për presidentin ose zgjedhje

“Virusi i autoritetit” në debatet televizive

Profesor Krasniqi konstaton që aktualisht Kosova po përballet me një gjendje të rëndë në shumë fusha, në arenën ndërkombëtare, në planin e brendshëm politik, me Gjykatën Speciale, por edhe me pandeminë e koronavirusit. Në këtë situatë, sipas tij, do të duhej përgjegjësi e shtuar e dhe jo papërgjegjësi enorme e përfaqësuesve të partive politike, e cila shpërfaqet në debatet televizive.

Siç thotë ai, duke përjashtuar disa raste kur këta përfaqësues të partive politike ruajnë nivelin e debatit, për shkak të fomimit të tyre akademik, niveli i shumicës së folësve në këto debate “është i mjerueshëm, për shkak të mungesës së formimit adekuat akademik”.

“Po flasim për shumicën e tërësishme, që ka nivel të mjerueshëm të mendimit politik, ka mungesë të ideve politike dhe gjithë këtë e kompenson duke bërë zhurmë dhe duke bërë një lloj lufte psikologjike kundër kundështarëve, por që në fakt, kthehet në luftë psikologjike kundër vetë qytetarëve. Në njëfarë mënyre ka filluar të bëhet presion i madh dhe një lloj ‘virusi i autoritetit’ i këtyre politikanëve, i cili maksimalizohet në situata të krizave. Pra, kur ka kriza, politikanët e papërgjegjshëm e shfrytëzojnë dobësinë e popullit, dobësinë e shtetit, për ta rritur autoritetin e vet. Kjo është ajo që po e shohim me sytë tanë në studiot televizive”, shprehet profesor Krasniqi.

SHIKONI EDHE: Zgjedhja e presidentit të ri në "pauzë", nuk ka konsensus as për dialogun

Politologu Tahiri konsideron që kushtëzimet që përfaqësuesit e partive politike i shpërfaqin në studiot televizive, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, pa e pasur një kundërshtar përballë për të debatuar, janë pasqyrë e mënyrës se si janë bërë zgjedhjet e deritashme të presidenetëve në Kosovë.

“Kjo metodë e punës e partive politike dhe e sjelljes ndaj publikut, ndaj qytetarëve, por edhe ndërmjet vete, nuk është demokratike, nuk është ligjore dhe as kushtetuese, por është pjesë e shantazhit dhe e kushtëzimeve. Faktikisht, gjithmonë, prej që është çliruar Kosova dhe është ndërtuar shteti, pozita e presidentit ka qenë pjesë e pazareve politike dhe gjithmonë ka shkuar në pako – do të thotë, zgjedhja e qeveris dhe votimi për president apo zgjedhja e presidentit. Ky skushtëzim duket se do të shkojë edhe tash”, thekson Tahiri.

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e presidentit të Kosovës, më 5 nëntor, kryetarja e Kuvendit,Vjosa Osmani, pranoi postin e ushtrueses së detyrës së presidentit.

Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.