Shtyhet seanca për rastin e Oliver Ivanoviqit

Oliver Ivanoviq.

Seanca përgatitore në çështjen e vrasjes së udhëheqësit të Nismës Qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia" (SDP), Oliver Ivanoviq, e cila filloi të premten (4 dhjetor) në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shtyrë për datën 11 dhjetor.

Avokati mbrojtës, Dejan Vasiq i tha Radios Evropa e Lirë se, seanca u shty për shkak të arsyeve teknike, duke mos dhënë më shumë detaje.

Në nëntor të këtij viti, Prokuroria Speciale në Prishtinë ngriti një padi të re kundër të dyshuarve për ndihmë në vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Kjo është aktakuza e tretë e ngritur në këtë rast, dhe avokati Dejan Vasiq, i cili po e mbron pjesëtarin e policisë Dragisha Markoviq, pretendon se këto aktakuza janë pothuajse të njëjta, pra se ka pasur shumë pak korrigjime që nuk janë thelbësore për çështjen.

SHIKONI EDHE: Protesta në Beograd dhe Mitrovicë të Veriut: Kush e vrau Ivanoviqin?

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën e parë më 2 dhjetor të vitit 2019 dhe më 11 shkurt të këtij viti u mbajt një seancë përgatitore.

Të akuzuarit, Nedeljko Spasojeviq, Marko Rosiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zarko Jovanoviq, u deklaruan të pafajshëm, ndërsa tre të akuzuarit tjerë: Zvonko Veselinoviq, Milan Radoiçiq dhe Zeljko Bojiq, janë ende të lirë.

Nënkryetarja e SDP-së, Ksenija Bozhoviq, deklaroi se ajo nuk do të heqë dorë nga kërkesa për të hetuar plotësisht vrasjen e udhëheqësit të tyre.

"Ne do të kërkojmë që të gjenden vrasësit e Oliver Ivanoviqit. Sigurisht se do të marrë kohë sepse siç mund ta shihni, tashmë është viti i tretë, dhe ne po kthehemi në fillim”, tha Bozhoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ajo përsëriti se vrasja e Ivanoviqit ishte e një natyre politike.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara lokaleve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.