Në fund të nëntorit, Etem Arifi ka pranuar në llogarinë e tij pagën nga Kuvendi i Kosovës, pasi ende vazhdon të jetë në listën e deputetëve, pavarësisht se aktualisht po vuan dënimin në burgim që nga 29 shtatori, në kohëzgjatje prej 1 viti e 3 muajsh.
Nga Zyra e kryetares së Kuvendit, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Arifi është në listën e pagave.
SHIKONI EDHE: Urdhër-arresti ndaj Arifit ia komplikon punën Qeverisë HotiDeputeti i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, ishte dënuar më 20 gusht 2019 nga Gjykata e Apelit pasi ishte gjetur fajtor për mashtrim me subvencione. Sipas vendimit të Gjykatës, Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin përgjegjës për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (KDI) që monitoron punën e Kuvendit, thonë se rasti i deputetit Arifi është i paprecedent për kuvendin dhe se legjislacioni në fuqi është kontradiktor.
“Ai ligjërisht është ende deputet dhe si i tillë, pavarësisht faktit që është në vuajtje të dënimit dhe tash ka rreth pesë muaj që nuk ka qenë prezent në punime të Kuvendit, vazhdon të marrë pagë nga buxheti i shtetit”, tha Agnesa Haxhiu nga KDI-ja.
Ajo shton se bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e punës së Kuvendit, përcaktohet qartë se një deputet e humb mandatin, kur ai dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një e më shumë vjet.
Por, problematik mbetet interpretimi i këtij neni.
“Në rastin e Arifit, në kohën kur ai është dënuar me vendim të formës së prerë me burgim, ka qenë në muajin gusht të vitit 2019, në legjislaturën e VI-të, pra jo në këtë legjislaturë. Kushtetuta, por edhe Rregullorja e punës qëndrojnë të heshtura për rastin se çfarë ndodh kur deputeti shkon në vuajtje të dënimit tash në këtë legjislaturë”, thotë Haxhiu.
Si u zgjodh sërish deputet?
Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për votimin e Qeverisë Hoti, më 3 qershor 2020.
Në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese të mërkurën, e cila po e shqyrton zgjedhjen e Qeverisë Hoti me votën e deputetit Arifi pas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se kanë qenë të hendikepuar të veprojnë.
Ajo iu referua një aktgjykimi të Gjykatës Supreme të vitit 2017, në rastin e Zafir Berishës, kundër Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Ky vendim, ia mundëson çdo qytetari të Kosovës të garojë në zgjedhje edhe nëse është i dënuar, përveç nëse Gjykata i jep dënim plotësues që i ndalon ushtrimin ose garimin për çfarëdo funksioni publik për një periudhë të caktuar, gjë që në rastin e Arifit, gjykata nuk ka dhënë një dënim të tillë.
Arifi ishte zgjedhur deputet i vetëm nga partia e tij dhe kishte dhënë betimin në legjislaturën e VII.
SHIKONI EDHE: Partitë zotohen se nuk do të garojnë me persona që kanë probleme me ligjin
Kur mund t’i përfundojë mandati deputetit Arifi?
Agnesa Haxhiu nga KDI-ja, thotë se mandati i deputetit Arifi mund të përfundojë pas një muaji.
“Aktualisht, sipas dispozitave ligjore në fuqi e vetmja formë për t’ia marrë këtij deputeti mandatin në këtë legjislaturë është pasi të kalojnë gjashtë muaj mungesë në punimet e Kuvendit. Këtë vendim, pasi të plotësohet pra kushti për mungesë gjashtë muaj në punime, e merr Kuvendi me 2/3 e votave të deputetëve të pranishëm në seancë pas rekomandimit nga komisioni parlamentar përkatës”, thekson Haxhiu.
SHIKONI EDHE: Qeveria Hoti: Nuk presim vështirësi pas shkuarjes në burg të ArifitShkëmb Manaj që udhëheq Komisionin për imunitet dhe mandate në Kuvendin e Kosovës tha në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese, se “porsa të bëhen 6 muaj nga mungesa e tij (Etem Arifit) do të procedojnë me kërkesën për marrjen e mandatit”.
Arifi ishte në arrati për dy muaj
Dënimi i deputetit Etem Arifi u publikua nga mediat 8 muaj pasi Gjykata e Apelit e kishte shpallur aktgjykimin ndaj tij në gusht të 2019-s.
Ai madje, sipas KQZ-së, e kishte mbajtur fshehur faktin se është dënuar me aktgjykim të formës së prerë, duke garuar për zgjedhjet parlamentare të tetorit 2019, ani pse neni 29 i ligjit për zgjedhjet, ia pamundëson një gjë të tillë.
Në gusht të këtij viti, Gjykata Themelore lëshoi urdhërarrest, por Arifi arriti që t’i shmangej arrestimit. Ai iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar mendim për ligjshmërinë e dënimit ndaj tij, por më 23 shtator, Kushtetuesja njoftoi se nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën e Arifit, pasi e konsideroi si të papranueshme.
Etem Arifi, pavarësisht se ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, mori pjesë në seancën e 25 marsit, ku u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Po ashtu, ai ishte njëri nga 61 deputetët që më 3 qershor votoi për Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Pjesëmarrjen në votim të deputetit Arifi, si dhe ligjshmërinë e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti e kontestoi Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka dërguar këtë rast në Kushtetuese.