Dënim i deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga mekanizmat e drejtësisë për përvetësimin e parave në mënyrë të paligjshme dhe mashtrime, është një imazh i keq për Kosovën dhe vetë kuvendin, thonë përfaqësuesit e organizatave që monitorojnë punën e organit legjislativ dhe zhvillimet politike.
Gjykata Themelore në Prishtinë të martën lëshoi një urdhër-arrest ndaj deputetit të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim me subvencione, që kapin shumën mbi 25 mijë euro.
Urdhri për arrestim është lëshuar me qëllim për ta dërguar atë në vuajtje të dënimit me burg, pasi ai nuk është lajmëruar në Qendrën për vuajtjen e dënimit me burg.
Deputeti Arifi është i dënuar me një vit e tre muaj burgim.
Radio Evropa e Lirë, ka provuar të kontaktojë me deputetin Arifi, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.
Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se mashtrimet e deputetëve me paratë e shtetit dhe mosbindja ndaj urdhrave të shtetit, paraqesin goditjen më të ulët që ligjvënësit mund t’i japin shtetit.
"Ky është një dëm i madh që i bëhet vendit nga sjellja e papërgjegjshme e deputetit (Etem) Arifi. E mira do të ishte Arifi të japë dorëheqje menjëherë dhe kështu i hap rrugë zëvendësimit të tij në kuvend", tha Krasniqi.
Si e humb mandatin një deputet i Kosovës?
Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se çështja e mandatit të deputetit Etem Arifi është trajtuar edhe nga Komisioni parlamentar për mandate dhe imunitete.
Ajo thotë se komision pati dhënë rekomandim që të veprohet bazuar në praktikën parlamentare në të kaluarën, kur ka pasur raste të tilla, pa dhënë rekomandim konkret se si duhet vepruar, ndonëse rasti i deputetit në fjalë dallon nga rastet e kaluara.
"Marrë parasysh këtë pozicion të komisionit, kryetarja e kuvendit kishte kërkuar interpretim ligjor nga ana e Zyrës ligjore të kuvendit. Sipas atij interpretimi ligjor, deputetit në fjalë në këtë legjislaturë nuk mund t’i merret mandati automatikisht siç parashihet me Kushtetutë (neni 70.6) dhe Rregullore të kuvendit (neni 25,4) sepse në kohën kur është dënuar me vendim të formës së prerë me burgim, ka qenë në legjislaturën e VI-të, pra jo në këtë legjislaturë dhe ai mund ta humbë mandatin vetëm nëse shkon në vuajtje të dënimit dhe mungon në punimet e kuvendit për gjashtë muaj", shpjegoi Haxhiu.
Sipas Haxhiut, një vendimi për t’ia marrë mandatin deputeti Arifi, pas gjashtë muajve mungesë, duhet ta marrë kuvendin me 2/3 e votave të deputetëve të pranishëm në seancë, pas rekomandimit nga komisioni parlamentar përkatës.
Kontestohet edhe votimi i Qeverisë Hoti
Çështja e deputeti Arifi tashmë është dërguar për interpretim nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje edhe në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën gjë Kushtetuesja ende nuk ka dhënë aktgjykimin e saj.
Lëvizja Vetëvendosje më 11 qershor pati dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti.
“Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e kuvendit për votimin e qeverisë", pati thënë me anë të një komunikatë për media Vetëvendosje.
Haxhiu mendon se mungesa e deputetit Arifi në punimet dhe mbarëvajtjen e kuvendit nuk e ndikon shumicën minimale prej 61 votave që e ka aktualisht koalicioni qeverisës në kuvend.
"Nëse e llogarisim edhe dy votat nga Aleanca Kosova e Re (AKR) sepse edhe AKR-ja ndonëse nuk është pjesë e koalicionit, deri tash ka vepruar në koordinim me shumicën parlamentare, për dallim prej dy partive të tjera opozitare LVV dhe PDK. Mirëpo kuorumi në votim, nga seancat që janë mbajtur deri tash, kemi parë që është problematikë në secilën seancë, marrë parasysh faktin që kemi një shumicë minimale prej 61 deputetëve, që gjithmonë krijon mundësinë që të bllokohet procesi i votimit në seanca, nëse shumicës i mungojnë numrat e opozita nuk merr pjesë në votim pavarësisht prezencës fizike", tha Haxhiu.
A do të ndikojë urdhër-arresti ndaj deputetit Arifi te qeveria?
Analisti Krasniqi thotë se në Qeverinë e Kosovë pas urdhër-arrestit ndaj deputetit Etem Arifi, nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh veçse ekzekutivi nuk do të ketë një shumicë të përkrahjes së deputetëve në kuvend.
"Do të jetë një qeveri e cila nuk do të mund të llogarisë në votat e deputetëve të saj që të shtyjë përpara ligjet dhe agjendat e kuvendit në rast se nuk ka një bashkëpunim me partitë e tjera opozitare", tha Krasniqi.
Zëvendësimi i deputetëve të Kuvendi të Kosovës sipas rregullave të kuvendit mund të bëhet brenda një periudhe të shkurtër kohore (brenda 5 ditëve),nëse një deputet jep dorëheqje.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës më 10 prill të këtij viti, ka ngritur aktakuzë kundër 19 personave për "keqpërdorim të detyrës zyrtare" përfshirë edhe ndaj ish-ministrave të Qeverisë së Kosovës Mimoza Kusari-Lilës, aktualisht deputete e Kuvendi të Kosovës, Besim Beqajt, Nenad Rashiqit dhe Dardan Gashit.
Edhe në qeverinë e udhëhequr nga ish- kryeministri Ramush Haradinaj ishin gjithsej gjashtë ministra me aktakuza.
Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, posedimi i armëve dhe punësimet e paligjshme ishin disa nga aktakuzat që rëndonin mbi ish-ministrat.
Institutit i Kosovës për Drejtësi, për legjislaturën e gjashtë kishte vërtetuar se ishin më shumë se 20 deputetë të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë pasur lëndë të hapura në prokurori dhe gjykata për vepra të ndryshme penale.
Për dallim nga ministrat dhe postet tjera qeveritare, deputetët janë të zgjedhurit e popullit.