Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të mërkurën ka zhvilluar një inspektim në një nga barnatoret në Mitrovicën e Veriut, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri.
“Ka pasur një inspektim nga Inspektorati Farmaceutik dhe Dogana e Kosovës. Inspektimi ka ndodhur sikur në farmacitë tjera që zhvillohen për çdo ditë”, tha Hoti, pa dhënë ndonjë informacion shtesë.
Edhe zyrtarë doganorë kanë qenë të ftuar në këtë aksion, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
SHIKONI EDHE: Barnat nga Serbia dhe Bosnja drejt zhdukjes nga tregu farmaceutik i KosovësSiç u tha gazetarëve pronari i barnatores, e cila u inspektua, Bllagoje Saviq, atij i ishte kërkuar që punëtorët në farmaci të kishin “diploma të njohura nga Qeveria e Kosovës, si dhe që ata të kishin vetëm ato barna që lejohen për shitje në Kosovë”.
Ai konsideron që arsyeja është politike.
“Jam i regjistruar. Paguaj tatimin dhe të gjitha. Ata kërkojnë që të gjitha barnat dhe produktet të jenë nga Kosova. Kjo është e pamundur, sepse mjekët tanë përshkruajnë edhe barna tjera. Nuk është sistemi i njëjtë i shëndetësisë së Kosovës me atë të Serbisë. I kam të gjitha letrat, të Kosovës dhe të Serbisë, por kjo nuk vlen asgjë”, tha Saviq.
SHIKONI EDHE: Mjediset me shumicë serbe në kohën e pandemisëGjatë inspektimit, disa qytetarë të mbledhur në qendër të Mitrovicës Veriore kanë protestuar.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka thënë se ky nuk ishte aksion i Policisë së Kosovës, por që Njësia për kriminalitetin ekonomik ia ka drejtuar kërkesën policisë për mbështetje, për shkak të sigurisë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, në një konferencë për shtyp në Beograd, tha se inspektorët nga Prishtina “kanë hyrë në barnatore në veri të Mitrovicës së Kosovës, për të konfiskuar barna që nuk janë në listën e barnave të shtetit të pavarur të shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”.
Siç thuhet në faqen e internetit të kësaj zyreje, Petkoviq ka theksuar që ekzstojnë edhe fotografi në të cilat, siç pretendohet, shihet se si para barnatoreve, inspektorët ua marrin barnat qytetarëve. Kjo fotografi e pretenduar, nuk është publikuar në faqen e internetit të kësaj zyreje.
“Tash edhe në veri po krijohet tension dhe po forcohet atmosfera e rrezikimit të sigurisë. E gjithë bota duhet ta shohë se si në kohë pandemie, po grabiten barnat dhe e drejta e njerëzve që të mjekohen dhe kjo vetëm pse janë serbë”, ka thënë Petkoviq në një konferencë për gazetarë në Qeverinë e Serbisë.