GRECO: Korrupsioni, pengesë serioze për Shqipërinë

Tirana, foto nga arkivi.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, ka thënë se pengesa serioze për të arritur qeverisje të mirë në Shqipëri është korrupsioni që, siç tha ajo, ka përfshirë të gjitha shtresat.

Këto komente ajo i bëri në një konferencë të nivelit të lartë, që u mbajt për t’i adresuar gjetjet e Raportit të Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës Kundër Korrupsionit, i njohur si GRECO.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, përfshirë kryeministrin e vendit Edi Rama. Përveç ambasadorës amerikane, prezent ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca.

“Ekzistojnë pengesa serioze për të arritur qeverisjen e mirë që populli shqiptar meriton. Këto pengesa përfshijnë zyrtarë të korruptuar, një sektor drejtësie të kapur nga interesat politike, gazetarë që ose jane bërë palë ose janë kërcënuar për raportimet që bëjnë, poste zyrtare të përdorura për të promovuar ose për të mbrojtur interesa partiake ose vetjake, ndërmarrje shtetërore që i japin përparësi klientelizmit ose miqësive mbi operacionet e efektshme dhe efektive dhe zyrtarë publikë të interesuar në nxitjen e interesit vetjak, ndërkohë që mund të bëjnë diçka më të mirë për vendin”, u shpreh ambasadorja Yuri Kim.

SHIKONI EDHE: KE: Pak progres në luftën kundër korrupsionit në rajon

Ajo, theks të veçantë vendosi në korrupsionin në sistemin shëndetësor, sidomos në kohë pandemie, kur një buxhet i madh është drejtuar në këtë sektor.

“Pandemia aktuale globale i ka bërë rreziqet edhe më të qarta. Çdo sektor i kujdesit shëndetësor është i mbushur me mundësi për korrupsion për shkak të përmasës së buxhetit të tij. Por në kohëra si këto, korrupsioni në kujdesin shëndetësor do të thotë jo vetëm shpërdorim i panevojshëm por mund të nënkuptojë jetë apo vdekje”, tha Kim.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca tha se procesi i vetingut është kyç në luftën kundër korrupsionit dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në gjyqësor dhe në organet e zbatimit të ligjit. Ai tha se vitin e kaluar janë parë përparime në krijimin e disa institucioneve të rëndësishme te reformës në drejtësi, por edhe se duhet të ketë më shumë përpjekje.

"Pavarësisht këtyre, situate e korrupsionit vazhdon të mbetet i shtrirë gjithandej dhe vazhdon të mbetet shqetësim serioz për shtetet anëtare dhe për Bashkimin Europian. Prandaj kjo luftë kërkon përpjekje të mëtejshme, të strukturuara dhe të vazhdueshme, si dhe dënime të formës së prerë për zyrtarë të nivelit të lartë, të cilat kanë qenë tejet të ulëta dhe fatkeqësisht kjo është diçka që ne e kemi thënë në të gjitha raportet tona të mëparshme", tha ambasadori Soreca.

SHIKONI EDHE: Shqipëria miraton reformën e kodit zgjedhor

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama, duke thënë se Shqipëria është një demokraci e re, theksoi se ndryshimi që vendi ka me vendet e zhvilluara sa i përket korrupsionit nuk lidhet me gjë tjetër veçse dallime sistemike. Ai tha se se vendet e zhvilluara kanë një sistem të cilat e bëjnë tejet të vështirë kapjen nga korrupsioni.

Kryeministri solli në vëmendje gjyqtarët, prokurorët dhe ata që punojnë në sistemin e drejtësisë janë të parët që do të goditen.

“Askush të mos ketë asnjë iluzion. Nuk do të ketë goditje të korrupsionit në nivelet e larta nëse nuk do të goditet korrupsioni brenda sistemeve të drejtësisë. Nëse gjykatës dhe prokuror të cilët janë kapur në flagrancë me pasuri marramendëse, nuk do të shkojnë prapa hekurave të mos kemi asnjë iluzion se kjo do të ndodhë me zyrtarë shumë të lartë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë deklaroi se masat që do të merren ndaj sistemit të drejtësisë janë pikërisht masat që do ta bëjnë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) institucionin model që shqiptarët e kanë dashur.

Grupi i Shteteve të Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit - GRECO, përmes raportit për Shqipërinë, nxit autoritetet shqiptare të gjejnë sa më parë një zgjidhje, për të bërë plotësisht funksionale Gjykatën e Lartë, e cila numëron aktualisht vetëm 3 nga 5 gjyqtarë të nevojshëm për të shqyrtuar çështjet.

GRECO gjithashtu mirëpret zhvillimet e reja që rezultojnë nga zbatimi i reformës në drejtësi dhe inkurajon autoritetet shqiptare për të siguruar zbatimin efektiv të procesit të reformës në drejtësi në mënyrë që të forcojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit brenda sistemit.