Kanë kaluar më shumë se 12 vjet prejse Kosova ka shpallur pavarësinë, por ende nuk ka arritur të pajiset me kod shtetëror në internet apo siç njihet ‘domen i nivelit të lartë’.
Domen të vetin kanë shumica shteteve të botës si për shembull: Gjermania [.de], Italia [.it], Austria [.at], Shqipëria [.al] e tj.
Mungesa e domenit shtetëror paraqet probleme për kompanitë që punojnë në sektorin e IT-së [Teknologjisë së Informacionit], si dhe bizneset.
Arbër Bakija është inxhinier softuerësh dhe bashkëthemelues i kompanisë BBros LLC që operon në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Një pjesë të madhe të kohës, ai thotë se e shpenzojnë për të rritur prezencën e shtetit të Kosovës në internet.
“Ne përdorim platforma të ndryshme të shërbimeve nëpër botë, për shembull serverë, aplikojmë dhe përdorim platforma për shërbime të IT-së që neve na ndihmojnë të operojmë dhe në shumicën e rasteve Kosova nuk figuron si shtet”, thotë ai.
SHIKONI EDHE: Larg përmbylljes së subjektivitetit ndërkombëtarBakija shton se Kosovës i mungon identiteti në internet.
“Ne, shumë shërbime që i marrim prej Evropës ose nga Amerika si dhe më larg, i marrim si Shqipëri ose në rastin tjetër duhet të kontaktojmë me kompanitë dhe t’u themi: ‘Shih se ne jemi nga Kosova, jemi shtet’. Duhet t’i dërgojmë disa informata se ekzistojmë si shtet, nëse ka leverdi kompania që po na jep shërbim neve që të na përfshijë në listën e shteteve, thotë: 'Në rregull, po e vendosim'. Nëse jo, thotë: 'Po më vjen shumë keq, por ju ende figuroni te ne si pjesë e Serbisë' ”, tregon Bakija.
Vazhdimisht janë përfolur propozime sa i takon domenit të Kosovës.
Disa nga to janë [.rks] dhe [.ks].
Në mungesë të domenit shtetëror, edhe ueb-faqet e institucioneve kosovare përdorin adresa të komplikuara.
Institucionet zakonisht kanë vizë ndarëse në mes apo edhe akronime, si për shembull ueb-faqja e Qeverisë së Kosovës [www.kryeministri-ks.net] apo edhe ueb-sajti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës [www.gjk-ks.org].
Përveç sektorit të IT-së, mungesa e domenit shtetëror të Kosovës u shkakton probleme edhe organizatave e bizneseve.
Për OJQ-të dhe organizatat, është i vështirë një brendim efektiv, ndërsa bizneset përpos identifikimit, sfidohen edhe në marketing.
SHIKONI EDHE: Viti 2019 i jep fund kodeve të huaja telefonikeKosova pa identitet digjital
Përgjatë viteve, Kosova është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në sektorin e IT-së, thotë Arbër Bakija nga kompania, BBros LLC.
Ai beson se në raport me shtetet e rajonit, Kosova ka shumë më shumë resurse njerëzore sesa Shqipëria dhe Mali i Zi, porse fatkeqësisht, në botën e IT-së, Kosovën, përveç rajonit, nuk e njeh askush tjetër.
“Në botën tonë, në botën e IT-së, përveç rajonit që na njeh, krejt bota na njeh si pjesë e Shqipërisë ose pjesë e Serbisë. Duke u nisur nga IP-ja kur të futemi diku, figuron ose Shqipëri ose Serbi. Kështu, neve na ka shkaktuar probleme sepse faktikisht jemi pa identitet, e kemi më shumë resurse punëtore të IT-së se sa Shqipëria dhe Mali i Zi”, thotë Bakija.
Kosova e çrregulluar në internet
Mospavarësimi i Kosovës në internet ka shkaktuar edhe problemin me ato që njihen si IP adresa.
IP-ja, në gjuhën e Teknologjisë së Informacionit nënkupton një adresë në formë numrash që ka çdo pajisje që lidhet me internet.
Përmes IP-adresës identifikohet edhe lokacioni se prej nga është kyçur pajisja.
Në mungesë të sovanitetit digjital, aktualisht, sa herë që qytetarët e Kosovës kyçen në internet, IP -adresat e tyre lidhen me vendet e tjera të rajonit si Shqipëria, Serbia si dhe Maqedonia e Veriut.
Mungesa e këtij rregullimi u ka shkaktuar probleme veçanërisht organizimeve dhe festivaleve që për herë të parë këtë vit kaluan krejtësisht online shkaku i pandemisë së COVID-19.
Drejtori i organizatës “Anibar”, Vullnet Sanaja, thotë se sivjet kanë pasur disa probleme në zhvillimin e festivalit,që për herë të parë, sivjet u mbajt krejtësisht online.
SHIKONI EDHE: DokuFest dhe AniBar kalojnë onlineNë këtë festival ka pasur filma të autorëve dhe kompanive që kanë dhënë të drejtën që filmi të shfaqet vetëm brenda territorit të Kosovës e që bllokimi i IP adresave të rajonit në disa raste ka qenë i pamundur. Kështu që festivali e ka pasur të pamundur që të ndajë gjeografikisht shfaqjen e filmave vetëm në territorin e Kosovës. Kjo zakonisht bëhet përmes asaj që njihet si Geo-blocking.
“Disa filma janë lejuar vetëm në një shtet që të shfaqen, ta zëmë një film që është prodhuar në Gjermani ata dëshirojnë ta shfaqin vetëm në Kosovë sepse p.sh duan ta shfaqin, pastaj edhe në Serbi. Neve platforma nuk ka lejuar nganjëherë ta bëjmë ‘gjeo-blocking’ Serbinë”, thotë Sanaja.
Ai shton se ka pasur autor dhe kompani prodhuese të filmave që kanë kërkuar që filmi të bllokohet dhe të jetë i qasshëm vetëm për shikuesit nga Kosova.
“Kur e bëjmë fizikisht festivalin, ne i shfaqim filmat vetëm në kinema të hapur, por kur e organizon online festivalin, atëherë ata [prodhuesit e filmave], e kërkojnë që ti ta bllokosh filmin që të shfaqet vetëm në shtetin tënd”, thotë Sanaja.
Pavarësimi i Kosovës në internet ka disa efekte pozitive që lidhen me sigurinë, zhvillimin digjital, si dhe promovimin e shtetit.
Your browser doesn’t support HTML5
Sa i takon sigurisë, aktualisht të gjitha faqet në Kosovë janë të regjistruar nëpër domene të shteteve të tjera, pra nuk janë të siguruara nga institucionet e Kosovës.
Si pasojë e kësaj, është shumë e vështirë që të dihet numri i ueb-faqeve të regjistruara në Kosovë.
Po ashtu, Kosova nuk mund të identifikohet përmes domenit, e që do të mund të shfrytëzohej për promovim të shtetit.
SHIKONI EDHE: Fëmijët në Kosovë kanë qasje në gjitha faqet e internetit
Rruga drejt sovranitetit digjital
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Kosovës prej vitesh ka tentuar që të negociojë ndarjen e domenit shtetëror në internet për Kosovën.
Por, siç i kanë thënë zyrtarë të ARKEP-it Radios Evropa e Lirë, ky është një proces i gjatë negociatash.
Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Kosovës –ARKEP, ka thënë se duhet angazhim më i madh institucional në Kosovë për të arritur deri te sigurimi i domenit shtetëror për Kosovën.
“ARKEP-i ka hartuar të gjitha dokumentet e nevojshme lidhur me operimin e Regjistrit të ccTLD, përfshirë këtu edhe raportet e detajuara për mënyrën e marrjes së kodit, praktikat e vendeve tjera dhe rrugën që duhet ndjekur, të cilat dokumente gjithashtu i janë dërguar Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrisë/ve përkatëse”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it.
Në Agjendën Digjitale për Kosovën, 2013-2020, ishte kërkuar nga ARKEP-i, që t’i kryente të gjitha detyrimet e përcaktuara nga Korporata e Internetit për Caktimin e Emrave dhe Numrave (ICANN).
ICANN është organizata ndërkombëtare jofitimprurëse që merret me caktimin e domeneve.
Por, marrja e domenit nga ana e Kosovës komplikohet edhe më shumë për shkak të mungesës së anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, (OKB), si dhe në disa mekanizma të tjerë të kësaj organizate.
Kosovarët, ndër të parët për përdorim të internetit
Kosovarët janë ndër të parët në Evropë sa i takon përdorimit të internetit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rezulton se në vitin 2018, 93.2% e ekonomive familjare në Kosovë kanë pasur qasje në internet nga shtëpitë, nga çfarëdo pajisje.
Ndërsa, vetëm 6.6% e ekonomive familjare ishin deklaruar se nuk kanë pasur qasje në internet nga asnjë lloj pajisjeje.
Qasja në internet, kryesisht ka qenë nga telefoni celular, pasuar nga llaptop/kompjuter portativ, kompjuter desktop, tablet etj.