Bashkimi Evropian pret nga liderët në Ballkanit Perëndimor që të përmbahen nga deklaratat të cilat mund të jenë në dëm të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit.
Kështu deklaroi të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kur është pyetur lidhur me deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, ndaj serbëve që tregojnë se ku janë varrezat e shqiptarëve nëpër Serbi.
“Do të duhej të ishte e qartë për të gjithë përfaqësuesit e vendeve të cilat kanë aspirata për t'u anëtarësuar në BE, se ata do të duhej të përmbushin obligimet e tyre për të forcuar raportet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal. Këto janë vlera të cilat i mbron dhe avancon BE-ja. Liderët politikë duhet vërtetë të jenë shembull duke zgjedhur që të punojnë së bashku, të promovojnë bashkëpunimin dhe klimën e besimit të ndërsjellë, respektit dhe mirëkuptimit, e jo të japin deklarata që shkojnë në të kundërtën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
SHIKONI EDHE: Rama e quan "shaka" deklaratën e Vulinit për marrëveshjet Kosovë-ShqipëriStano ka thënë se në përgjithësi, BE-ja nuk i komenton deklaratat e politikanëve, por ditëve të fundit kanë vërejtur se disa deklarata që nuk shkojnë në drejtim të rritjes së mirëbesimit dhe pajtimit mes popujve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka bërë disa deklarata, që në Kosovë janë konsideruar kërcënuese, për serbët që bëjnë të ditura lokacionet e shqiptarëve të varrosur në territorin e Serbisë.
“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë ai për një televizion në Serbi.
SHIKONI EDHE: Qeveria e Kosovës i quan skandaloze deklaratat e zyrtarëve serbëÇështja e të pagjeturve është njëra prej temave për të cilën është diskutuar në takimet e fundit, të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Bashkëpunimi me strukturat ndërkombëtare të drejtësisë dhe procedimi i krimeve të luftës është një prej kushteve për integrimin evropian të vedneev të Ballkanit Perëndimor. Ky kusht pritet të përsëritet në paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit të cilat Komisioni Evropian do t’i miratojë të martën.
Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës i ka cilësuar si “skandaloze” deklaratat e zyrtarëve serbë duke shtuar se këto deklarata dëshmojnë se “Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”.