Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur të premten mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku thuhet se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.
Ai, duke iu drejtuar shqiptarëve me termin pezhorativ dhe nënçmues “shiptari”, ka thënë se kryeministri Edi Rama po vazhdon me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.
“Si gjithmonë, Bashkimi Evropian nuk do të deklarohet as për këtë gjë. Kjo është përsëritje e një gënjeshtre të ‘Shqipërisë së Madhe’, kinse vjen në formë të natyrshme, ndërsa bashkimi i serbëve në një shtet është kërcënim për paqen”, thuhet në deklaratën e ministrit Vulin, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.
Vulin ka shtuar se vetëm serbët e bashkuar mund ta ndalojnë formimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar përmes një postimi në Twitter, duke iu drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq me fjalët “shpresoj se kjo është një shaka dhe se kjo mënyrë e të menduarit duhet të dënohet”.
"A është kjo e vërtetë apo është një meme (shaka) që tallet me trurin e kulluar dhe gojën e ndyrë që e mbajti të gjithë rajonin tonë në errësirë për shekuj? Unë uroj shumë që të jetë një meme, përndryshe kjo do të ishte një shfaqje e dëshpëruar e të menduarit të mjerë që duhet ta dënoni pa asnjë dyshim!", tha Rama.
Në Serbi, termi 'shiptari', ka një konotacion negativ, ngase ndërlidhet me njerëz që janë primitiv dhe jo të civilizuar.
Kosova dhe Shqipëria, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e cila u mbajt në Tiranë të premten, u dakorduan për një qeverisje të përbashkët strategjike mes dy shteteve.
Prishtina dhe Tirana zyrtare deri më tani kanë arritur më shumë se 70 marrëveshje, protokolle dhe memorandume dhe gjatë mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive, të dyja shtetet nënshkruan edhe 4 marrëveshje, 3 protokolle, 5 memorandume dhe Kalendarin e përbashkët kulturor vjetor.