Qeveria e Kosovës përmes një komunikate ka shprehur “zhgënjimin e thellë” ndaj disa deklaratave publike të zyrtarëve të lartë të Serbisë, të cilët, sipas Qeverisë së Kosovës, hapur vazhdojnë të shfaqin mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, si dhe familjet e tyre.
“Këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”, thuhet në komunikatë.
Qeveria e Kosovës kërkon edhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”.
SHIKONI EDHE: Rama e quan "shaka" deklaratën e Vulinit për marrëveshjet Kosovë-ShqipëriMinistri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka bërë disa deklarata, që në Kosovë janë konsideruar kërcënuese, për serbët që bëjnë të ditura lokacionet e shqiptarëve të varrosur në territorin e Serbisë.
“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë ai për një televizion në Serbi.
Ndërkohë Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vullin ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur më 2 tetor mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilën është thënë se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.
Duke iu drejtuar shqiptarëve me termin pezhorativ dhe nënçmues “shiptari”, ai ka thënë se kryeministri shqiptar, Edi Rama po vazhdon përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.
Qeveria e Kosovës në reagimin e saj thotë se është e vendosur të punojë me përkushtim për një të ardhme paqësore të rajonit, për integrimin sa më të shpejtë në familjen e madhe të vendeve të qytetëruara e demokratike euroatlantike, në të cilën, siç thuhet, nuk ka vend për urrejtje ndaj etnive të tjera.