SHBA-ja vendos sanksione shtesë ndaj Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Iranit.

"Shtetet e Bashkuara tani kanë vendosur sanksionet e Kombeve të Bashkuara mbi Iranin", tha presidenti amerikan, Donald Trump, në një deklaratë të lëshuar menjëherë pasi ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv i cili përshkruan se si Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë "kthimin e shpejtë" të sanksioneve.

"Veprimet e mia sot i dërgojnë një mesazh të qartë regjimit iranian dhe atyre në bashkësinë ndërkombëtare që refuzojnë t'i rezistojnë Iranit", tha Trump.

Sanksionet e reja lejojnë Shtetet e Bashkuara të imponojnë masa - përfshirë ngrirjen e aseteve - ndaj çdo kompanie apo individi që ndihmon Iranin të shmangë embargon e armëve.

Administrata amerikane deklaroi të shtunën se të gjitha sanksionet e OKB-së kundër Iranit ishin rivendosur, sepse Teherani po shkel pjesë të marrëveshjes bërthamore, përmes së cilës kishte rënë dakord të frenonte programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

SHIKONI EDHE: Trump: Çdo sulm i Iranit do të merrte përgjigje “1,000 herë më të madhe”


Por, pak shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara besojnë se SHBA-të kanë pozicionin të tillë ligjor për të rivendosur sanksionet sepse Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore më 2018.

SHBA-ja argumenton se mban të drejtën për ta bërë këtë si një pjesëmarrës origjinal në marrëveshje dhe një anëtar i Këshillit të Sigurimit.

Fuqitë botërore të mbetura në marrëveshje janë - Franca, Gjermania, Britania, Kina dhe Rusia dhe Bashkimi Evropian.

SHIKONI EDHE: SHBA kthen sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, pavarësisht kundërshtimeve

Ali Akbar Salehi, kreu i agjencisë bërthamore të Iranit, tha të hënën se ka ende një marrëveshje të gjerë midis bashkësisë ndërkombëtare që pakti bërthamor duhet të ruhet.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Kremlini i shikon sanksionet e reja të SHBA-së si të paligjshme.

Rusia historikisht ka qenë një nga furnizuesit më të mëdhenj të armëve në Iran.

Kina dhe Irani gjithashtu thuhet se kanë qenë në bisedime për një marrëveshje tregtare 400 miliard dollarë që përfshin shitblerjen e armëve.

Ndërsa këmbëngul se nuk po zhvillon një armë bërthamore, Irani ka thyer vazhdimisht kufizimet e përshkruara në marrëveshjen për sasinë e pasurimit të uraniumit.

Presidenti Trump ka thënë se nuk do të lejojë kurrë që Irani të posedojë armë bërthamore.