Bullgaria është zhytur në krizë politike në javët e fundit, pasi protesta masive anti-qeveritare kanë përfshirë vendin.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, dhe prokurorit të përgjithshëm, Ivan Geshev.
Mijëra protestues, më 3 shtator, dolën në rrugët e Sofjes duke bohoritur “jepni dorëheqje” dhe “mafia”.
Partia konservatore në pushtet GERB, po kundërshton thirrjet për dorëheqje.
SHIKONI EDHE: Protestuesit bullgarë përleshen me policinëTë enjten, protestuesit u shfaqën edhe më të zemëruar dhe të motivuar, një ditë pasi policia u përlesh me njerëzit që morën pjesë në një nga tubimet më të mëdha, në gati dy muaj të protestave anti-qeveritare.
"Qëllimi i Borisovit, Geshevit dhe atyre që dërguan forcat e sigurisë është të fusin frikë, por ata nuk do të kenë sukses. Jo këtë herë", u tha protestuesve, Borislav Sandov, një nga udhëheqësit e Lëvizjes së Gjelbër, pasi ishte ndaluar nga policia një natë më parë.
Një nga organizatorët e protestës, Arman Babikyan, i quajti ngjarjet e dhunshme si "një prodhim të shëmtuar teatral të pushtetit".
Më 2 shtator, disa mijëra njerëz u bashkuan në protesta në kuadër të lëvizjes së ashtuquajtur "Kryengritja e Madhe Kombëtare".
Ata pretendojnë se qeveria dhe sistemi gjyqësor në Bullgari janë nën kontrollin e oligarkëve.
Nga përleshjet mes policisë dhe protestuesve shumë persona u lënduan, ndërsa raportohet për 126 të arrestuar.
Policia përdori gazlotsjellës kundër protestuesve, të cilët hodhën vezë, domate dhe gurë, ndërsa në mbrëmje disa protestues hodhën edhe mjete shpërthyese në drejtim të policisë.
SHIKONI EDHE: Protestuesit anti-qeveritar në Bullgari bllokojnë rrugët në SofjeZyrtarët shëndetësorë thanë se pothuajse 200 njerëz u plagosën, duke përfshirë 120 zyrtarë policorë.
Disa gazetarë u plagosën gjithashtu nga policia, duke nxitur reagimet e vëzhguesve dhe grupeve për lirinë e mediave.
Presidenti i mbështetur nga socialistët, Rumen Radev, kritikoi "dhunën jo të barabartë nga ana e policisë ndaj protestuesve dhe gazetarëve".
Ai përsëriti kërkesat e protestuesve që qeveria e Borisovit të japë dorëheqjen.
Në një fjalim televiziv, Radev tha se "protesta është veprimi i vetëm civil i mundshëm dhe i justifikuar kundër rrëmbimit të demokracisë bullgare".
“Ne nuk do të japim dorëheqjen pas këtyre incidenteve, sepse kjo do të nënkuptonte se çdo qeveri e ardhshme mund të rrëzohet nga përfaqësuesit e një klani kriminal", ka thënë deputeti, Toma Bikov, nga partia GERB e Borisovit.
Borisov është zotuar të japë dorëheqjen para përfundimit të mandatit të tij të tretë, në muajin mars, nëse ligjvënësit miratojnë një Kushtetutë të re.
Në një përpjekje për të qetësuar protestuesit, ai gjithashtu ka shkarkuar disa ministra kryesorë.
Propozimi për një Kushtetutë të re ka pak shanse për të kaluar, pasi Borisov nuk e ka shumicën e dy të tretave në parlament, të nevojshme për ta miratuar atë.
Kritikët i shohin ndryshimet kushtetuese si një përpjekje për të blerë kohë dhe për të ruajtur pushtetin.
“Këto veprime rrezikojnë të shkaktojnë një ngërç afatgjatë për vendin", tha presidenti Radev në fjalimin e tij.
Sondazhet e opinionit tregojnë se më shumë se 60 për qind e bullgarëve mbështesin kërkesat që Borisov dhe Geshev të japin dorëheqjen dhe të shpallen zgjedhjet e menjëhershme parlamentare.
Përgatiti: Kestrin Kumnova