Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha të premten se Turqia duhet të ndalë "kërcënimet".
Deklarata e tij bëhet pas palajmërimeve nga NATO-ja se të dyja vendet janë pajtuar për të nisur dialogun për uljen e tensionit në Mesdheun lindor.
"Kërcënimet duhet të shuhen në mënyrë që kontaktet të fillojnë", tha Mitsotakis.
SHIKONI EDHE: NATO: Greqia dhe Turqia do të fillojnë negociatat mbi krizën në MesdheAi tha se ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, do të informojë më vonë të premten Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres mbi "veprimtarinë e paligjshme" të Turqisë.
Greqia mohoi të enjten vonë se kishte rënë dakord të zhvillonte bisedime me Turqinë, të ndërmjetësuara nga NATO -ja, për të ulur tensionet mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit të gazit dhe naftës në rajon.
"Informacioni i botuar që pretendon se Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord të mbajnë të ashtuquajturat 'bisedime teknike' mbi uljen e tensioneve në Mesdheun lindor nuk kanë të bëjnë me realitetin", tha ministria e Jashtme e Greqisë.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më herët kishte thënë se të dy aleatët e NATO-s kishin "rënë dakord të fillojnë bisedime teknike në NATO për të krijuar mekanizma që do të zvogëlonin rrezikun e incidenteve në Mesdheun Lindor".
Tensionet mes dy vendeve janë rritur pasi Turqia më 10 gusht dërgoi anije kërkimore dhe ushtarake në Mesdhe.
Greqia dhe Qipro thonë se ky veprim ka shkelur sovranitetin e tyre.
Greqia u përgjigj duke organizuar stërvitje detare me disa aleatë të BE-së dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht nga Turqia të ndalojë aktivitetet e kërkimit duke kërcënuar me vendosje të sanksioneve ndaj Ankarasë nëse ajo nuk pranon të zgjidhë mosmarrëveshjen përmes dialogut.
Mitsotakis tha se Turqia po "dëmton" ligjin ndërkombëtar dhe "rrezikon" sigurinë rajonale duke kërkuar të "ndryshojë" gjeografinë, raporton AFP.