Ndërlidhjet

NATO: Greqia dhe Turqia do të fillojnë negociatat mbi krizën në Mesdhe


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord të fillojnë "negociatat teknike" për të ulur rrezikun e incidenteve ushtarake në Mesdheun lindor.

Në një deklaratë të botuar në faqen e internetit të NATO-s, Stoltenberg deklaroi se ai ka biseduar me udhëheqësit e Turqisë dhe Greqisë. Dy vendet anëtare të Aleancës kanë mosmarrëveshje në lidhje me të drejtën për të kërkuar rezerva të naftës dhe gazit në atë zonë.

"Greqia dhe Turqia janë aleatë të vlerësuar dhe NATO është një platformë e rëndësishme për konsultime për të gjitha çështjet që prekin sigurinë tonë të përbashkët", tha Stoltenberg.

Sidoqoftë, një zyrtar grek menjëherë mohoi që është arritur një marrëveshje, duke thënë se Turqia së pari duhet të tërheqë anijet luftarake nga zona në Mesdheun lindor.

Ankaraja ende nuk ka reaguar ndaj deklaratës së Stoltenbergut.

Turqia njoftoi të enjten (3 shtator) se Rusia do të mbajë stërvitje ushtarake në Mesdheun lindor nga data 8 deri më 22 shtator dhe nga 17 deri më 25 shtator në zonën ku ndodhen anijet turke.

Është e paqartë pse Turqia, e cila është një anëtare e NATO-s, shpalli mbajtjen e stërvitjeve në emër të Moskës, edhe pse të dyja vendet kanë forcuar ndjeshëm lidhjet ushtarake, politike dhe ekonomike në vitet e fundit, raporton AP.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG