Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) me seli në Hagë njoftuan se është miratuar Rregullorja e Ndihmës Juridike.
Ky dokument u mundëson të dyshuarve ose të akuzuarve, të cilët dëshmojnë se nuk janë në gjendje të paguajnë për mbrojtjen e tyre dhe nuk marrin ndihmë juridike në mënyra të tjera, të përfitojnë ndihmë juridike të plotë ose të pjesshme për pagesën e avokatit që zgjedhin vetë dhe i cili plotëson kushtet e pranimit në listën e mbrojtësve të DHSK-së.
SHIKONI EDHE: BE: Presim që Kosova të respektojë ligjin dhe Kushtetutën për mandatin e Gjykatës SpecialeNë komunikatën e Dhomave të Specializuara thuhet se administratorja, Fidelma Donlon, miratoi Rregulloren e Ndihmës Juridike në Dhomat e Specializuara të Kosovës, e cila pasqyron praktikat më të mira të standardeve të ndihmës juridike, duke garantuar respektimin e parimeve të gjykimit të drejtë.
"Ndihma juridike mbulon pagesën e mbrojtësit dhe anëtarëve të ekipit të mbrojtësit dhe i paguhet drejtpërsëdrejti mbrojtësit", thuhet në komunikatë.
Kryetarja e Dhomave, Ekaterina Trendafilova e përshëndeti miratimin e Rregullores duke theksuar se ky dokument “ngërthen parimet themelore të parapara në Ligjin tonë dhe standardet universale në drejtësinë penale, duke garantuar të drejtën e të akuzuarve për gjykim të drejtë që përfshin edhe të drejtën për mbrojtje efektive”.
SHIKONI EDHE: A janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese për Gjykatën Speciale?Të gjithë personat që u paraqitet nevoja për të shfrytëzuar këtë mundësi, duhet të bashkangjesin edhe deklarimin e mjeteve financiare.
"Zyra e Mbrojtjes kryen një verifikim rrënjësor të mjeteve financiare të parashtruesit të kërkesës për të përcaktuar nëse duhet miratuar ndihmë juridike e plotë ose e pjesshme. Kërkesa për ndihmë juridike refuzohet nëse parashtruesi i kërkesës nuk bashkëpunon ose jep informacion të rremë", thuhet në komunikatë.
Gjykata Speciale - me emrin Dhomat e Specializuara - funksionon me ligje të Kosovës, por selinë e ka në Hagë.
Qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t'u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.
Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UKÇ-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës, përfshirë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty. Gjykata financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare.