Ndërlidhjet

BE: Presim që Kosova të respektojë ligjin dhe Kushtetutën për mandatin e Gjykatës Speciale


Bashkimi Evropian.
Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian pret që autoritetet e Kosovës të vazhdojnë të jenë të përkushtuara për sundim të ligjit dhe për mandatin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Gjykata speciale në Hagë), deklaroi per Radion Evropa e Lirë, Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri.

“Këtu përfshihet respektimi i të gjitha dispozitave në ligj dhe kushtetutë, që në mënyrë të qartë e përcaktojnë mandatin dhe punën e Gjykatës Speciale të Kosovës”, tha ajo.

Massrali i ka bërë këto deklarata si përgjigje ndaj pyetjes se si e komenton BE-ja propozimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me ndryshimin e kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Gjykatës Speciale.

Sipas propozimit të Thaçit drejtuar Kuvendit të Kosovës, më 24 gusht, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës të 3 gushtit, 2015, mandati i gjykatws “do zgjasë në periudhën prej 5 vjetësh, përveç nëse lajmërimi për përfundimin e mandatit bëhet më herët, në përputhje me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”.

Paragrafi pasues thekson që në mungesë të njoftimit për përfundim të mandatit, mandati do të vazhdojë deri në njoftimin për përfundim të mandatit, që do të publikohet në përputhje me të njëjtin ligj dhe në konsultim me qeverinë.

Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian thuhet se mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës - gjë që konfirmohet edhe në këtë gjykatë.

Sipas kushtetutës, ndryshimet kushtetuese mund t'i propozojë qeveria, presidenti ose një e katërta e deputetëve të kuvendit, dhe çdo ndryshim kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të kuvendit, përfshirë dy të tretat nga radhët e komuniteteve.

Po ashtu, kushtetuta parasheh që ndryshimet mund të miratohen nga kuvendi vetëm pasi të ketë adresuar kryetari i Kuvendit të Kosovës amendamentin e propozuar në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liritë e përcaktuara në Kushtetutë.

Nëse ky propozim arrin te deputetët, ai duhet të miratohet me 2/3 e votave në kuvend, apo 80 vota.

Në Gjykatën Speciale në Hagë nuk kanë dashur të komentojnë veprimin e presidentit lidhur me vazhdimin e mandatit të gjykatës.

Mirëpo, në fund të vitit të kaluar, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a do të duhen institucionet e Kosovës të vendosin për vazhdimin e mandatit të gjykatës, zyrtarët në Hagë kanë thënë se “për vazhdimin e mandatit, nuk janë të nevojshme formalitetet ose veprimet specifike”.

Ata kanë konsideruar se “ashtu siç e parasheh ligji [për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së], i cili është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, mandati i gjykatës do të vazhdohet derisa Këshilli i Bashkimit Evropian të mos e informojë Kosovën se të gjitha hetimet dhe të gjitha proceset në kuadër të Dhomave të Specializuara kanë përfunduar”.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty. Gjykata financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG