Shpërthimi në Bejrut: Zyrtarët e portit në arrest shtëpiak

Your browser doesn’t support HTML5

Bejruti, një ditë pas shpërthimit

Numri i personave të vdekur si pasojë e një shpërthimi të madh në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, ka arritur në 135, ndërkohë që hulumtuesit janë duke bërë kërkime për të gjetur shkakun e shpërthimit.

Ministri i Shëndetësisë në këtë shtet i ka thënë një televizioni lokal më 5 gusht se rreth 5,000 persona janë plagosur dhe dhjetëra të tjerë janë ende të zhdukur si pasojë e shpërthimit në një port më 4 gusht.

Zyrtarët kanë thënë se një sasi e madhe e nitratit të amonit ka nxitur incidentin, lëndë që përdoret për plehra dhe ka kapacitet shpërthyes.

Sipas tyre, kjo sasi është mbajtur në kushte jo të mira për kohë të gjatë.

Gjatë ditës së mërkurë, qeveria ka urdhëruar që zyrtarët e portit të vendosen në arrest shtëpiak.

Shkatërrim në Bejrut pas shpërthimit të fuqishëm

Zyrtarët thanë të martën se kanë filluar një hetim për të gjetur shkakun e saktë të shpërthimit. Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Liban tha se ata që janë përgjegjës do të përballen me "dënimin maksimal" të mundshëm.

Presidenti, Michel Aoun, tha të mërkurën se hetimi do të zbulojë rrethanat e asaj që ndodhi sa më shpejt të jetë e mundur, dhe se rezultatet do të bëhen publike në mënyrë transparente.

Në një fjalim televiziv në fillim të një mbledhjeje të kabinetit qeveritar, Aoun u bëri thirrje gjithashtu kombeve të tjera të shpejtojnë ndihmën për Libanin.

Vendi do të jetë në zi kombëtare për tre ditë.

SHIKONI EDHE: Përshkallëzohet situata në protestat në Liban

Kreu i Kryqit të Kuq të Libanit, George Kettani, tha se "ajo që ne po shohim është një katastrofë e madhe".

Në rrjetin social Twitter, qytetarët kanë postuar pamje të momentit të shpërthimit.

Kimikatet janë konfiskuar nga anija e një biznesmeni rus

Mediat raportojnë se kimikatet që shpërthyen, janë dërguar atje vite më parë nga një anije mallrash, që ishte konfiskuar, dhe e cila ishte në pronësi të biznesmenit rus, Igor Grechushkin.

Ai është një biznesmen nga qyteti siberian i Khabarovsk, por aktualisht jeton në Qipro.

Ministri i Brendshëm i Libanit, Mohamed Fahmi, tha se kimikatet ishin ruajtur në depo, pasi ishin konfiskuar nga një anije mallrash më 2014.

Materiali ishte ruajtur pa masa të sigurisë.

Your browser doesn’t support HTML5

Porti i Bejrutit para dhe pas shpërthimit

Anija “MV Rhosus” ishte konfiskuar nga autoritetet libaneze, me një urdhër nga inspektorët lokalë në Bejrut, pasi ajo kishte hyrë në port, për shkak të problemeve teknike.

Associated Press raporton se MV Rhosus po transportonte nitrat amoni nga porti i Gjeorgjisë në Detin e Zi në Mozambik dhe rrugës kishte probleme teknike që e detyruan atë të ndalet në Bejrut.

Shpërthimi vjen në një kohë të ndjeshme për Libanin. Vendi po përballet me një krizë ekonomike, pandeminë e koronavirusit dhe demostrata masive kundër varfërisë. Tensionet janë gjithashtu të larta pasi të premten, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, pritet të nxjerrë aktgjykimin e saj ndaj katër të dyshuarve për vrasjen me makinë bombë të ish-kryeministrit, Rafik Hariri.

Ai ishte vrarë më 2005.

Të katër të dyshuarit janë anëtarë të grupit Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit, i cili vazhdimisht ka mohuar çdo rol në vdekjen e Haririt.

SHIKONI EDHE: Izraeli thotë se zmbrapsi një ndërhyrje terroriste nga Libani

Reagime pas incidentit

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka thënë të mërkurën se shumica e njerëzve besojnë që shpërthimi i së martës në Liban, i cili ka lënë më shumë se 130 persona të vdekur, ka qenë aksident.

Deklaratat e tij janë në kundërshtim me ato të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka thënë që gjeneralët amerikanë kanë sugjeruar se shpërthimi është shkaktuar nga një bombë.

Esper ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke mbledhur informacione për këtë ngjarje, mirëpo shumica besojnë se “ka qenë aksident, ashtu sikurse është raportuar”.

Të martën Trump ka thënë se shpërthimi “duket si sulm i tmerrshëm”.

Trump është pyetur pse e ka cilësuar këtë ngjarje si sulm dhe jo aksident, sidomos për faktin se zyrtarët libanezë ende nuk kanë gjetur shkakun e shpërthimit.

Ai u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë:

“Duket ashtu bazuar në shpërthim. Unë jam takuar me disa prej gjeneralëve tanë fantastikë dhe ata besojnë se është ashtu. Ky nuk duket si lloj i shpërthimit. Ata besojnë se është sulm. Ka qenë ndonjë lloj bombe”.

Sekretari Esper ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për të ofruar ndihmë humanitare, mjekësore dhe pajisje tjera për popullin e Libanit.

Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se SHBA-ja po e monitoron gjendjen në Liban.

"Unë u shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë ata që janë prekur nga shpërthimi masiv në portin e Bejrutit më 4 gusht. Ne po vëzhgojmë gjendjen dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë popullin e Libanit", ka thënë Pompeo në një postim në Twitter.

Ministri i Jashtëm izraelit Gabi Ashkenazi, mohoi spekulimet për përfshirje të Izraelit, duke thënë se shpërthimi ishte një aksident.

"Unë sugjeroj për kujdes me spekulime - nuk shoh ndonjë arsye për të mos i besuar raporteve nga Bejruti", tha ai, duke iu referuar komenteve nga zyrtarët libanezë.

Izraeli dhe Libani nuk kanë marrëdhënie dhe shpërthimi i Bejrutit vjen në mes të tensioneve në rritje midis dy vendeve dhe grupit militant Hezbollah përgjatë kufirit jugor të Libanit dhe në Siri.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Farhan Haq, u tha gazetarëve se nuk ishte menjëherë e qartë se cili ishte shkaku dhe se nuk kishte asnjë indikacion për pasoja në personelin e OKB-së.

Edhe Bashkimi Evropian reagoi pas incidentit, duke u ofruar mbështetje popullit dhe autoriteteve të Libanit.

BE-ja tha se ka aktivizuar sistemin e saj të mbrojtjes civile për të grumbulluar punëtorët e urgjencës dhe pajisjet në mënyrë që të ndihmohet Bejruti.

Komisioni Evropian tha se plani është që menjëherë të dërgohen mbi 100 zjarrfikës me automjete, qentë gjurmues dhe pajisje të dizajnuara për të gjetur njerëz të bllokuar në zonat urbane.

Republika Çeke, Franca, Gjermania, Greqia, Polonia dhe Holanda po marrin pjesë në ndihmë, dhe vendet tjera kanë paralajmëruar se do të bashkohen.

Sistemi i navigimit satelitor të BE-së do të ndihmojë autoritetet libaneze për të përcaktuar masën e dëmit.

Your browser doesn’t support HTML5

Shpërthim i fuqishëm në Bejrut të Libanit

Franca tha se do të dërgojë menjëherë ndihma në Liban. Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të udhëtojë të enjten në Bejrut për të "takuar të gjithë aktorët politikë", tha presidenca franceze.

Macron, ka biseduar me presidentin libanez, Michel Aoun, menjëherë pas shpërthimit. Libani ka lidhje të thella historike me Francën.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka shprehur tronditje pas pamjeve të shpërthimit në Liban, ka thënë zëdhënësi, Sebastian Fischer.

Gjermania thotë se është e gatshme të dërgojë një ekip prej 47 ekspertësh të kërkimit-shpëtimit në Bejrut.

Gjermania gjithashtu njoftoi se ambasada e saj ishte dëmtuar gjatë shpërthimit, por diplomatët janë vendosur në një ndërtesë tjetër dhe janë në gjendje të vazhdojnë punën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha përmes një postimi në rrjetin social Twitter se Kosova qëndron pranë Libanit në këtë kohë të vështirë.

Libani po ballafaqohet me krizë të thellë ekonomike. Shumë libanezë, që varen nga kursimet, tani janë duke u përballur me varfëri.

Koronavirusi i ri konsiderohet se ka përkeqësuar edhe më shumë situatën ekonomike në këtë shtet.