EULEX-i vazhdon punën në Kosovë, jashtë mandatit

Një person duke dalur nga zyret e misionit të EULEX-it në Kosovë. Foto nga arkivi.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, dëshiron të vazhdoj punën në Kosovë. Megjithatë, që nga 14 qershori këtij misionit i ka skaduar mandati për të vepruar në Kosovë, sipas një vendimi të Këshillit Evropian të vitit 2018.

Në ndërkohë, presidenca e Kosovës nuk sheh asnjë arsye që EULEX-it t'i vazhdohet mandati.

Misioni i EULEX-it u themelua në vitin 2008 për t’ju asistuar autoriteteve të Kosovës, në ngritjen e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit.

Tani, ky mision monitoron rastet dhe proceset gjyqësore të caktuara në sistemin e drejtësisë të Kosovës, dhe ka kapacitete të kufizuara, si reagues i dytë në fushën e sigurisë.

SHIKONI EDHE: Me gjithë pakënaqësitë, EULEX do të vazhdojë punën në Kosovë

EULEX gjithashtu ndihmon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me mbështetje logjistike dhe operacionale, në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Misioni gjithashtu vazhdon të menaxhojë programin e vet për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Zyrtarët e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, thanë për Radion Evropa e Lirë se janë të interesuar për vazhdimin e punës me Qeverinë e Kosovës.

"Ne dëshirojmë të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e Kosovës për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët në forcimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit", thuhet pos tjerash, në një përgjigjen me shkrim nga zyra për media e EULEX-it.

SHIKONI EDHE: Kujt po i pengon vettingu?

Po ashtu, edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, tha se prania dhe operacionet e EULEX-it në Kosovë vazhdojnë të jenë të mbuluara me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e Kosovës.

Stano u përgjigj kështu të premten në pyetjen se cila është baza ligjore për praninë e EULEX-it pasi i ka skaduar mandati dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk i ka nënshkruar shkëmbimet e letrave mes Kosovës dhe BE-së, për ta vazhduar këtë mandat.

Stano, gjithashtu tha se BE-ja dëshiron që ky mision të vazhdoj punën në Kosovë.

“Kemi pasur partneritet që nga viti 2008. Është në interes të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare. Është me rëndësi të vazhdoj mbështetja jonë dhe asistenca, përfshirë edhe me EULEX-in, për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha zëdhënësi i BE-së.

Presidenca: Presione të mëdha për vazhdimin e mandatit

Nga Presidenca e Kosovës thonë se institucionet e Kosovës që një kohë të gjatë janë në gjendje t'i marrin mbi vete të gjitha kompetencat që i ka mbajtur EULEX-i.

"Ka pasur presion të madh me javë të tëra, që të vazhdohet mandati ekzistues i EUELX-it. Por, presidenti Thaçi e ka bërë të ditur në çdo takim se mandati i EULEX-it ishte vazhduar në vitin 2018, dhe kjo ka qenë hera e fundit që është zgjatur mandati i këtij misioni", thuhet në përgjigjen me shkrim nga presidenca.

Në përgjigje thuhet po ashtu, se tani është koha që të gjitha kompetencat e EULEX-it të kalojnë te institucionet vendore.

"EULEX-i, tanimë nuk ka mandat për të qëndruar në Kosovë", thotë presidenca.

SHIKONI EDHE: Dështimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Në bazë të praktikës së vendosur tashmë qysh në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, vazhdimi i mandatit të EULEX-it është i mundur vetëm përmes një letërkëmbimi në mes BE-së dhe presidentit të Kosovës, pa pasur nevojë për një vendim të ri nga Kuvendi i Kosovës.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë me herët për Radion Evropa e Lirë se në fushën e sundimit të ligjit apo sistemin e drejtësisë, duhet të ketë ende prani të pjesëtarëve të EULEX-it, por vetëm në kapacitetet e monitorimit. Ai gjithashtu pret që mandati i EULEX-it të jetë i varur edhe nga mandati apo kohëzgjatja e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte.

Shefi i EULEX-it i emëron gjyqtarët e Speciales

Sipas ligjit për Dhoma e Specializuara dhe Zyrës se Prokurorit, kreu i EULEX-it i bën emërimin e gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara në Regjistrin e Gjyqtarëve Ndërkombëtarë, pas vlerësimeve dhe rekomandimeve të panelit përzgjedhës të përbëre nga tre anëtarë ndërkombëtarë.

Më 2018, Këshilli Evropian vendosi që mandati i rishikuar i EULEX-it të zgjasë deri më 14 qershor 2020. KE gjithashtu caktoi një buxhet të kombinuar për operacionet e misionit në Kosovë dhe për Dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar prej 169.8 milion EUR për dy vjet (15 qershor 2018 - 14 Qershor 2020).