Partitë politike në Kosovë kanë reaguar pas një organizimi të martën para objektit të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, të cilin e kishte organizuar Lëvizja Vetëvendosje.
Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se vikendin e kaluar policia kishte ndërhyrë ndaj disa bujqve në Rahovec në ndërkohë që sipas tij, nuk pati asnjë reagim ndaj qindra personave që u mblodhën në Prishtinë në një aksion që nga aktivistët e Vetëvendosjes u cilësua si “provë për protestë”.
“Ministri i Shëndetësisë, që menaxhon urgjencën e shëndetit publik, nuk e tha asnjë fjalë. Kurse Kryeministri ne ikje ishte sigurisht i zënë me dërgimin e letrave nëpër botë. Apo ndoshta paradat politike për te intimiduar demokracinë nuk i nënshtrohen ligjit?”, ka shkruar Hoti.
Organizimi i Vetëvendosjes u kritikua edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Gjatë një vizite në Rahovec, Haradinaj tha se qeveria në detyrë nuk duhet përdorur standard të dyfishtë, duke penguar bujqit në Rahovec e në anën tjetër duke lejuar tubimin e qindra personave në Prishtinë.
“Është e padrejtë dhe e pakuptueshme të dërgohen Njësitë Speciale nga Prishtina për me ua heq tregun fermerëve të cilët kanë respektuar distancën, të cilët kanë respektuar udhëzimet e institucioneve të shëndetësisë, ndërsa në sheshe lejohen 500 njerëz për një aktivitet të pakuptimtë”, ka thënë Haradinaj.
Ndaj organizimit të Vetëvendosjes të martën reagoi edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Zyrtarët e PDK-së thanë se një aktivitet i tillë është joligjor dhe se është përpjekje për t'i bërë presion Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen delikate që është duke trajtuar, sa i takon mandatarit të ri për formimin e qeverisë.
Të martën, rreth 500 persona u tubuan para objektit të qeverisë, në një aktivitet që sipas aktivistëve të Vetëvendosjes ishte provë për protestën e cila mund të organizohet në rast se vendi nuk shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pas kalimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se subjekti që ai drejton nuk i mbështet tubimet në këtë fazë kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit të ri.
“Ne nuk i mbështesim dhe nuk i inkurajojmë tubimet”, ka deklaruar Kurti gjatë një konference për media të mërkurën.
Përkundër kësaj, Kurti ka thënë se qytetarët që janë tubuar dje kanë respektuar distancën dhe sipas tij nuk kanë qëndruar gjatë.
Të mërkurën, Policia e Kosovës përmes një njoftimi tha se mbajtja e tubimeve publike dhe protestave, duhet të organizohen në pajtim me ligjin mbi tubimet publike, përfshirë marrjen e lejeve nga autoritetet kompetente dhe njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas policisë, tubimet e fundit nuk janë lajmëruar paraprakisht.
"Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor gjë që nuk ka ndodhur me tubimet/manifestimet e fundit. Ligji për tubimet publike përcakton se lajmërimi i tubimeve publike duhet të bëhet më së voni shtatëdhjetë e dy (72) orë para se të mbahet tubimi i qetë publik", thuhet në njoftimin e policisë.
Kosova gjatë kohës së pandemisë është përfshirë edhe nga kriza politike, pasi Kuvendi i Kosovës më 25 mars e rrëzoi qeverinë e Kurtit, përmes një mocioni të paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Kurti në kërkim të mbështetjes ndërkombëtareVetëvendosje e cila kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe përmes disa aktivistëve ka paralajmëruar protesta, në rast se nuk realizohet kërkesa e saj.
Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar Avdullah Hotin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës si mandatar për formimin e qeverisë së re.
Vendimi i tij u mor pas disa letrave që i kishte dërguar Vetëvendosjes për emërimin e një mandatari të ri. Por, VV-ja e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese e cila e pezulloi zbatimin e dekretit të presidentit, deri më 29 maj.