Dita e ngarkuar e Pacollit në Twitter

Ilustrim.

Udhëtimi në kohën e përhapjes së koronavirusit është bërë i vështirë dhe me raste i pamundshëm për shumë njerëz në botë.

Të martën me këtë gjë është përballur edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Në një postim të martën në rrjetin social, Twitter, Pacolli ka akuzuar Qeverinë në detyrë të Kosovës se nuk po e lejon të kthehet nga Zvicra në Kosovë për të marrë pjesë në seancën e Parlamentit të Kosovës, “si deputet i zgjedhur në mënyrë demokratike”.

“Kjo është një pengesë direkte ndaj demokracisë sonë parlamentare dhe tentim për të penguar zgjedhjen e qeverisë së re. Turpëruese”, ka thënë ai.

Pacolli duket se i është referuar zhvillimit të ndonjë seance eventuale në ditët në vijim për formimin e qeverisë së re, pas rrëzimit të asaj që drejtohej nga Albin Kurti.

Më vonë, përveç shqetësimit për udhëtim, Pacolli ka thënë të jetë i merakosur edhe për atë që ka konsideruar heshtje të ambasadës britanike në Kosovë, ambasadës gjermane, dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, “për këto veprime jodemokratike dhe jokushtetuese” të qeverisë.

“Demokracia jonë duhet të funksionojë edhe në kohë të koronavirusit. Askush përveç njerëzve nuk janë mbi nivelin e deputetëve”, është shprehur Pacolli.

Ndërkohë në diskutim është përfshirë Furtuna Sheremeti, këshilltare e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

“Kjo qasje është krijuar si rezultat i sa e sa viteve praktikë që pushteti është mbi ligjin. Është vështirë të pranohet tash që të gjithë realisht jemi të barabartë para ligjit”, është shprehur ajo.

Pacolli në anën tjetër ka pretenduar se Sheremeti “ka zero njohuri” për rolin e Parlamentit në demokraci.

“Qeveria ka lejuar disa kategori që të përjashtohen nga rregullat, vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë e vërtetojnë këtë gjë. Mirëpo një deputet që nuk mbështet qeverinë pengohet”.

Sheremeti më vonë i ka thënë Pacollit:

“Akush nuk po ju ndalon që të vini në Kosovë. Ne vetëm jemi duke ju kërkuar që të respektoni rregullat e karantinës sikurse secili person tjetër”.

Brenda pak kohe, Pacolli është përgjigjur kështu:

“Për informacionin tuaj, leja e aterimit për aeroplanin tim është anuluar nga qeveria. Pra, ata nuk po më lënë të hyj. Një deputet nuk mund të pengohet. Kjo është pamje e autokracisë në krijim. Askush nuk mund të ndalë parlamentin dhe anëtarët e tij nga puna”.

“Masa të stilit kinez”

Autoritetet në Kosovë kanë marrë vendim që secili person që hyn në Kosovë duhet të vendoset në karantinë, përkatësisht në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

Por, Pacolli ka vënë në pikëpyetje edhe këtë gjë.

“Stafi dhe diplomatët e Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe ata të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) janë përjashtuar nga kjo masë. Shikoni listën e pasagjerëve. Nëse diplomatët dhe stafi i organizatave ndërkombëtare janë përjashtuar, pse anëtarët e parlamentit jo?”.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark ka thënë se stafi i këtij Misioni që është kthyer në Kosovë, i është nënshtruar karantinës 14-ditore.

“Sa për informacion, i gjithë stafi i EULEX-it që është kthyer në Kosovë duhet të qëndrojë në karantinë 14-ditore. Ne kemi zbatuar këtë praktikë prej fundit të muajit shkurt dhe shembull, 31 zyrtarë policorë polakë dhe një zyrtare policore që janë kthyer në Kosovë javën e kaluar, tani janë në karantinë në kampin e tyre’.

Këtë praktikë Pacolli e ka konsideruar si standard të dyfishtë.

“Por jo në dhoma të studentëve. Faleminderit për konfirmim të standardeve të dyfishta të Kurtit. Pse stafi juaj duhet të trajtohet ndryshe nga qytetarët e Kosovës? E vlerësoj që konfirmuat gjithë atë që thashë. Qevera po trajton ndërkombëtarët, Serbinë dhe qytetarët e Kosovës ndryshe”.

Ndërkohë, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka thënë se nuk i ofron dot ndihmë Pacollit në këtë çështje.

“Frikësohem se nuk mund t’ju ofroj këshillë praktike në këtë çështje. Unë nuk jam larguar nga Kosova nga 13 marsi, dhe as stafi im diplomatik; puna dhe shtëpia jonë janë këtu. Disa që kanë qenë për pushime kanë mbetur në Gjemani, asnjëri nuk ka arritur të kthehet”, ka thënë Heldt përmes një postimi në Twitter.

Por sipas Pacollit, qasja e ambasadorit gjerman mund të jetë më parimore.

“Një qasje më parimore në mbrojtje të kushtetutës dhe ligjit do të ishte më e mirëpritur. Heshtja juaj për shkeljet e vazhdueshme të Kurtit që ka bërë ndaj kushtetutës nuk kanë qenë ndihmë për shtetin dhe demokracinë. Po shohim rezultatet. Karantina nuk është vënë as me ligj as me kushtetutë".

Pas disa orësh, Pacolli i ka krahasuar masat e vëna nga autoritetet në Kosovë, me ato të stilit kinez.

“Masat e stilit kinez të zbatuara nga Albin Kurti, nuk kanë vend në Evropë. Masat e tij janë jokushtetuese dhe kundër të drejtave të qytetarëve”.

Madje ai është zotuar se do ta sfidojë “këtë absurditet” si politikisht, ashtu edhe ligjërisht.

Thirrje për herë të dytë faktorit ndërkombëtar

Në mungesë të një përgjigjeje, përveç asaj nga ambasadori gjerman dhe shefi i EULEX-it, Pacolli ka kërkuar sërish reagimin e disa ambasadave në Kosovë dhe Zyrës së BE-së.

Në disa postime tjera, Pacolli ka insistuar në standardet e dyfishta, duke përmendur se nga karantina janë liruar persona tjerë përfshirë një këngëtar dhe siç ka thënë ai ilaçet e nisura nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq te kryeministri në detyrë Kurti.

Në pritje të koalicionit të ri

Reagimet e Pacollit kanë ardhur në ditën e njëjtë kur mandatari për formimin e Qeverisë së re në Kosovë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka konfirmuar se partia që drejton Pacolli do të jetë pjesë e përbërjes së re qeveritare.

SHIKONI EDHE: LDK llogarit në mbështetjen e të gjithëve, përveç LVV-së dhe PDK-së

Procedurat për formimin e qeverisë së re pasojnë iniciimin e mocionit të mosbesimit nga LDK-ja kundër qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në mesin e arsyeve për ngritjen e mocionit janë përmendur marrëdhëniet që së fundmi ka Kosova me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm.

Kurti në anën tjetër ka thënë se do ta sfidojë vendimin për formim të qeverisë së re nga LDK-ja në Gjykatën Kushtetuese.