Thaçi kërkon mandatarin, Kurti thotë se do t'i drejtohet Kushtetueses

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për gazetarë, ka paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese për aktgjykim veprimin dhe vendimin e presidentit Hashim Thaçi, me të cilin synohet që mandati për formimin e qeverisë së re, t’i ofrohet asaj partie politike që dëshmon se ka shumicën në kuvend.

Duke anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve për formimin e qeverisë, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje, kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë, tha se presidenti shkeli rendin kushtetues, kështu që lënda do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë konferencës së sotme për media.


“Vullnetin e shprehur me votë nga qytetarët po përpiqet që ta mbyll (v.j. presidenti Thaçi) me një dekret anti-kushtetues, ku do të përjashtojë partinë e parë fituese të zgjedhjeve. Nga roli unifikues dhe kompetencat që ja parashtron Kushtetuta, presidenti sot doli në ilegalitet. Andaj formalizmi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese pa dyshim”, tha Kurti.

Kurti tha se pas votimit në kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, më 25 mars, zgjedhjet janë opsioni i vetëm dhe jo formimi i qeverisë pa partinë fituese. Ai përsëriti se koha për organizimin e zgjedhjeve është pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.

“Duke u munduar të na rrëzojë ne ai po e rrëzon vetveten”, tha Kurti, duke iu referuar veprimeve të presidentit Thaçi dhe synimeve të tij për formimin e qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit.

Zotimet e tij për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese Kurti i bëri në ditën kur mori letër nga presidenti Thaçi, përmes së cilës ai i bëri me dije se nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për formimin e qeverisë së re. Nisur nga ky interpretim, Thaçi mblodhi në një takim partitë politike dhe kërkoi mendimin e tyre nëse janë për zgjedhje apo për qeveri të re.

Në bazë të deklarimeve të të gjitha partive të pranishme ne takim, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ishte në favor të organizimit të zgjedhjeve pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit, kurse partitë tjera në favor të formimit të qeverisë së re.

Mbi bazën e këtyre deklarimeve, Thaçi tha se do t'ia japë mandatin për forimin e qeverisë partisë që garanton shumicën në kuvend.

Gjatë diskutimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e ka refuzuar kërkesën për të propozuar mandatarin për qeverinë e re, përkundër faktit se deri më tani nuk e ka dorëzuar emrin e mandatarit.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë se presidenti Thaçi është duke bërë shkelje kushtetuese me thirrjen e partive të tjera për t’u konsultuar për të formuar qeverinë e re.

Kurti i është përgjigjur letrës së sotme të Thaçit.


“Presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm më partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, qoftë shumicë absolute apo relative. Pra, ky format sot është jokushtetues. Këtë e thotë edhe Kushtetuta e Republikës se Kosovës, e thotë edhe akt gjykimi I Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se partia e tij është e gatshme të ndërmarrë iniciativë për të formuar shumicë parlamentare, pasi sipas tij, në kohën e pandemisë së koronavirusit, nuk mund të kërkohet të mbahen zgjedhje të reja.

Ai tha se Kosova ka nevojë për një qeveri me mandat të plotë.

"Unë mund të them në emër të LDK-së, se ne vlerësojmë që në këto momente nuk duhet të shkojmë në zgjedhje dhe se duhet të bëjmë përpjekje të themelojmë një qeveri, që mund të qeverisë vendin në mënyrë normale. Qeveria në detyrë nuk i përgjigjet kërkesave që shtrohen para saj për arsye se kuvendi ka shprehur vullnetin me 82 vota me mocion (mosbesimi). Vendit i duhet një qeveri me mandat të plotë”, tha Mustafa.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se ky subjekt do të jetë në opozitë kështu që nuk pranon ftesa, siç ka thënë ai, as nga ata që shkojnë dhe e as nga ata që do të vijnë.

“Ne do presim që kur të krijohen kushtet dhe rrethanat, të kemi një momentum të ri, ku pastaj në situatën e re, kemi edhe zgjedhje të cilat janë të jashtëzakonshme”, tha Veseli.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh kundër mbajtjes se zgjedhjeve të reja, por tha se përkrahë formimin e qeverisë se re.

“AAK-ja nuk është për shpërbërje të kuvendit dhe shkuarje në zgjedhje për faktin që, pasi nuk kemi qeveri dhe jemi në kohë krize, sikurse të shpërbënim edhe parlamentin do ta linim vendin pa një institucion mjaft të rëndësishëm”, është shprehur Haradinaj.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që vjen nga LDK-ja, është shprehur kundër idesë së presidentit Thaçi për çështjen e mandatarit.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani deklaroi se Thaçi nuk mund të flasë në emër të deputetëve dhe as në emër të qytetarëve.

Takimi me liderët politikë, pason letrën që Thaçi i dërgoi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes së cilës e ka njoftuar atë se pas mungesës së përgjigjes në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti do t’i fillojë bisedimet me liderët e partive tjera politike.

“Me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë, në pajtim me vendimin e KQZ-së për certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, thuhet në letrën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Letra e presidentit Thaçi, 22.04.2020

Ai e ka informuar Kurtin se do të veprojë në bazë të kompetencave që i garantohen me Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

“Më duhet t’ju rikujtoj që në pajtim me mandatin kushtetues është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit dhe ta garantoj funksionimin demokratik të institucioneve”, ka shkruar Thaçi.

Kështu, sipas tij, “në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14 do të bëj konsultim të përbashkët me të gjithë liderët e subjekteve politike parlamentare për hapat e mëtejmë”.

Këtë vendim, Thaçi ka shkruar se e ka marrë pasi që Kurti dhe Vetëvendosje nuk i janë përgjigjur atij pavarësisht tri thirrjeve të bëra më 2, 10 dhe 15 prill.

Thirrjeve të presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti u është përgjigjur me letra që sipas tij, e argumentonin se nuk mund të ketë qeveri të re.

SHIKONI EDHE: Kurti: Ka një marrëveshje të fshehtë Thaçi-Vuçiq

Sipas Kurtit dhe Vetëvendosjes, qeveria aktuale në detyrë duhet ta vazhdojë punën deri në përfundimin e pandemisë së koronavirusit dhe më pastaj vendi të shkojë në zgjedhje. Ndërkaq, duke komentuar opsionin e formimit të qeverisë pa partinë fituese, në këtë rast pa Vetëvendosjen, Kurti kishte deklaruar se në një rast të tillë, ai do ta procedojë lëndën për aktgjykim në Gjykatën Kushtetuese, duke besuar se presidenti nuk e ka të drejtën që t’ia marrë mandatin partisë fituese.

SHIKONI EDHE: Kurti: Grenell është drejtpërsëdrejti i përfshirë në krizën politike në Kosovë

Në ditën kur Thaçi paralajmëroi kalimin e mandatit për formimin e qeverisë te një subjekt tjetër, duke mos e pritur më tutje Vetëvendosjen, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë filluar takimet në kuadër të përpjekjeve për arritjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Liderët e të dy partive, Isa Mustafa (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) kanë zhvilluar një takim në të cilin, sipas informacioneve që u dhanë më pas, është diskutuar vetëm për lidhjen e koalicionit, por jo edhe për ndarjen e pozitave.

Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha gjatë një konference për gazetarë se takimi kishte si qëllim trajtimin e çështjes së koalicionit. Por, ai tha se fillimisht pritet vendimi i presidentit Hashim Thaçi në lidhje me mandatin kushtetues që duhet t’ia ofrojë eventualisht, LDK-së për formimin e qeverisë.

Takimi i liderit të LDK-së, Isa Mustafa me AAK-në ishte i pari në vazhdën e krijimit eventual të një koalicioni qeverisës. Takime të ngjashme priten edhe me Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe si dhe komunitetet tjera joshumicë, pasi që për formimin e qeverisë, Mustafës do t’i nevojiten të paktën 61 vota në kuvend.