Ndërlidhjet

Kurti: Ka një marrëveshje të fshehtë Thaçi-Vuçiq


Kurti: Thaçi e Vuçiq kanë një marrëveshje të gatshme
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:53 0:00

Tarifa 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, duhet të zëvendësohet gradualisht me vendosjen e masave të reciprocitetit, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke shprehur bindjen e tij se aktualisht ka një marrëveshje të fshehtë ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.

Këto komente, ai i bëra gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur me kërkesën e opozitës në lidhje me, siç thuhet, rrezikimin e marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri Kurti tha se “mbajtja e tarifës 100 për qind dhe pa reciprocitet është pozicion ekstrem”.

“Por, edhe heqja e tarifës pa e përmendur fare reciprocitetin është pozicion ekstrem. Unë mendoj se ka një opsion normal, e ai është zëvendësimi i tarifës 100 për qind me reciprocitetin. Ky zëvendësim, duhet të jetë gradual”, theksoi Kurti.

*Video nga arkivi: As taksë as reciprocitet?

"As taksë, as reciprocitet"?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Më tutje, Kurti tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë marrëveshje sekrete dhe tani duan që ta jetësojnë atë.

"Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e për fillim të dialogut, kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës e për mbyllje të dialogut me një marrëveshje të gatshme, midis dy presidentëve. Unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme dhe ajo çfarë po kërkohet është të thyhet Qeveria e Kosovës, të thyhem unë paraprakisht si kryeministër, në mënyrë që të marrë fuqi ai, që në emër të Kosovës në negociata sekrete, ka bërë marrëveshje që tash të gatshme do ta servojë, jo për të filluar dialog, por për të mbyllur çfarëdo mundësie për dialog", tha Kurti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është përgjigjur pretendimeve të Kurtit se ai ka arritur marrëveshje të fshehtë me Serbinë, duke thënë se kryeministri po “vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet”.

Presidenti Thaçi, e ka cilësuar Kurtin si “frikacak dhe djallëzor”, i cili, sipas tij nuk po ka guxim që as ta heqë tarifën e as ta vendosë reciprocitetin.

“Po angazhohet për shkatërrimin e aleancave historike. Me paranojë flet për marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi. Qesharake për Kosovën. Fyese dhe e rrezikshme për raportin e Kosovës me SHBA-në”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

Kryeministri Kurti gjatë senacës plenare, po ashtu kishte një porosi edhe për partinë partnere në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila po i kërkon që të hiqet tarifa 100 për qind pa asnjë kusht, duke thënë se LDK dhe Vetëvendosje kanë ardhur në pushtet me premtimin për zëvendësimin e tarifës me reciprocitetin.

Ai tha se bashkë me qeverinë dhe kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani është i gatshëm të shkojë edhe në Uashington për të diskutuar me autoritetet amerikane për të gjitha çështjet.

Kërkesa e PDK-së për seancë të jashtëzakonshme pasoi një postim të Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili i bëri jehonë deklaratës së senatorit amerikan, David Perdue, në të cilën ai thoshte se “në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë”.

Deklarata gjeti mbështetjen edhe të të dërguarit presidencial të SHBA-së, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorit, Richard Grenell.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po insistojnë që Qeveria e Kosovës të shfuqizojë taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, për t’i dhënë rast përmbylljes së dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë me arritjen e një marrëveshjeje paqësore.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se nuk e kishte besuar që kjo qeveri, vetëm pas një muaji të qeverisjes do t’i rrezikojë, siç tha ai, raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, i cili arsyetoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme tha se paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimore, janë shumë serioze.

“Grupi Parlamentar i PDK-së, i mbështetur nga grupet tjera parlamentare, nënshkrues të kësaj kërkese, konsideron se Republika e Kosovës në fazën vijuese përfundimtare të dialogut duhet të zhvillojë në koordinim dhe bashkërendim të ngushtë me aleatët perëndimorë, SHBA-në, BE-në, në mënyrë që përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave kombëtare në këtë proces të jetë në vijmësi të kontributit të partnerëve strategjikë sikurse në fazën e luftës për liri, shtetkrijimin dhe konsolidimin e tij, por ashtu edhe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha Hamza.

Ndërkohë, Rexhep Selimi, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kërkesat e opozitës janë të pakuptueshme dhe të paqëndrueshme. Ai, para deputetëve ka prezantuar edhe një draft-rezolutë, me tri pika duke kërkuar që e njëjta të votohet nga kuvendi.

Në këtë Rezolutë, mes tjerash thuhet se “Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike Kosovë- Serbi që rezulton me njohje reciproke”.

“Nëse ky zhbllokim lidhet me taksën, siç pretendohet, na thoni a ta heqim, siç po kërkon PDK-ja, a ta mbajmë siç po kërkon AAK-ja, apo t’i bëjmë të dyja, siç po kërkon Nisma (Socilademokrate). Prej tri grupeve parlamentare këtu kemi tri qëndrime të ndryshme”, tha Selimi, duke iu drejtuar tri partive opozitare.

Ndërkohë që shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të shfuqizojë taksën 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

“Tarifa duhet të hiqet dhe për këtë dakordohemi të gjithë ose një shumicë dërmuese e deputetëve, pra përfaqësuese të popullit. Tarifa ishte një mjet keq i përdorur dhe që na dëmtoi. Mbajtja dhe vonesat në heqjen e saj vazhdojnë të na dëmtojnë”, tha ai.

Kryeministri Kurti më 27 shkurt pati propozuar që më 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si "shenjë e vullnetit të mirë" dhe e gatishmërisë “për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.

Por, propozimi i Kurtit nuk gjeti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e madje as të partnerit të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG