Takimi në Uashington në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë paraqet moment kthese në dialogun ndërmjet dy vendeve me lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në pamundësi që t’ju drejtohet deputetëve në një seancë të jashtëzakonshme, siç e kishte kërkuar, Thaçi thirri një konferencë për media ku ai foli për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit të presidentit Donald Trump për dialogun, ambasadorit Richard Grenell.
Thaçi kishte kërkuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, që të mërkurën, më 4 mars, t’ju drejtohet deputetëve në një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me takimet e tij në Uashington. Por, kryetarja e Kuvendit, Osmani, e kishte njoftuar Thaçin se kërkesa e tij nuk e arsyeton seancën e jashtëzakonshme, kështu që ajo do të thirret pas 9 marsit.
Në një konferencë për media, Thaçi tha se pa e lënë anash ndihmën dhe angazhimin e Bashkimit Evropian në lehtësimin e deritashëm të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, megjithatë Brukseli nuk po tregon aftësi për të përmbyllur këtë proces me marrëveshje.
Ai tha se BE-ja nuk po tregohet e aftë që t’i bindë as pesë vendet e saj anëtare që ta njohin shtetin e Kosovës dhe njëherësh, nuk ka bërë as presionin më të vogël mbi Serbinë që të arrijë marrëveshje paqësore me Kosovën.
"Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së ende nuk arritën që t'i bindin pesë vendet anëtare që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, nuk shihet në horizont ndonjë shpresë që Bashkimi Evropian t'i bind këto vende për ta njohur pavarësinë e Kosovës e lëre më ta bindin Serbinë që ta njoh Kosovën", tha Thaçi.
Në këtë aspekt, Thaçi tha se BE-ja nuk ka bërë as presionin më të vogël mbi Serbinë që të arrijë marrëveshje paqësore me Kosovën.
Në këtë rrafsh, Thaçi tha se Kosova duhet ta shfrytëzojë momenumin historik, pasi që është një rol dhe interesim në rritje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump që të përmbyllet ky proces me marrëveshje paqësore.
"Takimi në Uashington është i rëndësishëm sepse e lehtëson apo mund ta bëjë edhe me të afërt arritjen e marrëveshjes. Takimi i bën me reale gjasat që diçka e tillë e munguar që dy dekada të mund të arrihet në Uashington", tha presidenti i Kosovës.
“Kemi përkrahjen e plotë të presidentit Trump, vëmendjen e plotë të të ngarkuarit special me punë, ambasadorit Grenell. Kemi mundësinë për të përmbyllur një herë e përgjithmonë kapitullin e luftës, të konfliktit dhe armiqësisë", tha Thaçi.
Thaçi kërkoi edhe unitet politik në Kosovë, ngjashëm me proceset e kaluara negociatore, në mënyrë që çështjet në dialogun me Serbinë t’i përmbyllë me një unitet të brendshëm politik.
"Ky është momentumi i ri, mundësi e re të cilën ne të gjithë si institucione, si politikë si shoqëri duhet ta shfrytëzojmë. Lëshimi i këtij momentumi nënkupton çmim. E para qe duhet të bëjmë është të jemi unik të bëhemi bashkë të gjithë ne në Kosovë, i tërë spektri politik dhe institucional”, theksoi Thaçi.
Sipas presidentit të Kosovës, në SHBA atij i janë premtuar qindra miliona dollarë investime në Kosovë e rajon, në rast të përmbylljes me sukses të procesit të bisedimeve me Serbinë. Aq më tepër kur marrëveshja, theksoi Thaçi, po premtohet se do të jetë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe do t’i garantojë asaj anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe perspektivë integruese në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Takimi i Uashingtonit në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë besoj se do të jetë takimi dhe momenti i kthesës kritike dhe pozitive që nën udhëheqjen e SHBA-së dhe lidershipit të presidentit Donald Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Richard Grenell të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt”, theksoi Thaçi.
“Prandaj, këtë momentum dhe këtë mundësi nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojnë edhe Kosova edhe Serbia për arritjen e paqes si garanci për paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti i Kosovës.
Vuçiq: S’ka asnjë marrëveshje
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media në Beograd, ka folur në lidhje me takimin e Uashingtonit, duke hedhur poshtë, siç tha ai, disa informacione jozyrtare se Serbia ka rënë dakord me perëndimin për një zgjidhje përfundimtare për çështjen e Kosovës.
“Ditëve të fundit ka pasur shumë lajme të rreme për atë se si bëhen marrëveshjet e mëdha dhe për atë se si plani tashmë është hartuar. Nuk ekziston asnjë plan i madh dhe asnjë marrëveshje e madhe”, tha Vuçiq.
Ai përsëriti se kushti i tij është që të mos ketë bisedime thelbësore me Prishtinën, derisa të hiqet taksa 100 për qind që Kosova u ka vënë mallrave serbe.
“Sa u përket çështjeve taktike, në Uashington kemi diskutuar për të ashtuquajturin “Mini-Shengen”, lëvizjen e shpejtë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, si dhe për ndërtimin e autostradës dhe vendosjen e linjës hekurudhore dhe ajrore”, është shprehur Vuçiq.
Kurti fton Thaçin në takim -Thaçi fton Kurtin
Ndërsa po flasin për finalizimin e dialogut me Serbuinë dhe arritjen e një marrëveshjeje, liderët institucionalë në Kosovës, janë duke vazhduar me mospajtimet e tyre, lidhur me procesin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ridërguar një letër për një takim presidenti Thaçi, për siç është thënë, koordinim të politikës së jashtme të Kosovës, por ky i fundit nuk i është përgjigjur ftesës.
"Prezantimi i Republikës duhet të jetë i njëzëshëm dhe se dallimet duhet të mbesin brenda vendit duke mos ndikuar kur e përfaqësojnë atë", thuhet në ftesë e Kurtit dërguar presidentit Thaçi.
Në anën tjetër, Thaçi ka thënë se ai do t’i ftojë të gjithë liderët e institucioneve dhe partive politike, përfshi edhe liderin e Vetëvendosjes (kryeministrin Kurti) në një takim të përbashkët.
"Unë do të takohem dhe do t'i ftoj për takim të gjithë liderët e partive politike duke përfshirë edhe liderin e Vetëvendosjes dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe të Partisë Demokratike të Kosovës edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës edhe atë të Nismës edhe zotin (Behgjet) Pacolli edhe gjithë të tjerët", ka deklaruar Thaçi.
Të gjitha këto takime, janë paralajmëruar se do të shtyhen pas datës 9 mars, nëse eventualisht do të mbahen.