Nuk ka marrëveshje e as dakordim në parim në mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Albin Kurti rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si masë për të përballuar situatën e krijuar me Covid-19.
Përderisa presidenti Hashim Thaçi insiston se duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme, një gjë të tillë nuk e mbështetë kryeministri Albin Kurti.
Qeveria e Kosovës thotë se insitucionet e vendit janë duke menaxhuar mirë dhe plotësisht gjendjen e krijuar pas përhapjes se koronavirusit edhe në Kosovë.
Sipas zyrtarëve të Qeverisë, ende nuk janë shterrur të gjitha mundësitë për tu përballur me rrethanat aktuale.
Erzen Vraniqi, këshilltar politik i kyreministit Albin Kurti tha për Radion Evropa e Lirë, se rrethanat për gjendje të jashtezakonshme janë vetëm atëherë kur janë shterrur të gjitha potencialet dhe institucionet nuk mund të përballen me situatën e krijuar.
“Deri më tash institucionet po menaxhojnë plotësisht me situatën. Potenciali edhe njerezor, edhe spitalor, edhe i sigurisë, edhe i furnizimeve me prodhimet kryesore, qoftë ushqimore, qoftë higjienike është në nivel të kënaqshëm”, tha Vraniqi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të dielën se institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas vdekjes së personit të parë nga koronavirusi i ri.
“Ne duhet t’i ndihmojmë mjekët, duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona dhe duke i zvogëluar mundësitë e përhapjes më të madhe të këtij virusi. Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme. Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Edhe më herët Qeveria e Kosovës ka thënë se do të shqyrtojë situatën nëse në një periudhë të caktuar mund të krijohen rrethanat për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që t'i propozojë Qeverisë masa shtesë kundër koronavirusit, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, por nuk ka përmendur masat e jashtëzakonshme.
“Këto masa do të diskutohen sot edhe me ministritë e linjave dhe do paraqiten në mbledhjen e Qeverisë. Të gjitha këto masa do të shpjegohen saktë për qytetarët pasi të kenë marrë miratimin”, tha Vitia në një postim në Facebook.
Por, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, partia e të cilit është në koaliconin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, konsideron se Kosova duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në koalicionin qeverisës po tregohet e papërgjegjshme, duke shtuar se ai do të ishte i lumtur në qoftëse do të aktivizoheshin të gjitha potencialet për t’u përballë me rrezikun që po e kanosë jo vetëm Kosovën, por mbarë botën.
“Vendet fqinje po aplikojnë të gjitha masat, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme dhe orën policore. Para pesë ditësh edhe unë dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme, sepse isha dhe jam i bindur se askënd s’duhet ta pengoj që të gjithë ta bëjnë punën e vet në këtë situatë. Se nuk është koha ti masim muskujt, se kush është më i forti, por të bashkojmë muskujt, të krijojmë sinergji, ku 1+1 bëjnë 3”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Për shkak të mospajtimeve të thella mes LDK-së dhe LVV-së, partia e Mustaës, LDK-ja, tashmë ka iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë dhe po shqyrton formën se si mund të mblidhet Kuvendi në këso rrethana të pandemicë së COVID-19, për ta shkakruar qeverinë e kryeministrit Kurti.
Ndërkohë, analisti Albert Krasniqi, konsideron se institucionet në Kosovë duhet të jenë shumë të kujdesshme në vlerësimin e situatës së krijuar nga pandemia dhe të kenë parasysh kapacitetet e dobëta shëndetësore edhe financiare të cilat i ka Kosova si shtet për t’u përballuar me këtë sfidë globale.
SHIKONI EDHE: Partitë pozicionohen - në favor apo kundër gjendjes së jashtëzakonshmeKrasniqi thekson po ashtu se presidenti Thaçi dhe kryeministri Kurti, duhet të tregohen më të përgjegjshëm karshi situatës.
“Më shumë sesa kërkesa e presidentit dhe refuzimi i kryeministrit peshë në marrjen e vendimit duhet të kenë institucionet shëndetësore dhe ato të sigurisë. Në anën tjetër, qytetarëve duhet qartësuar se cilat janë avantazhet nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, të cilat nuk i kemi gjatë gjendjes emergjencës shëndetësore, pasi të drejtat e tyre themelore do të kufizohen”, u shpreh Krasniqi.
Ai tha se presidenti Thaçi dhe kryeministri Kurti duhet të tregohen më të përgjegjshëm karshi situatës dhe për një moment ta lënë anash rivalitetin e tyre politik, pasi që sipas tij, provokimi i krizave politike në këtë periudhë është i patolerueshëm.
Qeveria e Kosovës, ditë më parë, ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik. Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars. Deri më tash janë 31 persona të prekur, ndërsa një pacient ka humbur jetën.