Duhet apo jo të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin e ri, është çështje që po ngjallë mospajtime mes institucioneve, liderëve dhe partive politike.
Presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Koosvës, Kadri Veseli dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa janë deklaruar në favor të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Përderisa kryeministri Albin Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, është deklaruar kundër. Aktualisht, një pozicion të qartë nuk ka prezantuar ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Rreth dekretit të presidentit Thaçi, pritet që të deklarohet Kuvendi i Kosovës, si institucioni që duhet të marrë vendimin përfundimtar nëse do të shpallet apo jo gjendja e jashtëzakonshme.
Video Thaçi propozon gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë
Mospajtimet mes presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, por edhe përbrenda partive të koalicionit qeverisës në lidhje me adresimin e masave për menaxhimin e situatës së krijuar me Covid-19, nga analistët politikë shihen si përplasje e panevojshme për bajraktarizëm në këtë kohë të rëndë.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosoves tha për Radion Evropa e Lirë se në vend se institucionet e shtetit t’i qetësojnë njerëzit, zyrtarët kujdesen t’u servojnë qytetarëve serinë e radhës të çakordimit total në mes të institucioneve të vendit.
Ajo thotë se individualizmi politik dhe aspak institucional vazhdon të mbizoterojë politikat shtetërore edhe në këto ditë të vështira.
“Është papërgjegjësi totale dhe mungesë konsiderate ndaj vet qytetarëve mungesa e dakordimit për masat që shteti duhet të ndërmarrë në këtë situatë kur jemi duke u perballë me pandemi botërore”, tha Krasniqi.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka propozuar Kuvendit të Kosovës dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend. Ai ka thënë se është i detyruar që të veprojë kështu pas gjendjes në vend dhe pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
“Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë përfshinë edhe mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të Forcës së Sigurisë së Kosovës në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ky dekret po ndodh për shkak të fatkeqësisë natyrore të përhapjes së koronavirusit covid19”, tha Thaçi në konferencë për media.
Por, me propozimin e tij, nuk është pajtuar kryeministri Albin Kurti.
Zëvendëskryeministri Haki Abazi tha se propozimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ishte një masë ekstreme.
“Kryeministri ka shprehur qëndrimin e tij se nuk është në pajtueshmëri me masën ekstreme të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme të cilën e ka propozuar presidenti sonte. Ne mendojmë që për një gjendje të tillë duhet të përcillet situata, sigurisht edhe të veprohet në momentin e duhur kur e kërkon nevoja dhe kur vendi gjendet ne një situatë që kërkon një veprim të tillë”, tha zëvendëskryeministri Abazi.
SHIKONI EDHE: LDK me mocion për rrëzimin e Qeverisë, Kurti për vazhdimin e partneritetitMegjithatë, edhe qëndrimi i kryeministrit, më vonë u pa se nuk përfaqëson pozicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje të Kurtit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuaro që sa më parë të shpallet gjendja e jashtëzakonshme si masë parandalimi ndaj përhapjes së koronavirusit të ri.
“Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzakonshme, sepse po përballemi me një fatëkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosoves. Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka folë qartë!”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.
Mbështetje dekretit të Thaçit i kanë dhënë edhe dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
Analisti, Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova në ketë situatë nuk ka nevojë për dualizem insitucional. Sipas tij, sot kërkohet që e gjithë energjia dhe fokusi i insitucioneve të shtrihet në menaxhimin sa më të mirë të situatës.
Sipas tij, liderët nuk duhet të propozojnë zgjidhje të cilat mund të jenë të rrezikshme edhe pse qëllimi i tyre mund të jetë i mirë.
“Gjëja më e pa nevojshme që i duhet tash Kosovës është ky protagonizmi politik dhe dualizmi institucional në mesin e insitucioneve kryesore të vendit, në një situatë me Covid-19 është kritike dhe ku Kosova për fat të keq nuk ka resurese të mjaftueshme as institucionale as shtetrore për tu ballafaquar me një krizë të tillë. Këto përplasje politike vetëm sa tregojnë bajraktarizëm politik dhe apsolutisht nuk janë të nevojshme”, tha Mushkolaj.
SHIKONI EDHE: Blogu i pandemisë COVID-19Duke u nisur nga dallimet e shumta, përfshi edhe çështjen e taksës dhe dallimet tjera, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë thotë se "tani nuk është koha për të lejuar që dallimet politike të brendshme dhe rajonale të na bëjnë të mos i ndihmojmë njëri-tjetrit në këtë kohë të nevojës kolektive".
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë liderëve në vend dhe në rajon që të lënë mënjanë dallimet politike dhe të përqëndrohen në nevojat e qytetarëve të tyre. Të punosh së bashku dhe të ofrosh mbështetje ndaj njëri tjetrit është përgjigjja e kësaj sfide", thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.
Në bazë të kërkesës apo dekretit të presidentit Thaci, pritet që Kuvendi i Kosovës të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të vendosur nëse do ta miratojë apo refuzojë dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, si pasojë e situatës së krijuar me koronavirusin e ri.