Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski të premten në një paraqitje drejtuar opinionit, ka bërë të ditur se të hënën ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ku përveç anëtareve të zakonshëm i pranishëm do të jetë edhe Ministri i Shëndetësisë dhe përfaqësuesit më të lartë të Armatës për të diskutuar rreth masave që janë në dispozicion në rasttë përkeqësimit të situatës me koronavirusin, siç ka theksuar, "opsion i mundshëm mbetet dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme".
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut nga koronavirusi janë prekur 13 persona nga të cilët njëri është shëruar plotësisht.
Katër raste të reja janë paraqitur gjatë 24 orëve të fundit.
SHIKONI EDHE: Shkup: Anulohen të gjitha tubimet parazgjedhoreNdërkohë, liderët e partive politike gjatë të enjtes u dakorduan që gjatë kohës kur në fuqi janë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvillohet vetëm përmes mediave duke shmangur çdo lloj tubimi parazgjedhor.
Në këtë takim është bërë e ditur se liderët e e partive politike nuk kanë biseduar fare për anulimin e zgjedhjeve.
Por, presidenti i Maqedonisë së Veriut, përderisa ka theksuar se nuk është kompetent për çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve, megjithëse ka shtuar se për mendimin e tij seriozisht duhet të mendohet për prolongimin e zgjedhjeve.
“Nuk them që vendimin ta marrin sot (liderët e partive politike). Them se ju jeni kompetent dhe mendoni për shëndetin e qytetarëve. Nëse zgjedhjet shtyhen për një ose dy muaj nuk do të jetë fundi i botës”, ka thënë presidenti i Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se realizimi i fushatës zgjedhore vetëm përmes mediave online privon grup-moshat më të vjetra që të informohen pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk janë përdorues të mediave online.
Ai si shumë problematike në gjendjen e krijuar nga koronavirusi e sheh dhe ditën e organizimit të zgjedhjeve.
“Unë kam rezerva të mëdha për mbajtjen e ditës së zgjedhjeve, nuk jam kompetent për këtë, por në zgjedhjet parlamentare tek ne mesatarisht votojnë 1 milion njerëz, brenda shtetit kemi 3.000 vendvotime, administrata jonë zgjedhore ka 30.000 njerëz. Me sa kam informata unë asnjëherë nuk janë mbajtur zgjedhje në kushte të këtilla”, ka theksuar Pendarovski.
Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike thonë se në këtë kohë e gjithë energjia duhet fokusuar në menaxhimin sa më të mirë të situatës së krijuar me korona virusin dhe në asnjë mënyrë nuk humbet asgjë nëse zgjedhjet shtyhen për një ose dy muaj kur dhe situata me koronavirusin do të vihej nën kontroll.
“Fushata duhet të shtyhet për një kohë pasi të përfundojë pandemia e koronavirusit. Njerëzore është të ballafaqohemi me betejën e mbijetesës. Askush nuk është i interesuar për politikë kur te dera kemi një problem kaq madhor".
"Mendoj se duhet fushata të transformohet në betejë për sa më pak viktima, e jo fushata të izoluara për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ndryshe cila është ideja e zgjedhjeve kur bota po shkon në një izolim të qëllimshëm për ta shmang virusin. Ideja e presidentit është e drejtë, reale por në një shtet si Maqedonia e Veriut ku askush nuk morri dënim edhe pse abuzuan me demokracinë është jonormale mos të mbahen zgjedhjet. Zgjedhje në kohë krizash është sikur të aktrojmë e realisht asgjë nuk bëjmë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Arsim Sinani.
SHIKONI EDHE: Shkup: Gjendja e pacientëve të prekur me koronavirus, e qëndrueshmePresidenti i Maqedonisë së Veriut, njëhërsh ka bërë të ditur se së fundmi shërbimet e Presidencës kanë detektuar grupe të organizuara për shpërndarjen e lajmeve të rreme pa precizuar se nga cili vend dhe cilat struktura, megjithëse ka theksuar se bëhet fjalë se janë po të nijetit që shpërndanin lajme të rreme gjatë fushatës për mbajtjen e referendumit për ndryshimin e emrit të shtetit.
“Shërbimet ditëve të fundit kanë zbuluar grupe të organizuara për përhapjen e lajmeve të rreme në lidhje me koronavirusin dhe situatën në vend në mënyrë që të përhapin panik dhe mosbesim në institucione dhe në sistem”, tha mes tjerash presidenti Pendarovski.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi kujton qytetarët që të mbeten të izoluar në shtëpi dhe respektojnë masat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, ka bërë të ditur se “në mbledhjen e sotme qeveria miratoi që të shpallet gjendje krize në Dibër dhe Qendër të Zhupës” ku është numri më i madh i të infektuarve.
Përderisa, lideri i partisë maqedonase në opozitë, Hristian Mickosk,i ka kërkuar që gjendje krize të shpallet në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut.