Takimi në Uashington në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë paraqet moment kthese në dialogun ndërmjet dy vendeve me lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në pamundësi që t’ju drejtohet deputetëve në një seancë të jashtëzakonshme, siç e kishte kërkuar, Thaçi thirri një konferencë për media ku ai foli për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit të presidentit Donald Trump për dialogun, ambasadorit Richard Grenell.
Thaçi kishte kërkuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, që të mërkurën, më 4 mars, t’ju drejtohet deputetëve në një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me takimet e tij në Uashington. Por, kryetarja e Kuvendit, Osmani, e kishte njoftuar Thaçin se kërkesa e tij nuk e arsyeton seancën e jashtëzakonshme, kështu që ajo do të thirret pas 9 marsit.
SHIKONI EDHE: Kurti: Dështimi i bisedimeve Thaçi-Vuçiq, në dobi të KosovësNë një konferencë për media, Thaçi tha se pa e lënë anash ndihmën dhe angazhimin e Bashkimit Evropian në lehtësimin e deritashëm të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, megjithatë Brukseli nuk po tregon aftësi për të përmbyllur këtë proces me marrëveshje.
Ai tha se BE-ja nuk po tregohet e aftë që t’i bindë as pesë vendet e saj anëtare që ta njohin shtetin e Kosovës dhe njëherësh, nuk ka bërë as presionin më të vogël mbi Serbinë që të arrijë marrëveshje paqësore me Kosovën.
"Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së ende nuk arritën që t'i bindin pesë vendet anëtare që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, nuk shihet në horizont ndonjë shpresë që Bashkimi Evropian t'i bind këto vende për ta njohur pavarësinë e Kosovës e lëre më ta bindin Serbinë që ta njoh Kosovën", tha Thaçi.
Në këtë aspekt, Thaçi tha se BE-ja nuk ka bërë as presionin më të vogël mbi Serbinë që të arrijë marrëveshje paqësore me Kosovën.
SHIKONI EDHE: BE: Ne jemi i vetmi lehtësues i dialogut Prishtinë-BeogradNë këtë rrafsh, Thaçi tha se Kosova duhet ta shfrytëzojë momenumin historik, pasi që është një rol dhe interesim në rritje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump që të përmbyllet ky proces me marrëveshje paqësore.
"Takimi në Uashington është i rëndësishëm sepse e lehtëson apo mund ta bëjë edhe me të afërt arritjen e marrëveshjes. Takimi i bën me reale gjasat që diçka e tillë e munguar që dy dekada të mund të arrihet në Uashington", tha presidenti i Kosovës.
“Kemi përkrahjen e plotë të presidentit Trump, vëmendjen e plotë të të ngarkuarit special me punë, ambasadorit Grenell. Kemi mundësinë për të përmbyllur një herë e përgjithmonë kapitullin e luftës, të konfliktit dhe armiqësisë", tha Thaçi.
SHIKONI EDHE: Thaçi vazhdon takimet, qeveria kërkon koordinimThaçi kërkoi edhe unitet politik në Kosovë, ngjashëm me proceset e kaluara negociatore, në mënyrë që çështjet në dialogun me Serbinë t’i përmbyllë me një unitet të brendshëm politik.
"Ky është momentumi i ri, mundësi e re të cilën ne të gjithë si institucione, si politikë si shoqëri duhet ta shfrytëzojmë. Lëshimi i këtij momentumi nënkupton çmim. E para qe duhet të bëjmë është të jemi unik të bëhemi bashkë të gjithë ne në Kosovë, i tërë spektri politik dhe institucional”, theksoi Thaçi.
Sipas presidentit të Kosovës, në SHBA atij i janë premtuar qindra miliona dollarë investime në Kosovë e rajon, në rast të përmbylljes me sukses të procesit të bisedimeve me Serbinë. Aq më tepër kur marrëveshja, theksoi Thaçi, po premtohet se do të jetë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe do t’i garantojë asaj anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe perspektivë integruese në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Takimi i Uashingtonit në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë besoj se do të jetë takimi dhe momenti i kthesës kritike dhe pozitive që nën udhëheqjen e SHBA-së dhe lidershipit të presidentit Donald Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Richard Grenell të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt”, theksoi Thaçi.
“Prandaj, këtë momentum dhe këtë mundësi nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojnë edhe Kosova edhe Serbia për arritjen e paqes si garanci për paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti i Kosovës.
Vuçiq: S’ka asnjë marrëveshje
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media në Beograd, ka folur në lidhje me takimin e Uashingtonit, duke hedhur poshtë, siç tha ai, disa informacione jozyrtare se Serbia ka rënë dakord me perëndimin për një zgjidhje përfundimtare për çështjen e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Nuk ka plan për Kosovën“Ditëve të fundit ka pasur shumë lajme të rreme për atë se si bëhen marrëveshjet e mëdha dhe për atë se si plani tashmë është hartuar. Nuk ekziston asnjë plan i madh dhe asnjë marrëveshje e madhe”, tha Vuçiq.
Ai përsëriti se kushti i tij është që të mos ketë bisedime thelbësore me Prishtinën, derisa të hiqet taksa 100 për qind që Kosova u ka vënë mallrave serbe.
“Sa u përket çështjeve taktike, në Uashington kemi diskutuar për të ashtuquajturin “Mini-Shengen”, lëvizjen e shpejtë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, si dhe për ndërtimin e autostradës dhe vendosjen e linjës hekurudhore dhe ajrore”, është shprehur Vuçiq.
Kurti fton Thaçin në takim -Thaçi fton Kurtin
Ndërsa po flasin për finalizimin e dialogut me Serbuinë dhe arritjen e një marrëveshjeje, liderët institucionalë në Kosovës, janë duke vazhduar me mospajtimet e tyre, lidhur me procesin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ridërguar një letër për një takim presidenti Thaçi, për siç është thënë, koordinim të politikës së jashtme të Kosovës, por ky i fundit nuk i është përgjigjur ftesës.
"Prezantimi i Republikës duhet të jetë i njëzëshëm dhe se dallimet duhet të mbesin brenda vendit duke mos ndikuar kur e përfaqësojnë atë", thuhet në ftesë e Kurtit dërguar presidentit Thaçi.
Në anën tjetër, Thaçi ka thënë se ai do t’i ftojë të gjithë liderët e institucioneve dhe partive politike, përfshi edhe liderin e Vetëvendosjes (kryeministrin Kurti) në një takim të përbashkët.
"Unë do të takohem dhe do t'i ftoj për takim të gjithë liderët e partive politike duke përfshirë edhe liderin e Vetëvendosjes dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe të Partisë Demokratike të Kosovës edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës edhe atë të Nismës edhe zotin (Behgjet) Pacolli edhe gjithë të tjerët", ka deklaruar Thaçi.
Të gjitha këto takime, janë paralajmëruar se do të shtyhen pas datës 9 mars, nëse eventualisht do të mbahen.