Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.
Por, këto masa, të cilat çojnë hap pas hapi deri te heqja e taksës me kushte të caktuara, nuk janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter, ka shkruar se "nuk i mbështetë masat gjysmake të kryeministrit Kurti".
"Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz - dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë", ka shkruar Grenell.
Në anën tjetër kryeministri Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, "është një shenjë e vullnetit të mirë".
"Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti.
Për dallim nga qëndrimi i SHBA-së, Bashkimi Evropian e ka mirëpritur propozimin e kryeministrit të Kosovës, për nisjen e heqjes së tarifave për për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina.
Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përmes një komunikate ka thënë se “ky hap mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një hapje për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
“Besimi duhet të rikthehet urgjentisht. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis të favorshëm që dialogu të rifillojë, në dobi të të dyjave palëve”, thuhet në komunikatë.
Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.
SHIKONI EDHE: Bashkimi Evropian mirëpret njoftimin e Kurtit për tarifatKryeministri Albin Kurti, ka thënë se nëse pala serbe dëshmon përkushtimin në ndalimin e fushatës jomiqësore ndaj Kosovës dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave tregtare jotarifore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do ta heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina për një periudhë prej 90 ditëve.
Kurt ka theksuar që Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë lartë vendimin e palës së Kosovës për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, duke e ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit, që do të mbahet më 7 maj 2020.
Ai ka shtuar që në rast se Serbia nuk e përfillë vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë, nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, "atëherë, Qeveria e Kosovës, me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë dhe më pastaj edhe në fushën ekonomike dhe atë politike”.
Në rast se pala serbe nuk reflekton gjatë periudhës prej 90 ditësh, siç ka thënë kryeministri Kurti, “Qeveria e Kosovës, nga data 15 qershor,do ta rikthej tarifën për importet nga Serbia, ndërkaq që do të vazhdohet edhe zbatimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit”.
Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të dalin me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë përfitimet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike, mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët, si dhe të listojnë pasojat për palën jobashkëpunuese në proces.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, tha se mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe sipas tij, e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë.
"Edhe kërkesa ime e qartë si president për qeverinë, për spektrin politik dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës është që pa humbur kohë të merren vendimet e duhura strategjike, të cilat i japin fund izolimit, i hapin mundësi dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe e forcojnë miqësinë e përhershme dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-në. Hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme është i panevojshëm, sepse këto vendime janë rruga e vetme për t’i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike", thuhet mes tjerash në postimin e tij.
Vuçiq: Masat e Kurtit - “përpjekje për mashtrim”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar si një tentim për mashtrim propozimin e kryeministrit të Kosovës për heqjen e pjesshme të taksës, nisur nga shfuqizimi i tarifës për importimin e lëndës së parë nga Serbia.
Ai tha se ambasadori Grenell kishte të drejtë kur tha se nuk i mbështetë masat e Kurtit, kurse për reagimin e BE-së tha se është krejt në rregull.
“Këto mashtrime, Kurti le t’ia shes dikujt tjetër. Ai guxoi të thoshte se do të hiqte taksat për lëndën e parë. Për të hequr taksën mbi grurin tonë, të cilin po e blen me një çmim 20 euro më të ulët për ton sesa nga Maqedonia e Veriut”, tha Vuçiq para gazetarëve gjatë një vizite që po i bënte një shkolle fillore në Gornji Milanovac.
Ai shtroi çështjen se përse nuk është thënë se do të hiqet taksa edhe ndaj prodhimeve finale serbe, si “çokollata serbe, biskotat, pluhuri i gatimit..., këto nuk iu interesojnë, aty ku serbët mund të kenë ndonjë fitim", tha Vuçiç.
Ai tha se Beogradi do të flas për këto çështje kur Prishtina heq tarifat plotësisht.
Hoti: Masat nuk janë dakorduar në qeveri
Koalicioni qeverisës, i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka treguar unitet të plotë në lidhje me taksën. Ka më gjatë se një javë që zyrtarët e LDK-së i kanë bërë thirrje Kurtit të mbledh qeverinë dhe të shfuqizojë taksën. Kurse pas vendimit të fundit, të cilin Kurti e bëri publik përmes një konference për media, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë në emisionin Pressing të T7 se LDK nuk do të mbetet në qeverinë aktuale nëse taksa nuk hiqet pa kushte.
Kurse në lidhje me vendimin e prezantuar nga Kurti, zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti tha se ai nuk është qëndrim i dakorduar në koalicionin qeverisës.
“Unë kam qenë në dakordim për t’i diskutuar kushtet. Nuk është qëndrim i dakorduar nga ne vendimi i Kurtit lidhur me taksën”, ka thënë Hoti. Sipas marrëveshjes së koalicionit, ai tha se tarifa duhej zëvendësuar me reciprocitet.
“Pjesë e marrëveshjes së koalicionit është të hiqet tarifa dhe të zëvendësohet me masat e reciprocitetit nëse Serbia nuk reflekton me heqjen e pengesave”, tha Hoti.
“Kërkesa jonë ka qenë të ulemi dhe të dakordohemi lidhur me çështjen e takës. Ne jemi qeveri dhe duhet konsensus që vendimet e qeverisë të merren së bashku. Besoj se duhet ulemi të bisedojmë”, shtoi Hoti.
Kurse kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se është me rëndësi që partnerët e koalicionit të ulën dhe të diskutojnë detajet në mënyrë që të merren vendime të përbashkëta.
“Ajo çka është me rendësi është që unë shohë bashkëpunim shumë të mirë nga ana e partnereve të koalicionit dhe po ashtu shoh që të dy partneret koalicionit e kanë qëllimin e përbashkët dhe ai qellim i ka dy parime themelore e para është mbrojtja e interesave të vendit dhe e dyta është mbrojtja e partneritetit me SHBA-t dhe BE-ne i cili është ekzistenciale për ecjen përpara të vendit tonë”, ka thënë Osmani.
Ajo është shprehur e bindur se pavarësisht dallimeve mes partnerëve të koalicionit qeverisës, megjithatë do të ruhen interesat e Kosovës dhe partneriteti i me vendet që Kosova i konsideron shtete mike.
Propozimet e Kurtit erdhën pas thirrjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që taksa të shfuqizohet në mënyrë që të vazhdojë dialogu për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sipas një komunikate për media të lëshuar pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, ka theksuar se pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentumin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.
Veseli e Haradinaj kritikojnë Kurtin
Ndërkohë, në Prishtinë i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i cili, përmes një postimi në Facebook, e ka konsideruar këtë vendim "dorëzim para Serbisë".
"Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia", tha Haradinaj.
Kurse kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka shkruar në facebook se vendimi i Kurtit, nuk ishte asgjë e re.
"Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar", ka shkruar Veseli.
"Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët", shkroi Veseli.
Analistët: Masat gjysmake - lehtësuese apo komplikuese për dialogun?
Analistët politikë kanë shprehur pikëpamje të ndryshme në lidhje me propozimin e kryeministrit Kurti. Çështja, sipas tyre, shtrohet nëse këto masa paraqesin vetëm heqje të taksës apo edhe komplikim të situatës dhe dialogut.
Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se propozimi i kryeministrit Kurti nuk nënkupton heqjen e tarifës prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, por një proces të kushtëzuar për heqjen ose suspendimin e kësaj tarife.
“Ai (Kurti) kërkon gjithashtu edhe vendosjen e reciprocitetit. Ky vendim i qeverisë – nëse do të jetë vendim i partnerëve të koalicionit – bie ndesh me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kërkojnë që tarifa doganore e vendosur nga Qeveria e Kosovës, të hiqet tërësisht dhe pa kushte, si dhe që të mos ketë asnjë reciprocitet, si masë ndëshkuese ose zëvendësuese për tarifën”, tha Tahiri.
Kurse analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që propozimi i kryeministrit Kurti për çështjen e heqjes së tarifës prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, është racional dhe i bazuar në domosdonë që Kosova ta heqë nga vetja stigmën se po e bllokon dialogun.
“Unë konsideroj që nuk do të ishte e drejtë që Kosova ta largonte tarifën pa asnjë kushtëzim dhe pa asnjë kërkesë, sepse kjo do të trajtohej si një disfatë e madhe politike e Kosovës. Kështu që, me këtë lloj ambalazhimi të heqjes së tarifës, me kërkesa legjitime, mendoj që është gjetur një mes i artë në raport me kërkesat maksimale për heqje të tarifës pa ndonjë kushtëzim dhe vazhdimit të qëndrimit të tarifës 100 për qind”, theksoi Muhaxhiri.
Ai shtoi se miratimi i propozimit të Kurtit nga Qeveria, e cila përbëhet nga partnerët e koalicionit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, do të ishte sinjal se Kosova është e gatshme dhe e vullnetshme për të hyrë në etapën e fundit të dialogut me Serbinë.
Por, ndryshe mendon politologu Tahiri. Sipas tij, kryeministri Kurti, me propozimin e tij për heqjen e tarifës, jep sinjale se po tenton që të blejë kohë.
“Nuk po e di se çka po i duhet kjo kohë. Në krahasim me çka? Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe miqtë tjerë ndërkombëtar, kanë kërkuar që tarifa të hiqet, të fillojë normalizimi i marrëdhënieve dhe të fillojë dialogu. Ndërsa me këto kushtëzime, që do të zgjasin diku deri me 15 qershor – ashtu siç shihet masa e reciprocitetit, heqja e njërës dhe vendosja e tjetrës – dhe pastaj fillojnë pushimet e verës. Për këtë vit, duket gati se i pamundshëm procesi i dialogut”, vlerësoi Tahiri.
Historia e Tarifës
Tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj.
SHIKONI EDHE: As taksë, as reciprocitet, por ambient të barabartë afaristQë nga atëherë, Beogradi zyrtar ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pa heqjen e kësaj tarife.
Ashtu si qeveria e ish-kryeministrit Haradinajt, edhe qeveria e re e kryeministrit Kurti është përballur me kërkesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës, si kusht për rifillimin e dialogut Kosovë - Serbi, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve.
Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.
Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.