Rasti “veteranët”, mbetet i paqartë numri i përfituesve të pensionit

Foto nga arkivi - Protestë e veteranëve të luftës

Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thonë se rreth dy mijë persona, kryesisht ata që kanë falsifikuar dokumentet për ta fituar statusin e veteranit të luftës, janë larguar nga lista e pëfituesve të pensionit. Por, këto të dhëna nuk janë konfirmuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila nuk ka informacione se dikush është larguar nga lista e pensionit të veteranit të luftës.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka rënë dukshëm numri i personave që tash nuk marrin pensione. Nga shifra prej rreth dy mijë vetave, sa ai mendon se janë larguar nga lista, Gucati thotë se 400 prej tyre ishin nga Shqipëria.

"Rreth dy mijë (2.000) veta janë larguar nga pagat. Njëzet (20) veta janë persona që janë zënë me certifkata dhe vendime false (të rreme), ata veç janë duke e vuajtur dënimin dhe janë të regjioneve të ndryshme, të komunave të ndryshme. Kështu që kjo është reale. Muajin e kaluar 2, mijë veta nuk kanë marrë paga fare se janë të larguar nga listat", tha Gucati.

SHIKONI EDHE: Kundërshtohet amnistia për veteranët 'mashtrues'

Gucati, tha se në muajin dhjetor 2019, pensione kanë marrë më shumë se 37 mijë veteranë.

"Deri vonë, pensione kanë marrë mbi 39 mijë, tash ka ra numri në mbi 37, mijë. Do të thotë prokuroria është duke punuar. Ne e kemi përkrahur prokurorinë edhe më herët, do ta përkrahim edhe tash se për ne është mënyra më e mirë që ka filluar puna gradualisht, pa zhurmë, që po largohen nga listat e pensioneve ata që se meritojnë", tha Gucati.

Në anën tjetër, në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale thonë se pavarësisht hetimeve, ministria nuk është e informuar zyrtarisht nga askush lidhur me largimin nga lista të asnjë personi që ka marrë më herët pension.

Në këtë ministri, thonë se shifrat bazohen në Draftin e Listës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës.

"Nga lista e përfituesve të pensionit të veteranit të luftës nuk është larguar asnjë shfrytëzues, si mashtrues, apo siç po quhen “veteran të rrejshëm”, pasi që në këtë departament nuk ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare nga organet kompetente për ndërprerje të pensionit. Ligjërisht derisa ne nuk kemi asnjë shkresë të tillë zyrtare, nuk mund të largohet askush nga lista", tha Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në një përgjigje me shkrim.

Sipas të dhënave nga kjo ministri, në muajin dhjetor të vitit 2019, në skemën e përfituesve të veteranëve të luftës kanë qenë 38,101 veteranë, kurse në janar të këtij viti në listën e pagese janë 38,156 përfitues të kësaj skeme, që nënkupton shtimin e numrit të përfituesve dhe jo pakësimin e tyre.

Ndërkohë, Hysni Gucati thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk e din se si janë raportet e bashkëpunimi mes ministrisë apo qeverisë dhe mekanizmave të tjerë për për ketë çështje, por ai shprehet i bindur që më shumë se dy mijë persona janë larguar nga lista.

Gucati tha se as shoqata që ai përfaqëson, nuk ka arritur të sigurojë një listë finale të personave që marrin pension si veteran.

"Listat nuk na i kanë dhënë, i kam kërkuar disa herë. Kam kërkuar të di sa marrin paga edhe sa kanë hyrë gjatë këtij vit. Kështu që mua, zyra për këtë çështje, që është pranë kryeministrisë, nuk më ka dhënë asnjëherë përgjigje", tha Gucati.

Prokuroria Speciale e Kosovës, nga provat e siguruara ka vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë eurosh.

SHIKONI EDHE: “Lojë pingpong” e Prokurorisë dhe Gjykatës me rastin e veteranëve

Kjo Prokurori ka njoftuar kohë më parë se “ka ngritur aktakuzë, të cilën e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si 'veteranët', në drejtim të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria e Shtetit ka thënë se numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga kjo kategori, mund të jetë deri në 19 mijë veta.

Një numër kaq i madh i përmendur nga Prokuroria, kishte nxitur reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke thënë se në këtë listë më numër kaq të madh të personave, kishte edhe emra të shumë ish-luftëtarëve që kanë luftuar nën emblemën e UÇK-së.

Kjo organizatë ka shprehur zhgënjimin lidhur me atë se si si prokuroria ka bërë gabime të tilla, duke kërkuar përmirësim të menjëhershëm të listave.

Hetimet po zhvillohen në rajone të ndryshme të Kosovës. Kështu vetëm në Prokurorinë Themelore në Prizren kanë thënë për Radion Evropa e Lirë së se janë duke u hetuar rreth 150 persona.

"Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se, sa i përket rasteve të manipulimeve me listat e veteranëve, në Prokurorinë Themelore në Prizren janë duke u hetuar rreth 150 persona. Prokuroria është akoma në fazën fillestare të grumbullimit të informacioneve dhe provave të nevojshme, dhe se për rastet në fjalë do të veprohet konform dispozitave ligjore", thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Po në Prizren, Gjykata Themelore tha për Radion Evropa e Lirë se janë të informuar për 32 raste, por që ende nuk ka një vendimi gjykimi.