Maqedonia e Veriut fillon procedurat për autostradën Shkup - Bllacë

Foto nga arkivi - ndërtimi i autostradës "Arbën Xhaferi"

Afaristët në Maqedoninë e Veriut, thonë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të përshpejtojë procedurat për fillimin e ndërtimit të autostradës Shkup- Bllacë si pjesë e autostradës "Arbën Xhaferi", pasi në të kundërtën çdo ditë e humbur paraqet goditje për biznesin.

Ndërkohë, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se punohet me intensitet në tejkalimin e problemeve për fillimin e punimeve për ndërtimin e këtij aksi rrugor.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, thotë se tanimë janë paraqitur tri kompani për të ndërtuar 2 kilometrat e para dhe pas kësaj pritet të fillojnë punimet që në fillim të vitit 2020.

“Për momentin është duke u bërë evaluimi i ofertave të interesuara për ndërtimin e kësaj rruge. Për herë të parë po ndaj me ju se ka tre kompani të interesuara që kanë dorëzuar ofertat e tyre dhe pritet që pas evaluimit të ofertave jam i bindur se gjatë vitit të ardhshëm do të fillojnë punimet për ndërtimin e dy kilometrave të para të kësaj rruge".

"Paralelisht jemi duke e punuar dhe projektin bazë për 10 kilometrat e tjera kështu që në një afat shumë të shkurtër ne do të kemi dhe autostradën që do të lidhë Shkupin me Bllacën dhe në atë mënyrë me siguri do të afrohemi dhe me Kosovën”, thotë Bekteshi.

Ndryshe autostrada Shkup - Bllacë e cila duhet të ketë katër tunele dhe tetë ura, do të kushtojë 110 milionë euro, e që sipas paralajmërimeve korsitë do të jenë të gjëra 3.5 metra, ndërsa gjerësia në një drejtim do të jetë 10.25 metra.

SHIKONI EDHE: Autostrada Shkup-Bllacë ende në fazën e projektimit

Autoritetet qeveritare kanë premtuar se autostrada Shkup-Bllacë e cila do të lidhë Kosovën, do të përfundojë në vitin 2023.

Por për afaristët është e pakuptimtë që më shumë se një dekadë të flitet për një aks rrugorë që është vetëm 12 km , e që realisht mund të përfundohet për gjysmë viti

Ish-kryetari i Lidhjes së Odave të Maqedonisë, Mirçe Çekrexhi, për Radion Evropa e lirë, thotë se zhvillimi i ekonomisë përkatësisht këmbimi tregtar është ngusht i lidhur me gjendjen e rrugëve, andaj prioritet duhet të jetë infrastruktura me vendet fqinje, duke pasur në fokus Kosovën për shkak të suficitit të lartë që ka Maqedonia e Veriut me këtë vend fqinj".

“Kjo rrugë në drejtim të Kosovës si partner shumë i rëndësishëm ekonomik, veçanërisht për faktin se me ketë shtet fqinj kemi suficit, autoritetet shtetërore duhet që të fillojnë sa më shpejtë me ndërtimin dhe përfundimin e saj. Bëhet fjalë për 12 kilometra e cila rrugë me të gjitha procedurat mund të përfundohet për më pak se gjysmë viti nëse nuk taktizon politika”, thotë Çekrexhi.

SHIKONI EDHE: Barrierat ekonomike sfidojnë bashkëpunimin tregtar në rajonin e Ballkanit

Afaristët thonë se përveç infrastrukturës, që shihet si një problem kryesor, kompanitë përballen edhe me pengesa në dogana dhe me pritje të gjata në kufi duke theksuar se kanë pësuar dëme të mëdha veçanërisht për shkak të barrierave tregtare mes dy vendeve.

Por, ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë se ato tanimë i takojnë të kaluarës dhe se në komunikimin e drejtëpërdrejtë javor që ka me homologun e tij në Kosovë, synohet të krijohen kushte më të volitshme për këmbimin tregtar mes dy vendeve.

“Jam i bindur se bashkërisht do të gjejmë zgjidhje që barrierat tregtare, t'i shndërrojmë në një komunikim sa më të madh në shkëmbim sa më të madh në mes dy vendeve për shkak se ne jemi dy vende fqinje dhe ka shumë vend që ne edhe më shumë të rrisim shkëmbimin tregtar, por pse jo edhe investimet e ndërsjella në mes dy vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, ka shtuar Bekteshi.