Ndërlidhjet

Autostrada Shkup-Bllacë ende në fazën e projektimit


Autostrada "Arbën Xhaferi"
Autostrada "Arbën Xhaferi"

Autostrada Shkup-Bllacë nuk do të jetë gati as në vitin 2019 ndërkohë që ndërtimi i saj premtohet për plotë 17 vite apo nga viti 2002.

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, në veçanti ato që drejtohen nga shqiptarët, në vazhdimësi kanë dhënë afate mbi nisjen e punimeve për këtë segment rrugor që konsiderohet si shumë i rëndësishëm si për bizneset ashtu edhe për qarkullimin e njerëzve, por në terren gjërat nuk kanë lëvizur nga pika zero.

Edhe për këtë vit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dalë me premtimin se më së voni në vjeshtë do të nisin punimet për 2 kilometrat e parë nga gjithsej 12.5 kilometra sa është paraparë të ketë gjatësi apo deri në lidhjen e saj me autostradën e korridorit 8.

Ndërtimi i autostradës do të kushtojë 100 milionë euro, mjete këto të siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Këto ditë presim që të marrim projektin për autostradën Shkup-Bllacë dhe në muajin qershor të shpallet tenderi për caktimin e kompanisë që do të realizojë punimet. Kjo procedurë presim që të përfundojë në muajt korrik apo gusht".

"Kështu që, ndërtimi i dy kilometrave të parë të kësaj autostrade presim të nis nga vjeshta e këtij viti. Pas përfundimit të punimeve për fazën e parë, presim që më pas të nisim punimet edhe për 10.5 kilometrat e tjerë. Procedurat për fazën e dytë presim të mbyllen deri në fund të vitit që vitin e ardhshëm të nisin punimet dhe të përfundojë ky projekt”, ka deklaruar Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.

Autostrada, sipas projektit të paralajmëruar nga Qeveria, do të ketë në trase të re dhe do të ketë katër tunele dhe tetë ura.

Zvarritja e ndërtimit të saj në vazhdimësi është kritikuar nga komuniteti i biznesit, nga partitë opozitare por edhe nga faktor të tjerë që kanë lidhje qoftë afariste apo familjare me Kosovën.

​Sipas ekspertëve Maqedonia e Veriut duhet t'i kushtojë vëmendje të veçantë raporteve më Kosovën për shkak të përfitimeve të mëdha që ka në sferën e ekonomisë, por edhe lidhjeve të familjare të një pjese të madhe të popullatës.

“Maqedonia partner tregtar të vetmin ku ka suficit apo shkëmbim tregtar pozitiv e ka Kosovën dhe normalisht se autostrada nga ana e Maqedonisë do të përshpejtonte zinxhirin e furnizimit me mallra dhe shërbime drejt Kosovës. Ndryshe, nëse nuk do të kenë mundësi që këtë ta bëjnë përmes kësaj rruge, atëherë do të mundohen të gjejnë alternativa tjera si nga Shqipëria e vende tjera".

"Normalisht këtu kemi edhe Serbinë e cila po ndërton korridoret e saj dhe kuptohet se ajo ka interes ekonomik që të zë vendin e saj. Pra, nëse ne do të ngelin pas këtyre investimeve kapitale do të humbin gjithë avantazhin që kemi pasur deri më tani”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Visar Ademi, njohës I cështjeve ekonomike.

Në raportet ekonomike me Kosovën, Maqedonia e Veriut në vazhdimësi ka pasur shkëmbim të favorshëm tregtar.

Sipas të dhënave Ministrisë së Ekonomisë, në pesë muajt e fundit apo nga nëntori i vitit të kaluar e deri në mars të këtij viti, në tregun kosovar janë eksportuar mallra në vlerë prej 103.3 milionë euro dhe krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është shënuar rritje të eksportit për 25.7 milionë euro apo 33%.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG