Selami Hoti nga fshati Krushë e Madhe, që ndodhet rreth 70 kilometra në jugperëndim të Prishtinës, ka më gjatë se 20 vjet që kërkon një lajm dhe të vërtetën për babën e zhdukur më 1999. Gjithë këto vite, thotë ai, janë plotë mundim e stres për të dhe familjen e tij.
Aktualisht, janë edhe 1,600 persona për fatin e të cilëve nuk dihet ende asgjë që nga mbarimi i luftës e këndej. Emrat e këtyre personave, figurojnë në listën e personave të pagjetur, përkatësisht të pagjetur të luftës. Ndërkohë, familjarët e tyre, ndonëse fajësojnë në radhë të parë Serbinë për jogatishmëri rreth ofrimit të informacioneve për zbardhjen e fatit të këtyre njerëzve, nuk e fshehin as zhgënjimin e tyre me punën e institucioneve përgjegjëse në Kosovë.
Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë, se fajtori kryesor për moszbardhjen e fatit të personave të pagjetur janë autoritetet në Beograd, pasi që sipas tij, atje e dinë saktësisht se çka ka ndodhur me personat që mungojnë që nga lufta e fundit.
"Administrata serbe vazhdimisht luan në bisedime me Kosovën dhe minimizon këtë dhe tanimë shihet qartë se nuk i lë përshtypje fare kjo punë, pasi që Serbia nuk e ka presionin e duhur as nga qeveritë tona të pasluftës, por as edhe nga qeveritë evropiane", tha Hoti.
Ai thekson se për familjen e tij, por edhe familjet e tjera që kanë persona të pagjetur, pritjet janë të mëdha e edhe të mundimshme.
Hoti kërkon sidomos nga faktori ndërkombëtar që të bëjë më shumë presion të pala serbe për tu mbyllur kjo çështje dhe të zbardhet fati i të pagjeturve.
"Është një proces i lodhshëm, i gjatë, i mundimshëm i cili na ka kushtuar shumë strese të vazhdueshme me familje. Na mbajnë me vesh në krahë. Është një proces i cili, siç shihet, nuk do t'i dihet fundi, pasi që secili qytetar ivrarë, i zhdukur apo i kidnapuar, varësisht nga forma se si është vepruar, është një histori më vete", tha Hoti.
SHIKONI EDHE: Serbia duhet të japë llogari për personat e pagjeturDrejtues të Asociacionit të Shoqatave të Familjarëve të Personave të Pagjetur, kanë vlerësuar se puna e të dyja delegacioneve për të pagjeturit, si nga ana e Prishtinës, ashtu edhe Beogradit tashmë është shterur dhe se, sipas tyre, kjo çështje duhet të kalojë në nivele të Bashkimit Evropian.
Ibrahim Makolli, kryesues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e të pagjetur në grupin punues, tha për Radion Evropa e Lirë, se në kuadër të dialogut për çështjen e personave të pagjetur i cili është aktiv që nga viti 2005, janë bërë dhe po bëhen përpjekje maksimalepër marrjen e informatave nga Serbia për çështjen e personave të pagjetur.
"Për fat të keq, tash e disa vjet po përballemi me numër të vogël të gjetjeve, në veçanti si rezultat i informatave të besuara e të cilat ne jemi të vetëdijshme se ekzistojnë në arkivat, qoftë të policisë apo të ushtrisë së Serbisë", tha Makolli.
SHIKONI EDHE: Dëshmitarët po vdesin, rrezikohet ndriçimi i krimeve të luftës në KosovëSipas tij, autoritetet në Serbi, gjatë luftës në Kosovë kanë vepruar në bazë të planeve dhe siç thotë Makolli, Serbia ka informata të bollshme për personat të cilët konsiderohen të pagjetur, por nuk i ofron ato te institucionet e Kosovës.
"Në kohën e luftës është vepruar nga ana e institucioneve dhe në këtë kuadër nuk besoj se ka ndodhur ndonjë veprim pa miratimin, pa dijeninë dhe zbatimin e institucioneve shtetërore", tha Makolli.
Makolli ka njoftuar se brenda dy javëve të ardhshme pritet të mbahet takimi i radhe mes delegacioneve nga Kosovës dhe Serbia nën udhëheqjen e Komitetit Ndërkombëtare të Kryqit te Kuq.
Anëtarët e delegacionit të Kosovës në dialog me Serbinë për çështjen e personave të pagjetur, kanë deklaruar se ekipe të caktuara nga Kosova gjatë këtij viti kanë bërë kërkime në disa lokacione në Rashkë të Serbisë, te vendi i quajtur Kizhevak, për varreza masive, por deri më tash nuk ka pasur rezultate.
Nga ana tjetër, në Kosovë, nga gërmimet e bëra në vende të ndryshme, deri më tash në këtë vit janë gjetur mbetjet trupore të dhjetë personave.
SHIKONI EDHE: Vitet e dhembjes, shpresës dhe zhgënjimitPas marrjes së disa informacioneve nga qytetarët, Policia e Kosovës njësia për krime lufte bashkë me Prokurorinë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore, të martën do të nisin gërmimet për një varrezë në një lokacion në Prishtinë, konkretisht në kompleksin e Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina".
Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe anëtar i Grupit dialogues të Kosovës për persona të pagjetur, tha për Radion Evropa e Lirë, se gërmimet do të vazhdojnë dhe se gjithçka, sipas tij është gati. Ai nuk ka dashur të flasë për dyshimet që kanë shtyrë autoritetet të gërmojnë në këtë hapësirë, por tha se pret të sheh se çka do të ndodh.
Sa i takon çështjes së të pagjeturve, ai thotë se adresa për të pagjeturit është Serbia.
"Adresa është të pala serbe edhe pse kanë kaluar 20 vjet dhe se informatat janë mplakur dhe procesi ngadalësohet", tha Gerxhaliu.
Video nga arkivi: Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?
Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të pagjetur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë. Këto shifra janë publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.
Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Përfundimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999, rezultoi me evidentimin e 6 mijë e 50 personave të pagjetur. Rreth 70 për qind të këtyre personave, tashmë janë gjetur në varrezat masive në Kosovë dhe Serbi, ndërkaq që fati dhe vendndodhja edhe e 1 mijë e 600 personave të tjerë, mbeten të pandriçuara.