Ndonëse me Ligjin për kundërvajtje nuk parashihet që personat e gjobitur për shkelje të rregullave të komunikacionit të dënohen me burgim, shumë persona në Kosovë vazhdojnë të burgosen për të shlyer gjobat e shqiptuara.
Zyrtarët në Gjykatën Themelore në Prizren, konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se për vite me radhë, gjykata ka marrë vendime lidhur me këtë çështje dhe ato janë ekzekutuar.
"Te aktgjykimet e plotfuqishme ka edhe dënime të shqiptuara për vepër penale, rrezikim i trafikut publik e po ashtu edhe për vepër penale vjedhje e pyllit të cilave si dënim kryesor i është shqiptuar dënimi me gjobë e për shkak të mospagesës së të njëjtës nga ana e të dënuarve, gjykata dënimin me gjobë e ka zëvendësuar me dënim me burg, gjithmonë duke u bazuar në dispozitat e Kodit Penal", tha Afërdita Kicaj, zyrtare për informomim në Gjykatën Themelore në Prizren.
Kicaj tha se gjobat apo dënimet të cilat nuk janë paguar me para, e qe janë shqiptuar si dënime me burgim, kanë qenë të vlerave të ulëta të parave, por siç thotë ajo ka pasur edhe dënime të larta.
Po ashtu, edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se në burgje për shkak të mospagesës së gjobave në trafik janë disa persona.
"Aktualisht në institucionet korrektuese, janë dy persona të cilët për shkak të mospagesës së gjobës janë të detyruar që pagesën ta shlyejn me burg", thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
SHIKONI EDHE: Për nëntë muaj, 76 të vdekur në aksidente trafikuMe hyrjen në fuqi të Ligjit për Kundërvajtje i cili ka nisur të zbatohet që nga viti 2017, zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë ishin zotuar se me hyrjen në fuqi të Ligjit do të rritet edhe përgjegjshmëria për pagesën e gjobave.
Arrita Rezniqi nga Institutii i Kosovës për Drejtësi, thotë se gjykatat në rast të shqiptimit të dënimeve me burgim për shkak të një gjobe për kundërvajtje, janë duke bërë shkelje madje edhe kushtetuese.
"Çështja e dënimit me burgim për rastet me kundërvajtje është paraparë se është shkelje e Kushtetutës, prandaj edhe është hequr dënimi. Kështu që nuk duhet që të ketë dënime me burgim për personat të cilët nuk i paguajnë gjobat e kundërvajtjeve", tha Rezniqi.
Ajo thotë se gjykatat në gjithë vendin i kanë dispozitat e ndryshme ligjore në fuqi që mund t'i shfrytëzojnë dhe të mos i shndërrojnë gjobat e kundërvajtjes me burgim.
"Për shembull, kur flasim për rastet e shpenzimeve procedurale ose të ngjashme, vlen ligji tjetër që shkojnë në procedurë përmbarimore. Në këto raste duhet të shfrytëzohen të gjitha këto dispozita të ligjit që janë në fuqi që u mundësojnë aty ekzekutimin e gjobave pastaj. Do të thotë, nuk ka nevojë as për dënimin me burgim, por nuk ka nevojë as që të lihet nën mëshirën e atyre vetkryesve, por duhet që të përdorën të gjitha mekanizmat që i ofron legjislacioni pozitiv në fuqi", tha ajo.
SHIKONI EDHE: Për një vit, 400 mijë gjoba për kundërvajtje në trafikDrejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është e drejtë që një person i cili ka një gjobë trafiku të shkojë në burg.
"Nuk kemi ne raste që duhet të shkohet në burg për një gjobën 25 euro, sepse 25 euro kushton një natë qëndrimi në burg dhe nuk ka llogari të mbaj. Por, duhet të gjendet dhe duhet të zbatohet një mënyrë alternative e realizimit të dënimit e ajo është për shembull ta bëjë një punë për komunitetin në vlerën e gjobës së shqiptuar dhe kështu ata do ta shlyejnë gjobën dhe nuk do të detyroheshin as të shkojnë në gjykatë e as në burg dhe nuk ka logjikë që dikush të dërgohet në burg për 25 euro", tha Shala.
*Video nga arkivi: Patrullimi i Policisë me vetura civile
Shala tha se në burg duhet të dërgohen personat të cilët nuk respektojnë vendimet e gjykatës.
"Nëse jeni shkelës të ligjit dhe vazhdoni ta shkelni ligjin edhe me tutje duke mos e përfillur gjykatën, atëherë është normale që çdo shtet ligjor e ndërmerr një veprim të tillë, kështu që as Kosova nuk bën përjashtim në ketë drejtim", tha Shala.
Ndryshe, njohësit e çështjeve të sigurisë kanë thënë po ashtu se shumë nga personat që marrin gjoba për kundërvajtje, zgjedhin që borgjin ta shlyejnë me burg, në mënyrë që t’i ikin pagesës, që shpesh thuhet se mund të ndërlidhet edhe me gjendjen e tyre ekonomike.