India ia merr autonominë Kashmirit, reagon Pakistani

KASHMIR

Qeveria e Indisë ka revokuar një pjesë të Kushtetutës që i jep statusin e veçantë rajonit të Kashmirit të administruar nga India.

Neni 370 është i ndjeshëm sepse garanton një autonomi të konsiderueshme për Kashmirin me shumicë myslimane. Ky nen i lejon këtij vendi të ketë Kushtetutën e vet, një flamur të veçantë dhe pavarësi për të gjitha çështjet, përveç punëve të jashtme, mbrojtjes dhe komunikimeve.

Veprimi ka gjasë të ngjallë trazira, pasi ndaj këtij rajoni, kanë apetite India dhe Pakistani.

Të dyja vendet kanë pretendime atë rajon në mënyrë të plotë, por kontrollojnë vetëm pjesët e tij.

SHIKONI EDHE: Pakistani akuzon Indinë për organizim të sulmeve të reja

Mijëra trupa indiane ishin dërguar në rajon, përpara njoftimit, duke u thënë turistëve të largoheshin.

Fuqitë bërthamore India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra dhe një konflikt të kufizuar mbi Kashmir që nga viti 1947.

Çfarë deklaruan India dhe Pakistani?

Pakistani tha se e "dënon me forcë" vendimin e Indisë për revokimin e statusit të veçantë të rajonit të Kashmirit.

"India po luan një lojë të rrezikshme e cila do të sjellë pasoja serioze për paqen dhe stabilitetin rajonal", tha ministri i Jashtëm, Shah Mehmood Qureshi.

"Si palë në këtë mosmarrëveshje ndërkombëtare, Pakistani do të ushtrojë të gjitha mënyrar e mundshme për të kundërshtuar këto hapa të paligjshëm", tha Ministria e Jashtme e Pakistanit përmes një deklarate.

India bëri të ditur vendimi është marrë si përpjekje për të integruar plotësisht rajonin e saj të vetëm me shumicë myslimane, me pjesën tjetër të vendit.

Kritikët kanë frikë se masa është krijuar për të ndryshuar përbërjen demografike të Kashmir të administruar nga India - duke u dhënë njerëzve nga pjesa tjetër e vendit të drejtën për të marrë pronë dhe të vendosen atje përgjithmonë.

Ish-shefja ministrore e shtetit, Mehbooba Mufti ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Tëitter se kjo masë e ka kthyer Indinë në forcë pushtuese.

Periudhë tensionesh në rajon

Tensionet në mes të Islamabadit dhe Nju Delhit janë rritur prej 14 shkurtit, kur një sulm vetëvrasës ka lënë të vdekur të paktën 41 trupa indiane në Kashmirin me shumicë myslimane.

Grupi militaint, Jaish-e-Mohammad (JeM) ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Prej asaj kohë incidentet kanë vazhduar në rajon.

Në muajin mars Ushtria e Pakistanit ka thënë se forcat ajrore kanë rrëzuar dy aeroplanë të flotës ajrore indiane dhe kanë kapur një pilot më 27 shkurt, në zonën e Kashmirit që administrohet nga Pakistani.

SHIKONI EDHE: BE-ja kërkon uljen e tensioneve Indi-Pakistan

Në muajin prill tre ushtarë pakistanezë u vranë nga sulmet e Indisë në rajon.

Ushtria e Pakistanit tha se disa pjesëtarë të tjerë të saj u plagosën.

Në maj Grupi militant ekstremist, Shteti Islamik (IS) pretendoi se ka krijuar një “provincë” në Indi, pas përleshjeve ndërmjet militantëve dhe forcave të sigurisë, në Kashmir.

Përgatiti: Kestrin Kumnova