Pas dëbimit të gjashtë shtetaseve turq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.
Haradinaj ka thënë se ai nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve të sigurisë për aksionin e dëbimit.
Duke sqaruar vendimin për shkarkim, kryeministri ka thënë se ishte takuar disa herë, ditëve të kaluara, me ministrin Sefaj, porse ky i fundit nuk i kishte dhënë atij asnjë informacion.
“Ministrin Sefaj e kam takuar dy apo tri herë. Tani, pa marrë parsysh, unë kam shumë respekt për personin Flamur Sefaj, por një ministër me të cilin i kam pasur dy takime dhe i kam biseduar disa tema të parëndësishme dhe nuk më ka treguar asgjë… çfarë t’i bëj unë tjetër”, ka deklaruar Haradinaj.
Kryeministri ka shpjeguar se ka pasur mungesë totale të informacioneve dhe se lajmin e ka kuptuar nga mediat, ndërkohë që ka thënë se edhe drejtori i AKI-së ka vepruar njësoj, duke mos informuar askënd, as kryeministrin e as presidentin.
“E vërteta është se unë s’kam marrë informatë nga askush për këtë temë dhe bazuar në këtë, për mua këtu është shkelja. Procedurat e tjera… unë nuk jam ai gjykatësi i parë që i gjej. Në princip, sa kam mundur të kuptoj, është ndjekur një procedurë që në atë shpejtësinë time nuk kam gjetur prej dje deri sot shkelje ligjore”, ka thënë Haradinaj.
Kosova ka bërë gabim kur ka deportuar gjashtë shtetas turq dhe një gjë e tillë nuk do të përsëritet, ka thënë kryeparlamentari Kadri Veseli, pas takimit që ka pasur me presidentin Hashim Thaçi the kryeministrin Haradinaj në një restorant në periferi të Prishtinës.
“Ka pasur defekte brenda institucioneve tona - të cilat kanë edhe zbrazëti - mbi të cilat kanë ndodhur edhe gabime, siç ka qenë ai i djeshmi. Dua të siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por, në të njëjtën kohë, të gjithë ata që qëndrojnë në Republikën e Kosovës, në emër të koalicionit qeveritar, në emër të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, se nuk do të ndodhë më kurrë, asnjëherë diçka e tillë. Ka qenë gabim. Ka qenë e dëmshme për qytetarët dhe Republikën e Kosovës”, ka thënë Veseli.
Your browser doesn’t support HTML5
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se kryeministri nuk e ka kontrollin mbi qeverinë e as mekanizmat e tjerë institucionalë.
“Është më se e qartë se nga mënyra se si janë zhvilluar ngjarjet dje, kryeministri i vendit, si shef i ekzekutivit, nuk ka kontroll mbi qeverinë dhe mbi institucionet e tjera. Është gjithashtu e qartë se presidenti i vendit ka tejkaluar kompetencat e veta në këtë rast dhe ky nuk është rasti i vetëm që ai i tejkalon kompetencat kushtetuese”, ka thënë Hoti.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufa, ka pyetur se si është e mundur që aeroporti të shndërrohet në pistë të aterimit të aeroplanëve sekretë për të cilët nuk di askush.
“Si është e mundur që në shtetin tonë të ketë struktura paralele shtetërore, të cilat veprojnë pa e ditur politika vendimmarrëse? Kjo është sfida, të cilën e kemi përjetuar ditën e djeshme. Sa u përket të drejtave të njeriut, ky është një kthim i paimagjinueshëm mbrapa për shtetin e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Grupi i Deputetëve të Pavarur ka thënë se pret sqarime nga Qeveria e Kosovës, pasi, sipas tyre, me shkarkimet aktuale nuk zgjidhet problemi.
“Pra, kemi kryeministër, kemi president dhe kemi kryetar kuvendi sa për të pasur, sepse qenka dikush, i cili po i merrka disa vendime, të cilat nuk po dini as ju, e lëre më ne që jemi deputetë”, është shprehur Dardan Molliqaj nga Grupi i Deputetëve të Pavarur.
Në deklarimin e tij për këtë rast, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e dënuar këtë veprim, ka thënë se është i zhgënjyer për shkak se institucionet kanë dështuar të mbrojnë parimet që ndërlidhen me të drejtat njerëzore të shtetasve të huaj, që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.
Për këtë rast ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka thënë se është duke i ndjekur nga afër zhvillimet dhe ka kërkuar transparencë dhe respektim të ligjit.