Lista Serbe ka marrë vendim që të dalë nga Qeveria e Kosovës. Këtë vendim e ka kumtuar kryetari i Listës, Goran Rakiq pas takimit që përfaqësuesit e këtij subjekti politik zhvilluan në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Njëherësh, Lista Serbe, sipas tij, ka vendosur që gjatë muajit prill të themelojë në mënyrë të njëanshme Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Për këtë hap, ai tha se Lista Serbe ka marrë edhe mbështetjen e Vuçiqit.
“Vendimi për tërheqje nga Qeveria e Kosovës është sjell unanimisht, në mënyrë të përbashkët. Këtë vendim ia kemi thënë sot presidentit Vuçiq dhe ai e ka mbështetur”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtiq.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media pas një mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ka deklaruar se veprimet e djeshme të autoriteteve të rendit nuk kanë qenë kundër askujt, në përjashtim të atyre që kanë prishur rendin dhe kanë shkelur ligjet.
Haradinaj deklaroi po ashtu se largimi i Listës Serbe, nuk e ka bërë askënd as më të lumtur, as më të hidhëruar.
Ai ka thënë se pas këtyre zhvillimeve nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje.
"Pra, as nuk ka rend të zgjedhjeve as nuk ka rënie të Qeveri, po kjo nuk na bën as më të lumtur as më të zhgënjyer. Unë shpresoj se Lista Serbe të reflektojë sepse veprimet e njëanshme, shkëputja e bashkëpunimit nuk janë zgjidhje. Zgjidhja e vetme është bashkëpunimi, dialogu këto e bëjnë progresin në Kosovë si në jug si në veri. Kam qenë dhe mbetem i përkushtuar për integrimin e gjithë qytetarëve dhe vendit dhe mendoj se kjo është më rendësi", është shprehur Haradinaj.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai ka thënë se ka marrë përkrahjen e shumë deputetëve, pas largimit të Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Jevtiq ka thënë se Lista Serbe më nuk do të ofrojë mbështetje as në Kuvendin e Kosovës, për iniciativat e Qeverisë.
“Pra, ne në Kuvendin e Kosovës më nuk do t’i mbështesim më vendimet, të cilat janë iniciativa të Qeverisë. Se çfarë do të ndodhë tutje apo nëse kjo do të nxisë ndonjë iniciativë për ndonjë Qeveri të unitetit kombëtar, atëherë le të unifikohen. Por, dëshiroj që në mënyrë demokratike të luftojmë për atë që na takon, e kjo është liria”, ka thënë Jevtiq.
Të hënën në mbrëmje, Lista Serbe ka zhvilluar një takim ku është miratuar nisma për largim nga Qeveria e Kosovës. Vendimi i Listës pasoi zhvillimet në Mitrovicë pas arrestimit të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nga Policia e Kosovës.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti serb Vuçiq, ka deklaruar të hënën në Beograd se u takon serbëve të Kosovës që të vendosin vetë për çështjen e largimit nga institucionet.
Sidoqoftë, ai është shprehur i gatshëm të bisedojë me ta, siç ka thënë ai “me gjakftohtësi”.
"Kjo është një ditë e rëndë për serbët në Kosovë në të cilën është parë më së miri fytyra e institucioneve të Kosovës. Në mënyrë brutale, me plumba në tytë, me shok-bomba dhe me goditje brutale mbi gratë dhe burrat janë sulmuar dhe rrahur përfaqësuesit legalë të popullit serb, ministra, drejtorë të zyrave, deputetë dhe kryetarë komunash", thuhet në deklaratën e Listës Serbe.
Lista Serbe, ka një grup parlamentar prej 10 deputetëve, prej të cilëve, nëntë janë serbë dhe një nga komuniteti goran.
Po ashtu, kjo Listë ka pasur poste ministrore dhe zëvendësministrore në Qeverinë e Kosovës si dhe udhëheq me shumicën e komunave ku serbët përbëjnë shumicën.
Largimi i Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës, do të ndikojë që koalicioni aktual qeverisës të humbë shumicën në Kuvendin e Kosovës, duke vënë në rrezik mbijetesën e Qeverisë që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, gjë që mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.