Kualiteti i dyshimtë i mishit të firmës VEVIBA nga Belgjika, ka nxitur reagime të shumta edhe në Kosovë, pasi që dyshohet se ky mish mund të ketë depërtuar edhe në tregun e Kosovës.
Nga java e kaluar në Belgjikë po trajtohet si një lloj skandali çështja e kualitetit të mishit, të cilin e konsumojnë qytetarët, pasi që është zbuluar se firma VEVIBA, e cila është një nga furnizuesit më të mëdhenj, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, si dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit dhe me etiketat për afatin e përdorimit.
Mediet belge kanë intervistuar punëtorët e kompanisë, të cilët i përshkruajnë kushtet e këqija higjienike të punës, si dhe manipulimet e qëllimshme nga ana e pronarit të kompanisë.
Kjo kompani dyshohet se në vitin 2016 ka eksportuar këtë produkt edhe në Kosovë.
Në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), është autoriteti më i lartë për Ushqim dhe Veterinari i cili është edhe përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve duke siguruar nivel të lartë të sigurisë së ushqimit.
Por, edhe pse të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarët të këtij institucioni nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Doganave, Kosova ka importuar mish nga Belgjika.
Zëdhënësi i Doganave Adriatik Stavileci bënë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në vit nga Belgjika importohen deri në 200 mijë kilogramë lloje të ndryshme të mishit.
“Nëse shikohet në aspektin e importit apo sasisë Belgjika nuk është një ndër importuesit më të mëdhenj. Kosova brenda një viti importon mbi 40 milionë kilogram mishi. Pjesa më e madhe e këtyre 40 milionë kilogramëve importohet nga SHBA, Brazili, Argjentina dhe Holanda, kurse nga Belgjika importohen 200 mijë kilogram brenda një viti që cila paraqet 0.5 për qind të krejt sasisë që importohet mish në Kosovë. Sidoqoftë, është mjaft shqetësuese fakti që ka një rezultat të kësaj mostre për rastin e mishit nga Belgjika”, thotë Stavileci.
Organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorit disa herë kanë paraqitur shqetësime e tyre për cilësinë e dyshimtë të produkteve. Ato kanë raportuar në vazhdimësi për produkte të dyshimta dhe me afat të skaduar në tregun e Kosovës.
Selatin Kaçaniku, udhëheqës i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, thotë për Radion Evropa e Lirë se në tregun në Kosovë në vazhdimësi mund të gjesh produkte të dyshimta e që paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.
“Janë gjetur tonelata mish i prishur belg, por nëse janë gjetur 20 sa kanë mundur të kalojnë brenda në treg dhe në dorë të konsumatorit. Përveç kësaj ne në tregun e brendshëm në markete kemi mish të cilësisë së dyshimit kemi peshq të llojeve të ndryshme që duken me sy që janë me afat të skaduar. Institucionet e Kosovës nuk po tregohen të vëmendshëm karshi kësaj dukurie. Po rrezikohet shëndeti i qytetarit nga cilësia e dyshimtë e produkteve që konsumojmë”, thotë Kaçaniku.
Ndërkohë, edhe qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen mjaft të shqetësuar dhe thonë se nuk janë të sigurt në atë që konsumojnë.
Hasan Sylejmani qytetar thotë se dyshon në cilësinë e produkteve të konsumit në veçanti tek produktet e importit.
“Po dyshoj shumë në kualitetin e produkteve. Në të kaluarën këto produkte kanë qenë më cilësore, po importohen lloj lloj produkte të cilët po paraqesin problem edhe në shëndetin tonë”, thotë ai.
Skandali me mishin belg ka nxitur reagime të shumta në Kosovë nga përfaqësues të shoqatave ekonomike.
Në një komunikatë për media Oda Ekonomike e Kosovës thekson se skandali me “mishin belg” do të duhej të ishte alarmi i fundit për veprim institucional për mbrojtje të konsumatorit dhe konkurrencës së lirë në treg.
“Shumica e vendeve të BE-së, por edhe BE si treg unik, ndër prioritet kryesor të politikave të tyre e kanë sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konkurrencës të lirë në treg dhe këtë e trajtojnë edhe si pjesë të sigurisë së tyre nacionale. Në Kosovë 19 vite të pasluftës kanë dëshmuar që hapja e tregut për shumë institucione dhe biznese, nënkupton edhe tregti me produkte pa asnjë standard, me cilësi të dyshimtë dhe përdorim të metodave joligjore në dëm të konkurrencës në treg”, thuhet në komunikatën e OEK.
Skandali me “mishin belg”, thuhet mes tjerash në komunikatën e OEK ka ekspozuar shumë qartë rrezikun e vazhdueshëm nga prodhimet që shiten në Kosovë.
Oda Ekonomike e Kosovës, apelon që kjo çështje urgjentisht të trajtohet në Qeveri dhe Parlament.
Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovar ishte kërkuar si nga mekanizmat vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë.
Në raporte të ndryshme theksohet nevoja për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.