Nervozë e elitës ruse për sanksionet e reja amerikane

Ilustrim

Në Moskë mbretëron një atmosferë e ftohtë, e cila nuk është shkaktuar vetëm nga temperaturat tipike arktike, që sikur ia zënë frymën kryeqytetit të Rusisë në muajin janar.

Derisa zyrtarët e Shteteve të Bashkuara po e përfundojnë punën në sanksione të reja financiare dhe të udhëtimit kundër Rusisë, pritet që në shënjestër të masave ndëshkuese do të jetë një listë e zgjeruar e kompanive sekondare, liderët biznesorë dhe individët me lidhje në Kremlin. Kjo po shkakton tmerr në Moskë.

Për dallim nga rundet e mëparshme, kur Uashingtoni përpiqej ta ndëshkonte Rusinë për aksionet e saj në Krime dhe Siri, duke i marrë në shënjestër peshqit e mëdhenj, siç janë firmat madhore shtetërore dhe agjencitë qeveritare, tash fokusi po ndryshon.

Vala e re, që planifikohet të shpallet së shpejti, pritet se se do të jetë më e gjërë dhe e fokusuar në kompanitë, të cilat bëjnë biznes me entitetet që janë goditur me sanksione të mëparshme, duke i mbyllur vrimat që i kanë mundësuar Rusisë për t’i anashkaluar sanksionet dhe i identifikon peshqit e vegjël të qarqeve të brendshme të Kremlinit.

Një zyrtar rus i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të ndikojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Një gazetë me ndikim në Rusi ka raportuar se më tepër se 300 njerëz, të afërt me qarqet e brendshme të presidentit, Vladimir Putin, mund të identifikohen. Nga ana tjetër, institucionet financiare po ndërmarrin hapa për minimizimin e rrezikut ndaj tyre.

“Zemërim i fuqishëm”

“Është e vërtetë se rusët janë tejet të zemëruar për këtë çështje për më tepër se një muaj”, tha Daniel Fried, i cili dikur ishte koordinatori kryesor i sanksioneve në Departamentin amerikan të shtetit.

Andrei Piontkovsky, analist politik rus, tash me seli në Uashington, pothuajse i ka dhënë jehonë vlerësimit të zotit Fried.

“Pritjet janë tejet të zymta” në Moskë, meqë “për të parën herë sjell dhembje personale tek ata më të afërt me Putinin”, tha Piontkovsky.

Masat e reja burojnë nga legjislacioni i cili është miratuar gati unanimisht në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, verën e kaluar, dhe i cili me hezitim është nënshkruar nga presidenti, Donald Trump, në muajin gusht të vitit 2017.

I njohur si Akti i Kundërshtimit të Armiqve të Amerikës Nëpërmjet Sanksioneve, ky legjislacion mundëson “sanksione sekondare”, që i zgjerojnë kufizimet kundër individëve ose kompanive që bëjnë biznes me rusët, kundër të cilëve më parë janë ndërmarrë sanksione.

Këto masa të mëparshme ishin ndërmarrë nga ish-presidenti, Barack Obama, jo vetëm për shkak të aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, por, po ashtu, për dyshimet se Moska ishte përzier në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016, pastaj për shkak të fushatës ushtarake ruse në Siri dhe gjëra të tjera.

Në tetor të vitit të kaluar, në paralajmërimin e parë se kush do të mund të ishte në shënjestër të sanksioneve të reja, Departamenti amerikan i shtetit i ka përmendur disa kompani madhore ruse të mbrojtjes dhe agjenci të inteligjencës, duke indikuar se kompanitë e tjera ruse ose të jashtme, që bëjnë biznes “të rëndësishëm” me to, mund të ballafaqohen me kufizime.

Në aspektin teorik kjo mund të nënkuptohet se një bankë e jashtme që i jep kredi një firme, e cila e furnizon një kompani të kontrolluar nga shteti rus, e që ishte nën sanksione të mëparshme, mund të jetë cak i masave ndëshkuese.

Këtu mund të përfshihen eksportuesi i armatimit, Rosoboronexport, ose prodhuesi legjendar i armatimit, Kalashnikov.

“Lista e oligarkëve”

Me legjislacionin amerikan kërkohet nga Departamenti i thesarit, në koordinim me agjencitë e inteligjencës, për ta njoftuar Kongresin me listën e rusëve të njohur dhe anëtarëve të familjeve të tyre, të cilët potencialisht mund të ballafaqohen me kufizime direkte.

I njohur si Seksioni 241, në instruksione përfshihet edhe identifikimi i oligarkëve sipas “afërsisë së tyre me regjimin rus dhe rrjeti i tyre i vlefshëm”.

Me këtë instruksion, për shembull mund të ndëshkohet e bija e zyrtarit të lartë rus, i cili ka pasuri në Shtetet e Bashkuara, apo shefi i një korporate madhore industriale me prona në perëndim.

Në qarqet në Uashington, vëzhguesit e afërt të procesit të sankisoneve këtë e quajnë “lista e oligarkëve”.

“Me këtë do të goditen njerëzit, pasi tregohet se ata nuk janë të sigurt; se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta ndjekin këtë klasë të njerëzve dhe Putini nuk mund t’i mbrojë ata... se do të ketë pasoja për rusët që duket se janë në qarqet e brendshme të korruptuara të Putinit dhe i ndihmojnë dhe i mbështesin aktivitetet korruptive të tij”, tha Daniel Fried në deklaratën për Radion Evropa e Lirë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi