Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se sanksionet kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë, nuk duhet të lidhen me diskutimet për reduktimin e armëve bërthamore.
Komentet e bëra në konferencën e tij të fundit për gazetarë, duken si përgjigje ndaj sugjerimeve të pasardhësit të tij republikan, Donald Trump.
Trump, në një intervistë për gazetat Times dhe Bild, ka thënë se mund të heqë disa sanksione kundër Rusisë, në këmbim të një marrëveshjeje për reduktimin e armëve bërthamore.
Por, Obama tha se sanksionet duhet të mbeten në fuqi, derisa Moska të ndryshojë qasjen ndaj Ukrainës.
“Arsyeja përse kemi vendosur sanksionet, nuk ka pasur të bëjë me çështjen e armëve bërthamore, porse pavarësia dhe sovraniteti i një vendi, i Ukrainës, janë shkelur me dhunë nga Rusia. Ky nuk ka qenë gjykimi ynë, ka qenë gjykim i gjithë komunitetit ndërkombëtar”, tha Obama.
Edhe Rusia, edhe SHBA-ja janë duke modernizuar arsenalet e tyre, gjë që ka ngjallur shqetësimet për një garë të re armësh.
Obama tha se rikthimi i Vladimir Putinit në krye të presidencës ruse e ka përshkallëzuar retorikën anti-amerikane në Rusi.
“Mendoj se është në interesin e Amerikës dhe në interesin e botës që ne të kemi marrëdhënie konstruktive me Rusinë. Kjo ka qenë qasja ime gjatë gjithë presidencës”, tha Obama.
Gjatë konferencës, Obama po ashtu përsëriti qëndrimin e administratës së tij se zgjidhja me dy shtete e konfliktit izraelito-palestinnez është thelbësore për paqen në rajon. Ai tha se është i shqetësuar se kjo mundësi po venitet.
Obama mbrojti edhe një nga vendimet më të diskutueshme që ka ndërmarrë në ditët e fundit të presidencës: uljen e dënimit me burg të Chelsea Manning, ish-agjente private e ushtrisë, e cila ka zbuluar qindra-mijëra dokumente të klasifikuara të SHBA-së.
Manning është dënuar më 2013 me 35 vjet burg. Me urdhrin e Obamës, të lëshuar më 17 janar, ajo do të lirohet në maj.
Obama tha se Manning ka marrë përgjegjësinë për krimin dhe se ka pasur dënim “joproporcional” me zbuluesit e tjerë të dokumenteve sekrete.
Ai mohoi se vendimi i tij do të nxisë njerëz të tjerë të zbulojnë dokumente sekrete, ashtu siç pretendojnë kundërshtarët republikanë.
Obama u tha gazetarëve se pas përfundimit të presidencës do të marrë “ca kohë të lirë, për t’u qetësuar pak”, por shtoi se “do të futet në skenën publike” nëse mendon se “vlerat thelbësore janë në rrezik”.
“Dua të kaloj kohë të çmuar me vajzat e mia”, tha Obama.
Derisa lëshoi dhomën e konferencës, ai falënderoi gazetarët dhe u uroi fat.
Mandati tetëvjeçar i Obamës do të përfundojë të premten, më 20 janar, kur Donald Trump do të betohet si president i Shteteve të Bashkuara.
Përgatiti: Valona Tela
Facebook Forum