Rusia dhe Turqia i kritikuan SHBA-të për krijimin e forcës kurde

Pjesëtarë të Forcave Demolratike Siriane duke parakaluar në qytetin Raka

Rusia, Turqia dhe Siria, i kanë kritikuar Shtetet e Bashkuara, për ndihmën dhënë kurdëve për krijimin e një force të sigurisë kufitare prej 30 mijë pjesëtarëve, në pjesën veriore të Sirisë.

“Shtetet e Bashkuara tash e pranojnë se po e krijojnë ushtrinë terroriste përgjatë kufijve tanë”, tha mbrëmë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Ajo që na takon neve është t’ia zëmë frymën kësaj armate të terrorit, para se ajo të ketë lindur”, tha Erdogan.

Presidenti Erdogan tha se përgatitjet për sulm ushtarak në forcat e udhëhequra nga kurdët në rajonin Afrin, në pjesën veriore të Sirisë, janë “të kompletuara” dhe një operacion mund të filloj në çdo moment, pavarësisht nga prania e trupave të Shteteve të Bashkuara në rajon, për t’i mbrojtur aleatët e tyre.

Turqia tashmë i ka marrë në shënjestër forcat kurde në këtë hapësirë, afër kufirit të saj, ndërsa Observatori sirian për të drejtat e njeriut, që i ka vëzhguesit në Siri, ka njoftuar dje se artileria e Turqisë i kishte sulmuar pozicionet kurde në rajonin Afrin, për tri ditë radhazi.

Forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, të njohura me emrin Forcat Demokratike Siriane (SDF), janë një aleancë e milicive arabe dhe kurde, të dominuara nga grupi kurd YPG, të cilin Ankaraja e konsideron grup terrorist, i lidhur me separatistët e armatosur kurdë, që për dekada kanë luftuar kundër qeverisë së Turqisë.

Qeveria e Sirisë, po ashtu dje, u ka tërhequr vërejtjen forcave të SDF-së, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, që të mos e konsolidojnë kontrollin e tyre ndaj territorit, të cilin e kishin marrë gjatë luftimeve të vitit të kaluar kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS), përfshirë qytetin Raka, i cili nga IS-i ishte shpallur kryeqytet i tyre.

Pas fitores në këto luftime, SDF tash e ka nën kontroll afro 25% të territorit të Sirisë, në pjesën veriore dhe lindore të këtij vendi.

Qeveria e Sirisë thotë se krijimi i forcës kufitare është “sulm flagrant në sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Sirisë dhe, po ashtu, paraqet shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”.

Rusia, e cila i ka dhënë mbështetje madhore qeverisë së presidentit, Bashar al-Assad, gjatë luftës civile në Siri, është pajtuar se plani amerikan paraqet shkelje të “integritetit territorial” të Sirisë dhe ka tërhequr vërejtjen se kjo mund të çoj në “shkatërrim të territorit të gjërë përgjatë kufirit me Turqinë dhe Irakun”.

“Kjo është një çështje shumë serioze, e cila i ngritë shqetësimet se ka filluar lëvizja kah ndarja e Sirisë”, tha ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara nuk ka bërë komente për akuzat e Lavrovit apo kërcënimet e Erdoganit, për “t’ia zënë frymën” forcës së re të sigurisë kufitare.

Nëpërmjet një imejli dërguar dje agjencisë Associated Press (AP), ky koalicion tha se forca e sigurisë është një element i rëndësishëm i strategjisë së koalicionit për parandalimin e ripërtritjes së ekstremistëve të Shtetit Islamik, në Siri. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, ka thënë se parandalimi i kthimit të militantëve të IS-it, që kanë pësuar disfatë, tash është qëllimi kryesor i Shteteve të Bashkuara në Siri.

“Forca e fuqishme e sigurisë kufitare do ta ndalë lirinë e lëvizjes së IS-it dhe do ta pengoj transportin e materialit ilegal”, i ka thënë koalicioni agjencisë AP dhe ka shtuar se “kjo do të mundësoj që populli i Sirisë ta krijoj një qeveri lokale, përfaqësuese dhe ta rikthej tokën e vet”.

Mëtutje, ky koalicion ka thënë se qëllimi i tij është për krijimin e një force prej 30 mijë anëtarëve “gjatë disa viteve të ardhshme”, ndërsa gjysma e kësaj force, do të përbëhet nga veteranët e SDF-së.

Aktualisht, afro 230 individë po stërviten dhe ata do të jenë anëtarët e parë të kësaj force.

Forcat Demokratike Siriane (SDF), të mbështetura nga koaliconi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, me sulme ajrore, këshilltarë dhe armatime, i ka dëbuar militantët e IS-it nga territoret e gjëra në pjesën veriore dhe lindore të Sirsë, gjatë disa betejave të vitit të kaluar.

Tash, anëtarët e SDF-së e kanë kontrollin ndaj territorit në kufi me Turqinë në pjesën veriore, me Irakun në lindje, ndërsa forcat e qeverisë së Sirisë e kontrollojnë territorin në pjesën perëndimore.

Përgatiti: Fatmir Bujupi