Don Shan Zefi: Nuk i fyeva myslimanët, është lajm i rrejshëm


Një profil në Facebook me emrin Don Shan Prifti Zefi ka shpërndarë akuza dhe komente fyese në drejtim të komunitetit mysliman. Në komentet e bëra në këtë profil mallkohej ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq që nuk i vrau shqiptarët e besimit mysliman. “Faj ka Millosheviqi, ka qenë dashtë vetëm 150 mijë shqiptarë t’i lë të gjallë. Juve turqve ose të ju dëboj ose të ju djegë”, thuhej në njërin nga komentet.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Don Shan Zefi ka mohuar se ai është profili i tij.

“Jo, jo, ai nuk është absolutisht fare profili im i Facebook-ut. Kjo nuk është hera e parë, pak a shumë me të njëjtin emër e kanë hapur edhe disa vite më parë, mirëpo pas insistimeve u hoq, u shua ai profil i Facebook-ut dhe aty u pa se nuk ka absolutisht përveç fotografisë time që e pashë, portretit tim, asgjë nuk ka të vërtetë”, ka thënë Zefi.

“Unë po përgatitem që rastin ta paraqes në prokurori dhe në gjyq dhe duhet shteti i Kosovës të jetë më vigjilent dhe të mos bie pre edhe veçmas masmediat në Kosovë”, ka thënë Zefi për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se personat që kanë hapur këtë profil të rrejshëm kanë pasur për qëllim të prishin bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe dëmtimin e Kishës Katolike.

Zefi thotë se është sulmuar vazhdimisht nga grupe të ndryshme ekstreme por që sipas tij, ai gjithmonë ka promovuar tolerancën ndërfetare në Kosovë.

Komentet e këtij profili të cilin Shan Zefi e cilëson si të rremë janë bërë lajm nëpër media të ndryshme online. Qindra komentues kanë shprehur kundërshtimin me përmbajtjen e komenteve fyese të cilat ishin bërë nga ky profil në Facebook.