Koalicioni i organizatave joqeveritare në Kosovë “Demokracia në Veprim” ka bërë të gjitha përgatitjet për vëzhgimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 11 qershorit.
Deri më tani në këtë rrjet të organizatave janë të akredituar rreth 2 mijë e 912 vëzhgues, të cilët do t’i mbulojnë të gjitha qendrat e votimit në Kosovë.
Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim”, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, kurse subjekteve politike u ka bërë thirrje që mos të ushtrojnë presion mbi votuesit.
“ ‘Demokracia në veprim’, u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të mos ushtrojnë presion mbi qytetarët, dhe përmes vëzhguesve dhe anëtarëve të tyre të krijojnë mundësi dhe ambient ku qytetarët mund të vendosin në mënyrë të lirë dhe të drejtë, dhe në këtë formë të garantohet një proces fer për të gjithë aktorët që janë pjesë e garës”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkaq, vëzhguesit dhe komisionarët, ka thënë Kryeziu, duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre, të mos ndikojnë në votën e qytetarëve. Këtë rol, ata duhet ta ushtrojnë në bazë të legjislacionit aktual në Kosovë.
“Për secilin veprim që bie ndesh me ligjin, pasojat do të jenë të larta, për të gjithë ata aktorë që nesër janë të përfshirë, nga një deri në pesë vite, do të kemi vepra penale për të gjithë ata”, është shprehur Kryeziu.
Gjatë konferencës për medie, ky koalicion ka prezantuar edhe vlerësimet për 10 ditët e fushatës parazgjedhore. Albert Krasniqi, nga “ Demokracia në Veprim” ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë vëzhguar 652 aktivitete të subjekteve politike.
Ai ka thënë se numri i aktiviteteve në këtë fushatë ka qenë më i madh, krahasuar me fushatat e kaluara, por që interesimi i qytetarëve apo pjesëmarrja në tubime, ka qenë më e vogël.
Shqetësuese, sipas tij, mbetet shfrytëzimi i resurseve publike gjatë fushatës. Për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore, disa nga subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e së dielës, janë gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Vetëm nga ankesat e “Demokracisë në Veprim”, vlera e gjobave të shqiptuara ka arritur në mbi 100 mijë euro.