Maqedonia duhet të bëjë reforma rrënjësore në sistemin arsimor, në funksion të ngritjes së cilësisë së arsimit, theksojnë organizatat e të rinjve në Maqedoni. Sipas tyre, shfuqizimi i testimit, një nga veprimet e para të qeverisë së re, pasi ky projekt u cilësua si i dështuar, është një hap i mbarë, por i pamjaftueshëm.
Majlinda Çilafi, kryetare e Unionit të nxënësve shqiptarë të shkollave të mesme në Maqedoni, për Radion Evropa e Lirë thotë se nxënësit po edhe mësimdhënësit e kanë mirëpritur heqjen e testimit ekstern, i cili në vazhdimësi është kundërshtuar nga nxënësit për shkak të anomalive të shumta që e përcillnin, duke filluar nga kompilimi i pyetjeve me gabime të shumta e deri te metodologjia sa i përket evoluimit të dijes.
Ajo thekson se për rritjen e cilësisë së arsimit në Maqedoni, nevojitet që politika të heqë duart nga sistemi arsimor.
“Në sistemin arsimor duhet të largohen ndikimet politike, sepse pikërisht këto ndërhyrje të politikës e kanë sjellë në këtë gjendje sistemin arsimor. Në fakt, duhet të aplikohen më shumë mekanizma për ngritjen e cilësisë së arsimit. Në këtë drejtim do të theksoja kontrollet e vazhdueshme ndaj mësimdhënësve, madje ndoshta dhe testimit të nxënësve disa herë brenda vitit, por e cila notë nuk do të ndikojë në mesataren e suksesit të nxënësve”, thotë a Çilafi.
Sipas saj, nevojitet të inkorporohet edhe stimulimi financiar për ata mësimdhënës, nxënësit e të cilëve do të shënojnë rezultate në garat e ndryshme, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit, praktika këto që janë të pranishme në vendet e zhvilluara evropiane.
Përderisa Dona Kosturanova nga Forumi Rinorë i të rinjve në Maqedoni konsideron se pas shfuqizimit të testimit ekstern për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, të duhet të kërkohet përgjegjësi për mjetet e shpenzuara dhe efektet, që i ka prodhuar si masë. Testimin ekstern e ka realizuar Ministria e Arsimit për pesë vite me radhë, përkatësisht që nga viti 2011 deri në vitin 2016 dhe për të cilin vlerësohet se janë shpenzuar miliona euro, ndërkohë që shumë shkolla funksionojnë pa kushte elementare për organizimin e procesit mësimor.
“Me urgjencë duhet të bëhet një analizë e rezultateve të testimit ekstern, fondeve të mjeteve të shpenzuara për realizimin e testimit. Njëkohësisht, nga ky projekt, i cili ishte i përcjellë me shumë mangësi, duhet të shfrytëzohen të dhënat si tregues i cilësisë së arsimit etj”, thotë Kosturanova.
Por, ish-ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti, konsideron se heqja e testimit ekstern në një formë ka eliminuar shumë anomali që e përcjellin sistemin arsimor, duke filluar nga mbajtja peng e mësimdhënësve përmes dënimeve deri te ballafaqimi me shumë pyetje absurde që duhej t’u përgjigjeshin nxënësit shqiptarë gjatë testimit ekstern.
Rushiti thekson për radion Evropa e Lirëse me urgjencë duhet të hiqen nga librat të gjitha ato njësi mësimore me përmbajtje fyese për shqiptarët.
“Shumë e rëndësishme dhe me prioritet është të hiqen nga kurikulat të gjitha ato njësi mësimore me përmbajtje fyese, të cilat nxisin urrejtje ndaj grupeve të ndryshme etnike, religjioze etj. Sigurisht se për të pasur një arsim cilësor dikasteri i arsimit duhet të bëjë një gamë ndryshimesh. Nevojitet një strategji mbipartiake me një afat kohor prej të paktën dhjetë vitesh, duke filluar me rritjen e investimeve në sistemin arsimor, si dhe duke i kushtuar një kujdes të veçantë përpilimit të kurikulave që ato të jenë në përputhjeje kërkesat e kohës”, vlerëson Rushiti.
Testimi ekstern në Maqedoni aplikohet që nga viti 2011. Nga organizata e nxënësve dhe mësimdhënësit, ky projekt është cilësuar si mekanizëm për të shtrirë ndikimin e saj politika në sistemin arsimor përmes dënimeve për ata mësimdhënës që kundërshtonin politikat e Qeverisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Përderisa, Gruevski, si lider i VMRO DPMNE-së në fjalimin e tij para deputetëve me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re të Maqedonisë gjatë të enjtes tha se me heqjen e testimit ekstern, i shkaktohet një goditje e rëndë cilësisë së arsimit duke u pamundësuar mësimdhënësve që përmes lidhjeve të ndryshme të favorizojnë nxënës të caktuar duke u shënuar nota më të larta nga sa që meritojnë.