Dikasteri i Arsimit në Maqedoni ka paralajmëruar mundësinë që studentët t`i nënshtrohen testimit ekstern, dy herë gjatë studimeve në vitin e dytë dhe atë të katërt, masë kjo përmes së cilës synohet të rritet vlefshmëria e diplomave universitare.
Por, me këtë qëndrim nuk pajtohen dy ish-ministrat e arsimit, Nenad Novkoski dhe Sulejman Rushiti. Sipas tyre, ekzistojnë më shumë mekanizma ligjorë, përmes së cilëve garantohet cilësia e arsimit të lartë mjafton që ata të respektohen në praktikë.
Sulejman Rushiti, ish-ministër i Arsimit, aktualisht profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se me Ligjin për arsim sipëror, mekanizmat ligjorë, të cilët qartë janë të definuar, janë më se të mjaftueshëm për të garantuar cilësinë në arsimin e lartë.
“Qeveria mjafton t`i respektojë ligjet, të cila rregullojnë arsimin e lartë në Maqedoni, të mos ketë qasje selektive, njëherësh të përforcojë kapacitetet e të gjitha organeve që duhet të kontrollojnë dhe korrigjojnë cilësinë e arsimit. Gjithashtu, të mos bëjë ndërhyrje gjatë punësimit të kuadrove në institucione, sepse cilësia e arsimit bie në momentin kur shënon rënie dhe cilësia e kuadrit mësimdhënës, respektivisht atëherë kur institucionet nuk funksionojnë si duhet”, shprehet Rushiti.
Ai thekson se kjo iniciativë nuk është menduar mirë nga përfaqësuesit e Qeverisë, sepse më vete ka shumë kontradikta ligjore.
“Në këtë formë siç mendohet të realizohet testimi ekstern për studentët, nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje vetëm në autonominë e universiteteve, por kemi ndërhyrje edhe në Kushtetutë, shkelen ligjet ekzistuese”.
“Po ashtu, kemi të bëjmë me kontradikta të rënda ligjore sa i përket këtij veprimi, dhe duke u nisur nga këto fakte, vlerësoj se absolutisht kemi të bëjmë me një veprim që ka për qëllim vetëm qasjen populiste dhe në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë për ngritjen e cilësisë së arsimit”, thekson Rushiti.
Sipas tij, nëse Qeveria vërtet synon ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë, atëherë duhet të bëjë investime në lëmin e kërkimeve shkencore, të financojë studentët më të mirë që të vijojnë studimet në universitetet më të mira botërore dhe mbi të gjitha, të sigurojë autonomi të plotë në punën e universiteteve, qofshin ata private ose shtetërore.
Ndërkaq, Nenad Novkoski, ish-ministër i Arsimit, konsideron se Kushtetuta është ajo e cila garanton autonominë e universiteteve, duke theksuar se çdo shteg që lë hapësirë për shqyrtimin e diplomave, paraqet ndërhyrje në autonominë e universiteteve.
“Kjo bëhet me qëllim që të vendoset një kontroll i tërësishëm mbi shoqërinë, në rastin konkret, mbi arsimin e lartë, gjë që do të shkaktojë dëm të madh. Në fakt, kualiteti i dobët në arsim është si rrjedhojë e ndërhyrjes së theksuar të shtetit në autonominë e universiteteve”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Novkoski.
Nga ana tjetër, Mirjana Najçevska, ligjëruese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Shkupit, ngre dilemën nëse ky veprim bëhet si pasojë e dëshirës së paskrupullt të pushtetit për të kontrolluar gjithçka, madje dhe arsimin si një shtyllë tepër e rëndësishme e shoqërisë.
Ajo shpreh dyshim se ky veprim vërtet ka qëllim të mirë, përkatësisht t’i jepet një shtytje e mbarë arsimit. Por, edhe në këtë rast, thekson Najçevska, fatkeqësisht del në pah mungesa e njohurive elementare nga ana e udhëheqësve shtetëror sa i përket funksionimit të sistemit arsimor në shoqëritë demokratike.
“Shpresoj se kjo iniciativë do të reflektojë te stafi i universiteteve duke i thënë jo kësaj ndërhyrjeje të pamenduar mirë nga ana e autoriteteve shtetërore, e cila në masë të madhe e dëmton cilësinë e arsimit”, shprehet Najçevska.
Por ministri i Arsimit, Abdulaqim Ademi, sqaron se testimi ekstern për studentët synon që diplomat e universiteteve t’i bëj të vlefshme në tregun e punës.
“Qëllimi kryesor është që me diplomë të pajisen ata studentë që e meritojnë atë, por edhe ata, të cilët do të aftësohen me shkathtësi dhe aftësi për profilin, ku ata studiojnë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të kuptohet arsimi universitar si biznes, por duhet kuptuar si vend ku të rinjtë do të marrin dije”, sqaron Ademi.
Testimi ekstern përfshin të gjithë studentët e universiteteve private dhe atyre shtetërore dy herë gjatë studimeve - pas përfundimit të vitit të dytë dhe atij të katërt.