Thaçi e Nishani theksojnë perspektivën evropiane për Kosovën e Shqipërinë

Your browser doesn’t support HTML5

Presidenti Nishani viziton Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar si “propagandë” të Beogradit zyrtar, siç e quajti, “projektin për Shqipërinë e Madhe” për të “justifikuar”, sipas tij, “përpjekjet për destabilizim në vende të ndryshme të Ballkanit”.

Presidenti Thaçi foli pas një takimi me Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani, që po qëndron në vizitë zyrtare tre ditore në Kosovë. Të dy presidentët u pajtuan se Kosova dhe Shqipëria kanë perspektivë evropiane dhe integrimet në BE janë ‘synim kryesor i tyre’.

"Kush flet sot më së tepërmi dhe e përmend ‘Shqipërinë e Madhe’?, Shikoni mediat e Beogradit - që të gjitha e kanë në ballinë. Edhe zyrtarët e Beogradit dhe pse e përmendin ata? ‘Shqipëria e Madhe’ përmendet në Beograd, dhe jo në Tiranë e as në Prishtinë. E përmendin në radhë të parë për t'i akuzuar shqiptarët, e dyta për t'i justifikuar përkushtimet e veta destabilizuese qoftë në Kroaci, qoftë në Republikën Serbe, qoftë në Bosnje, qoftë në veriun e Kosovës, qoftë në Mal të Zi", tha Thaçi.

Presidenti shqiptar Bujar Nishani, ndërkaq e cilësoi, siç tha, ‘çështjen kombëtare shqiptare në të gjitha shtetet e Ballkanit, kudo ku jetojnë, një çështje të shenjtë’.

Ai tha se gjeneratat e tanishme në të dyja shtetet, “bazuar mbi kontributet e gjeneratave të kaluara”, e kanë për detyrë “që të punojnë fort për të forcuar vendet në aspektet zhvillimore e përparuese”.

"Proceset e tjera të integrimit, ku si yll polar qëndron ajo në Bashkimin Evropian, janë procese që do të ecin në rrugën e tyre pa u ndalur dhe çdo gjeneratë që do të vijë në të ardhmen, jam i bindur, që do ta përmbush me dinjitet detyrën që koha do t'i afrojë si sfidë", tha Nishani.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, nisi të enjten një vizitë zyrtare në Kosovë, me takimin me presidentin Hashim Thaçi, pasi u prit me një ceremoni shtetërore në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.

Thaçi e Nishani thanë se ‘sa më të konsoliduara të jenë institucionet dhe politikat e brendshme, aq më shpejtë të dyja vendet do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian’.

Presidenti Nishani tha se zhvillimet politike në Shqipëri janë zhvillime në kuadër të kontestit politik dhe sipas tij institucionet nuk kanë një destinacion tjetër përveç integrimit në Bashkimin Evropian

"Këtë situatë që kemi aktualisht në Shqipëri nuk është se e ndihmon përshpejtimin e procesit, por unë jam i bindur se nuk do ta ndalojë procesin, sepse ai është një përcaktim i shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë. Nuk është zgjedhje e politikanëve dhe përderisa nuk është zgjedhje e tyre, por është reflektim i politikanit për shkak të përcaktimit qytetar, natyrisht se çdo vështirësi do të tejkalohet dhe do të ecim në proceset e integrimit", tha Nishani.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës,Hashim Thaçi, tha se e ardhmja e Kosovës është evropiane dhe institucionet e vendit po kërkojnë këtë të ardhme brenda BE-së.

"Sa më tepër që të kemi politikë të konsoliduar, institucione të konsoliduara dhe efektive, institucione të reformave demokratike rruga [drejt BE] do të jetë edhe më e shkurtër. Natyrisht se Shqipëria është më përpara. Ne jemi në një proces të rëndësishëm - atë të liberalizimit të vizave. E theksoj edhe sot publikisht se Kosova ka përmbyllur suksesshëm dhe me një vlerësim shumë të lartë nga BE-ja implementimin e të gjitha kritereve për liberalizim të vizave", tha Thaçi.

Thaçi ka vlerësuar punën e Nishanit për, siç tha, “popullin shqiptar dhe angazhimin e tij për njohjen e Kosovës, si dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme” dhe për këto merita, i ndau mirënjohjen “Urdhri i lirisë”.

Presidenti Nishani, që do të qëndrojë në një vizitë tre ditore në Kosovë, në fund të mandatit të tij presidencial, takohet me udhëheqës institucionalë dhe ata të partive politike në vend dhe do të shpallet qytetar nderi i në tri qytete të Kosovës: Gjilan, Prizren dhe Drenas.

Vizita e Presidentit Nishani në Kosovë bëhet një ditë pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës dhe rënies së qeverisë së saj pas një mocioni mos-besimi, të nxitur nga partitë opozitare. (REL)