Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, përmes një proteste në Prishtinë, ka shënuar 1 Majin, të njohur si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Sindikalistët i janë drejtuar publikisht Qeverisë së Kosovës dhe pronarëve të kompanive private në vend, që të përmirësojnë kushtet e punëtorëve në sektorin privat.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se mbi 50 për qind të punëtorëve në sektorin privat nuk i kanë të drejtat elementare të punës.
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas tij, që nga viti 2011, pagat minimale në sektorin privat nuk kanë ndryshuar dhe ato sillen nga 130 euro e deri në 170 euro, ndërkohë që kushtet e punës, siç i ka quajtur ai, janë skllavëruese.
“Arsyet që na shtyjnë ta mbajmë këtë protestë sot janë pakënaqësitë e punëtorëve, të cilët assesi nuk po mundemi t’i zvogëlojmë. Sindikat jonë po bën të pamundurën që këto pakënaqësi, në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit, të menaxhohen në përputhje me ligjet që kanë të bëjnë me procesin e punës. Mosangazhimi ose mosrespektimi i mjaftueshëm i pronarëve të kompanive dhe i Ministrisë së Punës karshi punëtorëve e bëjnë këtë situatë, që shpeshherë me të drejtë e quajmë skllavëruese”.
Në protestën e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat e Kosovës, kanë marrë pjesë edhe drejtuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. megjithatë, në protestë kanë marrë pjesë vetëm disa dhjetëra protestues.
Avni Ajdini, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, e cila ka nën ombrellë shumicën e sindikatave, ka thënë se punëtorët kanë frikë të protestojnë nga punëdhënësit. Sipas tij, në Kosovë po zhvillohen politika që janë kundër punëtorëve e që rrjedhimisht janë edhe kundër ekonomisë së shtetit.
“Pa punëtorë nuk ka ekonomi. Të drejtat e punëtorëve janë të drejta elementare, të cilat edhe ne i kërkojmë. Na kanë sjellë, me politikat jokorrekte, të korruptuara, në këtë gjendje. Nuk ka siguri për klasën punëtore. Vetëm në këto tre muajt e fundit, nga viti i ri, për fat të keq, kemi 7 raste të vdekjes, fatalitete. Pse? Kush mori masa? Askush nuk ka marrë masa. Një mal me probleme i kanë punëtorët dhe kanë frikë që të dalin këtu”.
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, në Prishtinë kanë protestuar edhe sindikalistët e Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, si dhe sindikalistët e Koorporatës Energjetike të Kosovës. Por, protestat janë bërë të ndara.
Por, a kanë reflektuar protestat e së hënës përçarjen eventuale ndërmjet sindikatave të punëtorëve?
Jusuf Azemi, duke folur për Radion Evropa, ka shpjeguar se pse protestat janë bërë me numër të vogël të pjesëmarrësve, të ndara dhe jo nën një ombrellë.
“Çdo sindikatë e ka statutin e vet dhe e ka të drejtën e veprimit të vet. Unë nuk mund t’ia imponoj, ashtu sikurse as mua nuk mundet të ma imponojë askush që të dal ose mos të dal. Unë e kam parë të arsyeshme që duhet të dal. Ata e kanë parë të arsyeshme që të mos dalin.
"Qasja është e ndryshme. Ata kanë menduar se duhet të festojnë ose kam menduar që duhet të protestojmë. Normalisht që ne e kemi përgjegjësinë, por përgjegjësinë, aq sa e kam unë e ka edhe punëtori, sepse ndoshta më mirë ka qenë të jetë sot këtu i pranishëm se sa në vendin ku feston. Nuk e kemi komoditetin për të festuar”.
Në protestën e organizuar nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat e Kosovës, sindikalistët kanë kërkuar që në sektorin privat paga minimale të jetë 300 euro; punëtorëve tu paguhet stazhi i punës ashtu sikurse edhe në sektorin publik; të zbritet stazhi i punës nga 15 në 10 vjet për pensione; të formohet Gjykata e punës; të zbatohet Ligji i punës, ai mbi sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe Marrëveshja kolektive.
Sindikalistët gjithashtu kanë kërkuar që të parandalohen vdekjet në vendet e punës. (REL)