Dita kombëtare e të pagjeturve e cila është shënuar sot në Kosovë, me tubimin përkujtimor në fshatin Mejë të Gjakovës, ka shënuar edhe përmbylljen e aktiviteteve në kuadër të “Javës së të pagjeturve”.
Në këtë datë, në vitin 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 376 civil shqiptarë në fshatin Mejë. Kjo konsiderohet të jetë vrasja më e madhe masive që ndodhi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Në tubimin përkujtimor në Mejë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Serbia ka bërë krime deri në përmasat e gjenocidit në Kosovë dhe se familjet e personave të pagjetur, me të drejtë kërkojnë që të bëhet më shumë për zbardhjen e të vërtetës për më të dashurit e tyre.
“Te ne, të gjithë e dimë se hartuesi i këtij plani për vrasje është Serbia, shteti i Serbisë. Përpjekjet për të ndriçuar çdo rast të krimit mbi civilët e pafajshëm nuk do të ndalen asnjëherë. Por, ajo çka mbetet jashtë mundësisë së ndikimit të institucioneve tona, i takon edhe bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë trysni serioze te Beogradi zyrtar, i cili posedon arkivat dhe të dhënat e sakta të ushtrisë dhe policisë serbe, që kryen vrasje, spastrime etnike deri në përmasa të gjenocidit, në Kosovë”.
Por, Bajram Çerkini, drejtues i Këshillit Koordinues të Asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka kritikuar institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për mungesën e një trysnie ndaj Beogradit zyrtar, për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Unë e di që vendorët nuk kanë shumë qasje në këtë, por është dashur politikanët tonë, udhëheqja jonë, komisionet tona dhe Grupi punues, të bëjnë një presion më të madh te ndërkombëtarët, që ata të bëjnë presion në Beograd për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Politika e ka bërë këtë dhe politika duhet ta marrë mbi vete përgjegjësinë se pse nuk bëhet e gjithë kjo ashtu siç duhet”.
Çerkini ka shtuar se tashmë çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur ka rrëshqitur nga një çështje humanitare në një çështje politike.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili ka ndihmuar në procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, e pati cilësuar këtë proces si çështje humanitare.
Prenk Gjeta, drejtues i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, thotë për Radion Evropa e Lirë se nderimi dhe homazhet në varrezat në fshatin Mejë, shënojnë përkujtimin e të gjithë të rënëve dhe personave të pagjetur në luftën e fundit në Kosovë.
Ai po ashtu vlerëson seçështja e të pagjeturve, më tepër është parë si çështje politike nga autoritetet në Serbi.
“Përveç se homazheve dhe nderimeve, sigurisht që kemi qëllimin e sensibilizimit të kësaj çështjeje. Tani për tani, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), ndodnëse me përkushtim e shikon këtë çështje, nuk ka mekanizëm, nuk ka forcë, nuk ka mundësi që ta detyrojë palën serbe, sepse KNKK vepron mbi bazën e humanitetit, ndërkaq që njerëzit nuk janë kidnapuar për çështje humane”.
Por, megjithëkëtë, Çerkini vlerëson se familjarët e të pagjeturve, janë të zhgënjyer me angazhimin e të gjithë kompetentëve për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Sot janë shumë të zhgënjyer. Sot është shumë vështirë të dalësh para masës dhe t’ia thuash dy fjalë, për shkak se nuk është bërë boll”.
Në ditën kur po përkujtohen personat e pagjetur në Kosovë, sipas të dhënave të Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, ende ka mbetur i pandriçuar fati i 1 mijë e 660 personave, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. (REL)